– Kam një problem me vajzën time, që është vetëm 16 vjeçe. Ajo është shumë e zhvilluar dhe është bërë vërtet një zonjushë e bukur. E shoh që flet vazhdimisht në telefon me një person. Ajo më thotë se është shoqja e saj, por unë e kam kuptuar që ajo nuk është femër, por i dashuri i saj. Unë si natyrë kam mentalitet të hapur, sado që kur bëhet fjalë për vajzën është pak e vështirë të tolerosh. Megjithatë, kam frikë se ajo, me kalimin e kohës, do të fillojë një jetë intime dhe e kam pak të vështirë që të pakten t’i shpjegoj që të përdori kontraceptivë. A është e këshillueshme sepse dhe mund të dukem më tepër seç duhet një nënë moderne?
– Pyetja juaj është interesante dhe do ishte mirë që kjo të trajtohej si një letër e veçantë edhe nga psikologu, por meqenëse më jeni drejtuar mua, do t’ju jap mendimin tim. Mendoj se ju jeni një ndër nënat “model” për të tjerat sepse jo të gjitha kanë një mentalitet si ju. Dikush mund t’ju quajë nxitëse për vajzën për fillimin e jetës seksuale, ndërkohë që në thelb, ju dëshironi të mbroni shëndetin e vajzës dhe t’i jepni njohuritë e duhura në këtë drejtim. Nëse ju heshtni në këtë pikë, ajo mund të rrezikojë të fillojë një jetë seksuale të nxituar dhe jo në mënyrën e duhur. Tashmë, nuk mungojnë edhe informacionet në internet apo në media, por a është vajza juaj e vëmendshme dhe kurioze t’i mësojë këto? Në këtë pikë, ju takon juve si nënë që t’i shpjegoni paraprakisht të gjitha masat mbrojtëse në lidhje me intimitetin. Mund ta filloni diskutimin me vajzën tuaj, duke i treguar pasojat e një marrëdhënieje të pambrojtur, pasi ndodh shpesh që adoleshentët nuk arrijnë të konceptojnë se një sëmundje seksualisht e transmetueshme ose një shtatzani, janë pasojë e një akti seksual. Prandaj, mos ngurroni t’i flisni me detaje për çdo gjë rreth marrëdhënieve seksuale dhe kontraceptivëve. Keni për të parë se në një të ardhme ose edhe në të tashmen, vajza do t’ju bëhet më e afërt dhe do t’ju pyesë për çdo veprim të saj. Në këtë mënyrë, mbroni atë dhe jeni më e qetë vetë sepse jeni në dijeni të çdo iniciative të vajzës.
– Si ta bëj për vete seksualisht një femër sepse jam shumë i shqetësuar në lidhje me njërën që më pëlqen?
– Kjo është një temë shumë e gjerë për t’u trajtuar, por unë do t’ju përgjigjem shkurt dhe saktë, në mënyrë që të kuptoni strategjinë kryesore për të tërhequr një femër seksualisht. Bëhuni praktik dhe sportiv, që do të thotë të mos e tregoni veten shumë të shqetësuar në sytë e saj. Silluni në atë mënyrë sikur e keni fituar terrenin tuaj. Mos u sillni sikur do që të martoheni me të direkt. Jini pak indiferent dhe mos i telefononi gjithë ditën. Mjafton t’i telefononi edhe një herë dhe më pas të ruani pak distancë. Kjo gjë do ta joshë partneren tuaj dhe ajo do të vrapojë pas jush.
– Mua më pëlqen të bëj seks anal, por të dashurës, jo. Si të veproj?
– Është më se normale që ky lloj seksi të mos i pëlqejë të dashurës suaj. Një pjesë e mirë e femrave nuk e pëlqejnë seksin anal, sepse përveçse nuk ndjejnë shumë kënaqësi, ato ndjejnë dhimbje në anus. Seksi anal duhet bërë në marrëveshje midis çiftit, sepse është një intimitet mbi intimitetin. Për disa persona është e pëlqyeshme, por për disa të tjerë krijon neveri dhe ndoshta, frenim të aktivitetit seksual. Në këtë rast, çifti duhet të jetë jashtëzakonisht rigoroz në higjienën e tij. Në asnjë mënyrë nuk duhet që, mbas një seksi anal, të bëni seks vaginal. Ky do të ishte vërtet një gabim shumë i madh. Infeksionet do të ishin me të vërtetë problematike për femrat dhe ndonjëherë, të vështira për t’u mjekuar. Nëse e doni me të vërtetë të dashurën tuaj, duhet të respektoni rregullat e saj, ndryshe, rrezikoni ta humbisni.