Vijim..!
7 janar 2010
Sot ishte e enjte dhe si gjithmonë, të enjteve më thërret ai. Gjithmonë në të njëjtën orë dhe në të njëjtin hotel… Për herë të parë e kam takuar Petron para gjashtë muajve po në këtë hotel. “E njoh unë, më kishte thënë Eftalia në telefon, është njeri shumë i mirë e i sjellshëm, ka qenë klient i rregullt i Aleksandrës, lituanezes, por tani që ajo iku, unë po ta prezantoj ty se je vajzë për së mbari…”. I thashë “Faleminderit” dhe m’u kujtuan fjalët e Ilias se duhet ta kisha mirë me Eftalinë dhe se duhet t’i jepja ndonjë evro herë pas here…
Petro është një burrë rreth të 50-ave, i gjatë, me flokë gështenjë e me një lëkurë të lëmuar. Më ka treguar shumë për jetën e tij: Është i martuar dhe gruan e ka të sëmurë me kancer. Ka hequr mitrën, por ka akoma probleme. Atij i vjen keq për të dhe nuk e ndan…
– E do shumë? – i thashë një ditë.
– Jo, – më tha ai, – nuk e dua, por ajo është njeri i mirë dhe më vjen keq ta lë tani që u sëmur.
– Po ajo, ç’thotë?
– Më ka dhënë lejen që kur të vdesë, të martohem… – më tha ai duke buzëqeshur hidhur…
Eshte i çuditshëm Petroja. Nganjëhere them se eshte i fundit i llojit të burrave që sakrifikojne per gratë. Eshte shume i sjellshem dhe ben shume për të tjerët. Nje herë i thashë se kisha problem ne IKA. “Po nuk e ke problem, me tha, më jep emrin se ta rregulloj unë. Punoj aty”. Kur u takuam herën tjetër, më la në dorë gjithë dokumentet që kërkoja… Petro flet dhe tregon shume bukur. E ka zakon që pasi bejme dashuri, shtrihet me kurriz, mbyll syte dhe flet, flet pa pushim. Më tregon per veten e tij, për familjen e tij, për gruan për jetën e tij. “Ti ke nevojë për psikanalist”, desha t’i thoja një herë, por e mbajta veten se mos ma merrte për ters…
Kur u takuam për herë të parë, sapo hyra, më pyeti për Aleksandrën. Më kërkoi numrin e saj, por unë nuk e kisha. Më foli për të pothuajse për një orë. M’u duk se kishte rënë në dashuri me të. “Pse iku kështu, pa më thënë, më tha, si më la kështu?!”.
“Ajo bënte punën e vet, o zotni, thashë me vete, punonte, nxirrte para dhe nuk mendonte për gjë tjetër”, por nuk i thashë gjë. Pyet gjithmonë për Aleksandrën. Jam i bindur se ka rënë në dashuri me të, edhe pse tani më thërret vetëm mua…
– Pse nuk gjen një të dashur, po harxhon eurot me mua?! – i thashë sot duke qeshur.
– E dashura kërkon impenjim – më tha ai. – Jam lodhur me gruan, nuk kam kohë t’i shkoj para mbrapa të dashurës. Pastaj, nuk gjej dot më të bukur se ty – më tha. – Ti më pëlqen, ti je e dashura ime.
Qesha dhe e përqafova. Më erdhi keq për të…
10 janar 2010
Sot është e diel, ditë pushimi dhe është një ditë e mrekullueshme. Diell dhe ngrohtë si në pranverë…
Pashë fytyrën time në pasqyrë. Isha ende shumë e bukur, edhe pse po shkoja në të tridhjetat. Pak botoks tek ai doktori shqiptar që kishte klinikën afër Muzeut, nuk do më bënte keq. Ai tashme me njeh shume mire, madje kur isha herën e fundit…
U ula para pasqyrës e po shikoja fytyrën time. Isha ende shumë e bukur edhe pse po shkoja në të tridhjetat. Te sytë kisha ca rrudha te vogla. Pak botoks tek ai doktori shqiptar që kishte klinikën afër Muzeut nuk do të më bënte keq. Qe e bukur me të. Shkova një ditë atje bashkë me Nadjan që donte të bënte një depilim. Kam përshtypjen se, sa më pa, më njohu që isha shqiptare. “Ruse jeni edhe ju?”, më pyeti. “Jo, i thashë, jam greke, nga Janina”. “Ou, më tha ai, unë kam punuar shumë vite në Janinë”. U ndjeva shumë keq. U skuqa kokë e këmbë. Ai, siç duket, e vuri re, u tregua shumë i sjellshëm dhe e ndërroi menjëherë bisedën… Shkova tek ai edhe herë të tjera, por nuk ma hapi kurrë bisedën për origjinën time. Madje një herë, ndërsa isha aty, i telefonuan ne celular dhe ai filloi të fliste shqip, edhe pse unë isha aty. “Unë jam shqiptar”, më tha kur mbaroi bisedën, pa e pyetur dhe duke më parë në sy dhe, menjëherë ndërroi bisedën, duke vazhduar punën me mua. Kam vendosur që, kur të shkoj prapë, do ia them të vërteten se nga jam. Ndjehem keq para tij kur atij i duhet te flasë shqip dhe une e degjoj, edhe pse jam e sigurtë se ai e di që unë jam shqiptare…
Sot u mora me çunin gjithë kohën. Kënaqem kur e shikoj që ai rritet përditë, por përherë më pushton nje trishtim: Si do të ndjehet ai po ta marrë vesh një ditë se ç’punë ka bërë mami i tij?
12 janar
Kot thonë se bota është e madhe, është e vogël shumë. Sot më telefonuan që duhet të shkoja në Filotei, në një adresë ku kishin kërkuar tre vajza. Do të shkoja unë, Nadja dhe një ruse tjetër që sapo kishte filluar punë. Emri i rrugës m’u duk si i njohur, por nuk i dhashë rëndësi. Në lagje te ndryshme të Athinës ka shumë rrugë më emra të njëjtë. Vetëm kur Ilia ndaloi para një vile me kangjella të bukura dhe më tha që kjo është adresa, u kujtova. “Nuk mund të shkoj këtu, i thashë Ilias. E njoh pronarin e kësaj vile”. “Kthehu. Me Eftalinë flas unë në telefon”. Ndofta u tremba kot, ndofta në atë vilë tani banonte dikush tjetër, por nuk mund të shkoja, nuk mund të rrezikoja…
Tek ajo vilë kisha qene shumë vite përpara. Më kishte çuar një e njohura ime, burri i së cilës punonte si kopshtar aty. Ishte një vilë shumë e bukur. Asnjëherë deri në atë kohë nuk kisha parë nje vilë aq te bukur e me aq gjelbërim. Ishte e ndërtuar me një arkitekturë moderne, me xhama dhe me dru. Kur hyje aty, lulet dhe gjelberimi i pafund bënin të të dukej vetja si në parajsë. E njohura ime më kishte thënë që pronari i shtëpisë kërkonte një vajzë simpatike, të sjellshme, me kulturë, që të shërbente si kamariere dhe te kujdesej për shtëpinë. Nuk do të kisha shumë punë, pasi ai kishte edhe një kuzhiniere si edhe një filipinase që bënte punët e shtëpisë. “Është njeri shumë i pasur dhe shumë i mirë, më kishte thënë ajo. Burri im ka dy muaj që ka filluar punë tek ai dhe është jashtëzakonisht i kënaqur, nuk e heq nga goja pronarin… Ai i kishte thënë të filloja punë unë, më tha e njohura ime, por pronari i kishte thënë se i duhej një vajzë e re dhe e paraqitshme, pasi shpesh në shtëpi organizonte pritje dhe mua më shkoi mendja te ty…”
Me parandjenjën se do të filloja një punë të mirë dhe se më kishte buzëqeshur fati në derë, kapërceva pragun e shtëpisë. Te dera e brendshme na priti filipinasja dhe na çoi në sallon që dukej si një galeri arti. Rreth e qark ishin statuja të mrekullueshme ne mermer dhe dru. Po kështu, edhe në mure ishin varur piktura, disa nga të cilat shumë të mëdha. U ulëm dhe po prisnim. Pas pak erdhi filipinasja dhe na tha që zotëria po na priste në zyrë. Ajo na shoqëroi deri te dera e zyrës, na hapi derën dhe na la të futeshim brenda. Të them të drejtën, pamja që më doli përballë, më habiti…
Vijon…!