Ai si çdo herë ka qenë edhe në ditën e Pavarësisë së Kosovës në mes të Prishtinës, pasi duket të jetë shtëpia e dytë për të. Po flasim për mikun më të madh të shqiptarëve diplomati William Walker ku gjatë ditës së 17 Shkurtit është parë duke festuar në mes të qytetarëve të Kosovës, ku mes shumë përqafimeve, fotove e takimeve ai është takuar edhe me një vajzë të heroit të Kosovës, Mehmet Reçica, konkretisht me Selvie Reçica, ku kjo e fundit i ka dhuruar një dhuratë shumë të veçantë mikut më të çmuar të Kosovës. Vajza e dëshmorit kishte me vetë një bluzë ku në të ishte fotoja e babait të saj dhe disa fjalë falenderuese dhe përulje për diplomatin Walker, ndërsa njeriu i madh për Kosovën jo vetëm e ka pranuar por edhe është ndjerë shumë i emocionuar për këtë dhuratë dhe fjalët që ishin shkruar në këtë bluzë. Kujtojmë që babai i vajzës, Mehmet Reçica ishte nga fshati Vranidoll dhe kishte qenë një nga arsimtarët më të mirë për 20 vjet, pa harruar të merrej edhe me aktivitete shoqërore-politike në atë kohë, ku në vitin 1981 ai ishte një nga organizatorët e demostratave në Prishtinë kundër okupimit serb. Ai njëkohësisht ishte edhe aktivist në pajtimin e gjaqeve dhe nënkryetar i shoqatës bamirëse Nënë Tereza, duke vijuar më tej në Gjermani duke mësuar dhe hapur shkolla shqipe. Më pas ai është kthyer në atdhe për të vijuar e kontribuar në arsim, ndërsa në kohën kur nisi kordinimi i aktivitetve politike e ushtarake ai mori përsipër për të mbrojtur fshatin Vranidoll kundër artilerisë ushtarake serbe. Gjatë luftës në Kosovë u vra më 25.02.1999 e kufoma u gjet te Liqeni i Batllavës, u varros më 28.02.1999 me nderime te larta në varrezat e fshatit Vranidoll.