Përshëndetje doktoreshë Anjeza. Jam mamaja e një djali 7 vjeçar. Gjatë verës djali im mori një ftohje dhe unë e vizitova e mjeku më tha që kishte infeksion në fyt e më dha ilaçe. Ka rreth 3-4 ditë që djalit i djeg fyti dhe ndjen një si kokërr kur e çon gjuhën në pjesën e fytit. Jam në merak se mos infeksioni i përsëritet prapë. Ju lutem mund të më thoni se çfarë duhet të bëj?
Anjeza Kuçi, otorinolaringologe, Poliklinika Qendrore, tel 0674090843:- Infeksionet e fytit janë infeksione që edhe mund të kronicizohen nga stina në stinë. Mund të shoqëroj edhe me temperaturë, vështirësi në gëlltitje, dhimbje kyçesh dhe artikulacionesh, gjëndra në qafë etj. Ky infeksion mund të shkaktohet kryesisht nga Steptokokus i trupit A Bhaemolitik i cili është edhe shkaktari kryesor për kronicizim nëse nuk mjekohet mirë ose në rast të uljes së imunitetit gjatë periudhave virale. Për 3-4 ditë infeksioni mund të jetë edhe viral dhe mund të kalojë vetë, në të kundërt duhen bërë analizat laboratorike si kultura e fytit, titri i antistreptolizinave, analizë gjaku etj. Meqë është hera e dytë dhe është edhe prezenca e gjëndrave ose limfadenopatia cervikale atëherë rekomandoj konsultën tek mjeku ORL për të parë gjendjen e bajameve, të përcaktohet ose jo nëse do fillohet një terapi me antibiotikë dhe se sa të rrezikshme janë bajamet për organizmin tonë.