Babai dhe dasma
– Kam parë dy ëndrra. Sikur më vdiq babai; e vramë ne, e hodhëm në përrua dhe pas disa çastesh, ai u ngjall përsëri. E dyta, kam parë veten sikur na ftuan në dasëm, unë mbaja në dorë një fëmijë e thoja që është i motrës. Në të vërtetë, ajo është vetëm e fejuar. Pas pak kaloi një djalë që më pëlqen, por nuk jemi të lidhur akoma, vetëm pëlqehemi. Ai nuk më përshëndeti fare. Pastaj shkuam te dasma që s’m’u duk fare si dasëm dhe shkova të vija fëmijën në gjumë. Aty, u zgjova. Ju lutem, më ktheni përgjigje këtë javë se e shoh shpesh këtë ëndërr. Respekte. Ana
– E dashur Ana, ëndrra e parë tregon për një zemërim të brendshëm të babait. Për diçka, ai është prekur dhe është ndjerë si i braktisur nga ana juaj. Në këtë rast, ëndrra ju sugjeron t’i qëndroni pranë dhe të mundoheni të rregulloni marrëdhëniet me të, ndërsa tek ëndrra e dytë, ju e mendoni vazhdimisht jetën tuaj private dhe kjo ju shfaqet në mënyra të ndryshme në ëndërr. Me këtë djalë, ju dëshironi të keni më shumë sesa thjesht shoqëri. Në ditët në vazhdim, do të ketë një reagim nga ana e tij dhe juve do t’ju bëjë shumë përshtypje përgjigjja e tij, sidoqoftë ajo. Fëmija tregon për planet që keni në lidhje me jetën tuaj private. Ju uroj shumë fat!
Më presin flokët
– Përshëndetje astrologe! Kam parë në ëndërr sikur motra ime më preu flokët. Ajo është beqare. Një natë tjetër, pashë përsëri në ëndërr sikur m’i preu flokët motra tjetër, që është e martuar dhe jeton në Kanada. Ju lutem, më tregoni çfarë kuptimi ka kjo ëndërr? Xhevi Lezhë.
– E nderuar Xhevi, ëndrra juaj parashikon ndryshime që duken pozitive. Duke qenë se në të dyja rastet ju keni parë që po ju priten flokët, kjo do të thotë se shumë shpejt do të ndodhin ndryshime të cilat do t’u japin zgjidhje atyre problemeve që ju i mendonit të pazgjidhshme. Gjithë të mirat!
Përmbysja e botës
– Jam Ersi. Kam parë një ëndërr që më ka ngelur në mendje dhe jam shumë e shqetësuar. Pashë sikur isha në shtëpi dhe po diskutoja me mamin për diçka. Papritur, pashë nga dritarja që koha po nxihej. Ishte mesi i ditës dhe i them mamit: “Çfarë po ndodh, pse po errësohet shumë?”. Mami, me frikë të madhe dhe me lot në sy, më tha se do të përmbysej bota. Menjëherë dola jashtë në ballkon dhe shikoja përmbytjen e botës, sikur pallatet fundoseshin, një cunam i madh vinte drejt meje dhe malet shkuleshin nga vendi. Ishte një katastrofë e vërtetë! Ashtu, e sikletosur, u zgjova nga gjumi. Më thoni parashikimin…
– E nderuar Ersi, ëndrra të tilla, sigurisht që janë të frikshme dhe të bëjnë të shqetësohesh, por jo kaq shumë sa dukeni ju nga letra që na keni shkruar. Në fund të fundit, kjo ngelet një ëndërr dhe jo në të gjitha rastet, ëndrrat parashikojnë. Megjithatë, ndalemi te shpjegimi i saj. Një ëndërr e tillë tregon zakonisht se ju po kaloni një periudhë të vështirë dhe nuk ju pëlqen aspak mënyra juaj e jetesës. Pak nga pak, po i dorëzoheni situatës që po kaloni. Ka diçka që nuk shkon me jetën tuaj, të cilën ju e mendoni shumë dramatike, edhe pse realisht, nuk është, sepse të gjithë kanë problemet dhe pengesat e tyre në jetë, por nuk i dramatizojnë ato, ndërsa ju po e dramatizoni aq shumë gjendjen sa në vend që të shkoni drejt zgjidhjes, po e vështirësoni daljen nga situata. Ana tjetër e shpjegimit të ëndrrës është që duhet ta pranoni këtë lloj ndryshimi që keni pësuar dhe ta konsideroni gjithçka si rifillimin e një jete të re. Kjo s’do të thotë të dorëzoheni, por të merrni frerët e jetës suaj në duar dhe t’i shikoni gjërat më pozitivisht sepse një fillim i ri në çdo lloj rrafshi jetësor, është gjithmonë një mundësi e re dhe e bukur. Prandaj, vërini qëllim vetes që do të bëni një jetë tjetër nga ajo që keni bërë deri tani. Bëjeni për veten tuaj. Ju uroj shëndet!
Divorc
– Mirëdita. Kam parë ëndërr sikur unë me burrin tim po ziheshim dhe, në fund, vendosëm të divorcoheshim. Unë e pashë veten në gjykatë, duke u divorcuar me të. Ai më shikonte me habi për këtë vendim që kisha marrë, por njëkohësisht, qëndronte shumë i qetë. Më ka trembur kjo ëndërr sepse ne, realisht, jemi mirë si çift. A ka ndonjë domethënie kjo ëndërr?
– Zakonisht, ëndrra të tilla me divorce, zënka në çift etj. kanë më shumë se një kuptim. Ëndrra tregon që mes jush, diçka nuk shkon ashtu siç duhet, sado që ju mundoheni ta fshihni këtë gjë dhe të mos e pranoni. Më saktë, ju i anashkaloni problemet që keni në marrëdhënien tuaj, gjë që rrezikon t’ju çojë vërtet drejt ndarjes; vetëm kur të plasë papritur. Ju jeni e pakënaqur nga marrëdhënia me bashkëshortin, por nuk e pranoni këtë gjë dhe, për më tepër, nuk ia thoni atij këtë lloj shqetësimi. Ju vërtet thoni që jeni mirë, por ëndrra ama tregon të kundërtën. Ajo tregon pasiguri dhe pakënaqësi ndaj partnerit. Ky është një sinjal që ju të uleni dhe të bisedoni me bashkëshortin për çdo lloj pakënaqësie, si nga ana juaj, ashtu edhe nga ana e tij. Në këtë mënyrë, do të shpëtoni marrëdhënien tuaj, por edhe do ta përmirësoni atë. Ju uroj fat!
Duke u mbytur në lumë
– Pashë në ëndërr sikur po lahesha në lumë dhe, një moment, ngeca e nuk lëvizja dot. Po më zihej fryma, nuk mbushesha dot dhe nga sikleti, më doli gjumi. Jam në pritje të një shpjegimi…
– Ëndrra ka disa shpjegime, por në rastin konkret, duhet t’i bëni pyetje vetes: Çfarë jam duke shmangur, çfarë nuk jam në gjendje të bëj? Kjo gjë ka bërë që ju të ndiheni tamam sikur po mbyteni, në jetën reale. Keni shumë për të thënë dhe bërë, por asnjërën s’e bëni. Keni preferuar të heshtni, duke akumuluar nga brenda, por kjo gjë do të jetë në dëm të shëndetit tuaj psikologjik dhe fizik. Prandaj veproni; nëse kishit diçka për të bërë ose për të thënë, bëjeni dhe kaq. Mos mendoni aspak a ka pasoja apo s’ka; rëndësi ka të ndiheni ju mirë dhe të nxirrni ato çfarë keni përbrenda. Gjithë të mirat!
Flutur
– Isha në një kopësht të madh dhe po mblidhja lule, kur pashë një flutur shumë të bukur e cila po më ndiqte. Ishte e madhe, me shumë ngjyra dhe, ngado që shkoja, më vinte nga mbrapa. Erdhi afër meje, m’u ul te supi dhe kalonte nga njëra dorë te tjetra, te flokët, krahët, në kraharor. Dukej si lozonjare dhe shumë e bukur. Jam zgjuar me një ndjesi shumë të bukur nga kjo ëndërr. A ka ndonjë kuptim? Blerina
– E dashur Blerina, keni parë një ëndërr shumë të bukur. Ajo tregon që po kaloni një periudhë shumë të bukur dhe të qetë. Nëse nuk është kështu, atëhere ju pret një periudhë e tillë. Do të ndiheni e lirë dhe e përkëdhelur njëkohësisht, tamam si një flutur. Në jetën tuaj do të hyjë një person i cili do t’ju kushtojë një vëmendje dhe përkujdesje që ju as që e kishit imagjinuar më parë. Ju uroj ta shijoni në maksimum!