– I nderuar doktor Evi, unë që po ju shkruaj jam një djalë 33 vjeç. Sapo jam martuar dhe unë, bashkë me gruan, duam të kemi fëmijë tashmë, por jam i shqetësuar sepse më thanë që duhet të bëja analizat para se të nisnim përpjekjet që të bëheshim me bebe.
Bëra analizat e spermës në Tiranë dhe dola pa spermatozoidë. Mjeku më tha që do bënim një analizë tjetër mbas 3 javësh.
Theksoj që e pi cigaren dhe ndonjëherë ndonjë birrë sepse më pëlqen. A thua ka ndikuar alkooli në daljen e analizës keq? Nëse s’kam spermatozoidë, do të thotë që nuk mund të kem fëmijë. Ju lutem, më thoni a kam shpresa të bëhem baba një ditë?
Dr. Evi Dani, seksolog-androlog, Poliklinika Qendrore, 0682213329:- Duhet të dini që bërja e analizës së spermës (spermograma) është një moment shumë i rëndësishëm për vlerësimin e një mashkulli në lidhje me fertilitetin. Prandaj i duhet kushtuar shumë rëndësi bërjes së analizës me profesionalizëm, pasi analiza, nga ana e saj, do të tregojë gjendjen reale të mashkullit dhe, sigurisht, nëpërmjet saj, mund të kuptojmë shkaqet e infertilitetit e të ndërtojmë skemat e ndryshme të mjekimit, për t’ia arritur qëllimit të shtatzanisë. Duhet patur parasysh se për të bërë analizën e spermës, duhen plotësuar disa kushte nga mashkulli.
– Për të bërë një analizë të tillë, ju duhet të keni mbi 60 orë kohë abstinencë, domethënë, duhet të kenë kaluar 60 orë nga kontakti i fundit seksual. Kjo gjë vlen edhe për ato momente kur mashkulli kryen ejakulacion natën, në mënyrë të pavullnetshme. Është vënë re që analiza del me rezultate të ndryshme, në qoftë se nuk i zbaton këto këshilla. Në qoftë se analiza do të bëhet brenda 60 orëve, do të kemi një rënie të volumit të spermës dhe të spermatozoidëve. Gjithashtu, për të marrë një analizë sa më reale, mashkulli duhet të ketë fjetur mirë ato dy ditë, të mos ketë qenë i dehur, të mos ketë kaluar temperaturë të çfarëdoshme apo gjendje gripale, të mos ketë pasur probleme psikologjike dhe të jetë i qetë.
– Është mirë që analizat të përsëriten dy herë në interval kohor 2 javor, për të qenë më i sigurtë për rezultatin e marrë. Për rastin tuaj konkret, mund të them se vërtet te shumë meshkuj, analiza e parë mund të rezultojë problematike, deri në mungesë totale të spermatozoidëve. Kjo vjen shpeshherë nga faktori psikologjik që kalon ai, në momentin e marrjes së analizës. Këtë gjë e takojmë shpeshherë në praktikë kur në një analizë të dytë, në gjendje psikologjike krejt ndryshe të pacientit, analiza del shumë më mirë se herën e parë. Mundësitë tona apo të mjekësisë së riprodhimit për arritjen e një shtatzanie, tashmë, janë të mëdha. Prandaj, duhet të qetësoheni, sepse mundësia sot për të patur fëmijë, është e sigurtë. Edhe në vendin tonë ekzistojnë të gjitha mjetet e nevojshme për ta arritur një gjë e tillë. Ju këshilloj të bëni analizat sërish, pasi ato që keni bërë ka shumë mundësi të mos kenë qënë plotësisht të sakta, por më parë plotësoni ato kushte që ju përmenda më sipër.