Zjarr
– Mbrëmë kam parë në ëndërr ish-të dashurin, sikur kishte zjarr në dorë dhe më ndiqte për të më djegur. Të njëjtën gjë bënte edhe vëllai im. Unë vrapoja dhe kërkoja ndihmë. Çfarë kuptimi ka, ju lutem? Faleminderit. S.
– E nderuar vajzë, ëndrra juaj tregon që, thellë-thellë, në ndërgjegjen tuaj, e mendoni ish-të dashurin dhe keni frikë se, nga momenti në moment, mund të përballeni me të. Pra, u trembeni problemeve që mund t’ju sjellë ai. Ëndrra ju paralajmëron të ruani qetësinë, sepse nuk do t’ju ndodhë asgjë. Edhe nëse ndodh që t’ju dalë përpara, mjafton t’ia bëni të qartë me qetësi se tashmë keni në krah një person tjetër, që e doni. Ju uroj gjithë të mirat!
E trembur
– Jam një zonjë. Pashë në ëndërr sikur isha në det me djalin tim 3 vjeçar. Po ecnim buzë detit, kur papritur, djali m’u zhduk. Para se të zhdukej, ai u fut nën ujë dhe po notonte, por e pashë që po mbytej dhe e tërhoqa sipër. Më vonë, e pashë përsëri djalin tim në një situatë tjetër, sikur po e ndiqte një pedofil. Pra, e gjithë ëndrra ishte një ankth, prandaj, ju lutem, më tregoni ç’do të thotë? Faleminderit. Bardha
– E nderuar Bardha, e gjithë ëndrra juaj ka lidhje drejtpërsëdrejti me ju dhe aspak me djalin tuaj. Në pamje të parë, duket sikur jeni gjithnjë e shqetësuar për djalin tuaj, por në fakt, në thelb, jeni e shqetësuar për veten. Nuk jeni aspak në kontakt me pjesën tuaj më të brishtë dhe, për këtë arsye, jeni shumë racionale në lidhje me të tjerët dhe me veten. Gjithë kjo situatë paksa konfuze do t’ju çojë në një periudhë të vështirë, që nuk do ta përjetoni mirë. Prandaj, ëndrra, përveç parashikimit, ka tendencën t’ju këshillojë. Duhet të kujdeseni më shumë për veten dhe të shprehni lirshëm të gjitha ndjesitë tuaja. Gjithë të mirat!
Motra e vdekur
– Disa net më parë kam parë motrën time e cila ka 10 vjet që ka vdekur. Nuk e kam parë asnjëherë më përpara. E pashë sikur ishte afër një shtëpie dhe i shkova mbrapa. Ajo po vraponte, por unë arrita ta kapja për krahu. E përqafova me shumë mall dhe po e puthja. Isha shumë e lumtur që po e shikoja. I prekja duart, faqet, ballin, krahët dhe nuk më besohej që ishte ajo. E pyeta nëse ishte mirë dhe ajo m’u përgjigj se ishte aq e lumtur, sa unë nuk mund ta besoja. Pastaj, m’u zhduk papritur. Ç’do të thotë? Nikoleta
– E dashur Nikoleta, ëndrra juaj është vërtet e bukur. Ajo tregon sa e lidhur jeni me botën tuaj shpirtërore, por edhe me atë që vetë njerëzit nuk arrijnë ta shikojnë, por vetëm e ndjejnë nëpër ëndrra. Duhet të jeni e lumtur që motra juaj është në parajsë dhe, përveç kësaj, ajo të transmeton një mesazh shumë të qartë: Që ju presin ditë të bukura dhe nuk jeni vetëm, por keni pranë njerëz që ju duan dhe ju respektojnë. Mes tyre, në njëfarë mënyre, edhe pse jo fizikisht, është edhe motra juaj. Ju uroj shëndet!
Grindje
– Para tre netësh kam parë në ëndërr sikur po zihesha keq me prindërit e mi. Përveç kësaj, më shfaqej si hije ish-i dashuri. Kaq mbaj mend. Ç’do të thotë kjo ëndërr? Denisa
– Denisa, përshkrimi që keni bërë ju për ëndrrën, është paksa i paqartë. Megjithatë, ajo pjesë që më keni shkruar, tregon që ju jeni në konflikt me veten tuaj. Kjo gjendje ju bën të ndiheni keq, sepse ju ngjan vetja pak a shumë me prindërit tuaj, me të cilët duket që s’keni marrëdhënie të mira. Përveç kësaj, nuk jeni shkëputur plotësisht nga e kaluara. Përderisa e mendoni, vështirë të ecni përpara, prandaj duhet të keni kujdes, të punoni me veten, të bini në qetësi dhe të shikoni përpara. Ju uroj fat!
Fëmijë
– Shoh vazhdimisht në ëndërr sikur mbaj përdore një fëmijë, të cilin e ndjej që është i imi. Herën e fundit e pashë veten të shtrirë në krevat në një spital. Kisha një fëmijë të vogël në kraharor dhe ish-të dashurin, ulur pranë meje. Doja të dija çfarë ishte, femër apo mashkull, por më doli gjumi. Pres një parashikim. Faleminderit. Era
– E dashur Era, keni kaluar një periudhë shumë të vështirë dhe ka ca kohë që po mendoni të ndryshoni çdo gjë në jetën tuaj. Lidhja që keni pasur me ish-të dashurin ka qenë shumë torturuese për ju, por kjo s’do të thotë që edhe e ardhmja do të jetë kështu. Prandaj, çojini deri në fund ato çfarë keni ndërmend të bëni me jetën tuaj. Ky ndryshim do të jetë shumë i rëndësishëm për ju. Do të shikoni që jeta juaj do të kthejë faqe dhe do t’ju presin ditë të bukura e me surpriza të këndshme.
Makina
– Kam parë dy ëndrra të çuditshme brenda një nate. Në të parën, isha në një autobus me disa të panjohur dhe papritur, autobusi u përplas, por unë arrita të dilja dhe u dëmtova shumë pak në njërin krah. Në ëndrrën e dytë, isha në një makinë që papritur përfundoi nën ujë, por unë sërish arrita të dilja nga makina dhe nga uji. Çfarë kuptimi kanë këto dy ëndrra? Lejla
– E nderuar Lejla, nga ëndrra duket që nuk po ecni në drejtimin e duhur. Këto incidente duan thjesht t’ju drejtojnë drejt emocioneve të cilat për momentin, në realitet, nuk i ndjeni fare. Pavarësisht se për momentin duket se nuk po ecni në drejtimin e duhur, kjo do t’ju shërbejë për më mirë, më vonë. Ndonjëherë është mirë ta lësh veten të të rrëmbejnë emocionet sepse zbulon më mirë se çfarë kërkon me të vërtetë në jetë. Ju uroj fat!
Tatuazh
– Kam parë në ëndërr sikur bëra tatuazh në krah një flutur. Pres shpjegimin.
– Ëndrra juaj tregon qartë që keni nevojë të ndryshoni mënyrën tuaj të të komunikuarit dhe të jetuarit. Jeta është aq e shkurtër, sa koha kalon shpejt dhe vjen një moment kur e ndjen veten shumë bosh, sikur s’ke jetuar qoftë as një ditë të vetme. Prandaj, shijoni dhe përjetoni çdo moment të jetës sikur të ishte i fundit. Jo për çdokënd ndoshta vlen ky rregull, por në rastin tuaj, ky është mesazhi që ju transmeton ëndrra.
Siklet
– Ju përshëndes dhe ju lutem të më shpjegoni ëndrrën time. Kam parë sikur diçka po më bezdiste në gojë. E pashë veten në pasqyrë dhe pashë që ishte një si tip fijeje mes dhëmbëve të mi. Fillova ta hiqja, por ndërkohë, po më rridhte shumë gjak. Mundohesha ta hiqja gjakun, por e shikoja që më shtohej gjithnjë e më shumë. U zgjova e tronditur nga sikleti. Pres parashikimin. Lori
– E dashur Lori, ajo fije që ju ka ngelur mes dhëmbëve dhe që ju jeni përpjekur ta hiqni, tregon se ju doni të shkëputeni një herë e mirë nga diçka që ju lëndon prej kohësh. Në fakt, gjaku që keni parë, tregon që do të rilindni. Ndoshta periudha drejt shërimit përfundimtar të shpirtit tuaj do të jetë paksa e gjatë, ama duhet të dini që më pas do të ndiheni sikur keni rilindur, sepse gjithçka do të jetë e bukur për ju. Bëni durim, sepse fati, pavarësisht vuajtjeve që po përjetoni tani, do të jetë me ju. Ju uroj shëndet!
Dhëmbë
– Kam parë në ëndërr sikur më thyheshin dhëmbët një nga një. Ç’do të thotë?
– Në ëndrrën tuaj, ju nuk më tregonit shumë detaje nëse ndjenit dhimbje apo jo, por gjithsesi, do të kaloni një siklet në lidhje me ata që ju rrinë afër. Mund të keni ndonjë ftohje që mund t’ju zhgënjejë pak, por mos u bëni merak sepse çdo gjë është kalimtare.
Në pyll
– Kam parë në ëndërr sikur gjendesha në një vend që dukej si pyll, bashkë me djalin që më pëlqen dhe me një fëmijë. Unë mbarova një punë timen dhe ai djali që më pëlqen, deshi të më puthte cepin e buzëve, por unë s’e lashë. Ç’do të thotë kjo? Adriana, Lezhë.
– E dashur Adriana, ëndrra tregon që ju e pëlqeni këtë djalë dhe, vazhdimisht, thurni ëndrra për të në mendjen tuaj. Nëse ai vërtet ushqen ndjenja për ju, lërini pak shteg të lirë që t’ju afrohet dhe shikojeni si rast, sepse nuk humbisni asgjë. Pra, lërini ndjenjat tuaja të rrjedhin lirshëm, mos ia vështirësoni vetes këto ndjesi. Ju uroj fat!