Para pak kohësh, kur isha me pushime, lexova në gazetën tuaj një shkrim ku një vajzë shkruante për sëmundjen e nënës së saj dhe më erdhi keq për të gjitha ç`kishte hequr ajo, por kisha dëshirë t`ju shkruaja dhe t`ju tregoja se pavarësisht se nuk ka dhimbje më të madhe se sëmundja e prindit, afërsisht ashtu kam hequr edhe unë me sëmundjen e burrit tim.
Ai ishte një bashkëshort i mrekullueshëm që do ta kishte ëndërr çdo vajzë. Në ishim martuar me dashuri dhe e donim shumë njëri- tjetrin. Zoti na kishte bekuar me dy fëmijë; një djalë dhe një vajzë. Kishim bashkë 15 vjet jetë. Kjo ishte një nga ato periudhat që nëpër libra quhet periudha e artë. Të dy punonim dhe gjendja jonë ekonomike ishte e mirë, mesatare; as të pasur, as të varfër. Përveç jetesës së mirë, na dilnin paratë edhe për ndonjë darkë jashtë dhe për pushime vjetore, por për të kursyer para as që na kishte vajtur nëpër mend dhe kjo do të na kujtohej më vonë, kur të kishim nevojë për lekë të kursyer.
Kur u sëmur, ai ishte 40 vjeç. Kishte nja dy ditë që kishte dhimbje barku. Ishte njeri shumë merakli dhe mbante një higjienë për t’u admiruar. Kishte shkuar te doktori vetëm dhe ai i kishte thënë se e kishte nga papastërtitë, pra, ishte një virozë. I kishte dhënë disa këshilla dhe ai i zbatoi me përpikmëri, por unë dyshova sepse ai, siç thashë edhe më lart, ishte shumë i rregullt nga ana e pastërtisë. Kaluan dy javë dhe pas mbarimit të mjekimit, ai vazhdoi po njësoj. E shtruan në spitalin rajonal dhe atje e mjekuan për helmim. Unë kisha mbetur sa lart e poshtë. Gatuaja, i merrja rrobat e palara, i laja i hekurosja për t’i dezifektuar, por asnjë përmirësim. Më në fund, mjekët u bindën se nuk mund të bënin asgjë, prandaj e transferuan në Tiranë.
Tashmë, unë do të ndërroja komplet ritmin e ditës sime dhe të jetës, gjithashtu. Fëmijët ishin 14 dhe 12 vjeç. I lashë te mamaja. Ia “postoja” sa herë kisha ndonjë hall. Ajo ishte “adresa” e fëmijëve të mi. Pa atë nuk mund të bëja asgjë. Ajo më dilte krah gjithmonë dhe këtë herë s’kishte si të bënte ndryshe.
Mbërritëm në Tiranë, në një vend ku nuk kishim asnjë të njohur dhe nuk e dinim ç’na priste. Atij edhe mund t’i bënte përshtypje kjo gjë, por me hallin që kishte, nuk e vinte re këtë. Unë po. Kisha lënë fëmijët dhe po emigroja në shtetin tim.
Ishte 1 mars dhe ishte dita e parë e muajit. Ditët i kaluam me analiza dhe me eko të njëpasnjëshme. Ai, për të bërë analizat, duhet të ishte shumicën e rasteve pa ngrënë, sipas tipit të analizës dhe unë nuk haja para tij, sepse më vinte keq, plus që isha dhe e mërzitur nga largimi nga fëmijët, puna, shoqëria dhe këtu nuk kisha asnjë të njohur që të më jepte forcë. Këto gjëra bënë që ta hiqja mendjen nga sëmundja e tij dhe dëshira e madhe që ai të mos kishte gjë të rëndë, më bënte që as të mos e mendoja një gjë të tillë. Natën flija në karrige dhe në ndonjë krevat që lirohej, kur ikte ndonjë i sëmurë. Gjumë bëja pak dhe ushqehesha shumë keq. Ai nuk hante ushqim, por merrte serume dhe mbahej me to. U dobësua shumë. Mjekët nuk më jepnin shpjegime dhe unë nuk mund t’u shkoja nga pas sepse duhet t’i rrija atij afër. Shumë shpejt m’u largua mërzia e fëmijëve dhe në telefon bisedoja më rrallë. Kjo ndodhi për shkak se po shikoja se si çdo ditë tretej para syve të mi njeriu që kisha dashur më shumë në jetë. Ai bëhej çdo ditë e më keq. Një ditë nuk durova më, i shkova në zyrë shefit të pavionit dhe i thashë:
– Nuk lëviz nga zyra derisa të më tregoni çfarë ka burri im!
Ai ishte një burrë në moshë, e karakterizonte një edukatë e lartë dhe për të kishin respekt të gjithë. Ai më tha:
– Zonjë, burri juaj ka një masë të madhe dhe do të operohet.
– Po pse nuk ma thatë më parë?
– Donim të siguroheshim dhe sot jemi shumë të sigurtë për këtë.
Ai nuk foli më dhe unë u largova nga zyra e tij. Shkova në dhomën nr.4 ku po dergjej burri im. Nuk më bënte zemra t`i thoja atë që më kishte thënë doktori, por edhe duhet ta përgatisja shpirtërisht para operacionit.
– Zemër, fola me doktorin dhe më në fund e zbuluan se ç`ke! – ai psherëtiu i çliruar – Do të të operojnë dhe do të bëhesh siç ke qenë.
Ia thashë troç sepse kjo situatë nuk kishte asnjë fjalë të bukur me të cilën mund ta zbukuroje. Ai, për një çast, ngriu dhe më pas më tha:
– Po le të bëhem operacion, vetëm të mos vuaj më kështu. Edhe ti po vuan me mua, edhe fëmijët janë pa ne. Më në fund, çdo gjë do të kthehet siç ishim. Le të vuajë nga operacioni po do të jetë i fundit.
Gjithë këto fjalë, po t’i mblidhje bashkë, nuk i kishte thënë qëkur ishte shtruar në spital, por siç duket, kishte dëshirë që me operacionin të mbaronte ky ferr pa fund.
I thashë se do të dilja të blija një kartë të flisja me fëmijët dhe dola në korridor. Më kapi paniku dhe fillova të qaja. Infermieret me të cilat isha miqësuar tashmë sepse kishim shumë kohë që rrinim në spital, më futën në dhomën e tyre e po më jepnin zemër dhe nuk duhet të qaja. Tashmë, operacioni do të zgjidhte gjithçka, por unë kisha një boshllëk në zemër dhe nuk i ndalja dot lotët. Qëndrova për pak kohë ashtu dhe pasi mblodha veten, u futa në dhomën që ishte kthyer në “vendbanimin” tonë.
Ai ishte i shtrirë në krevat nga ku kishte 23 ditë që nuk lëvizte fare. Ishte transformuar në një trup që vetëm shpirti i kishte ngelur, por dukej i qetë, ndoshta sepse mendonte se pas operacionit do të shërohej. Edhe unë kështu shpresoja, kisha vuajtur shumë, kjo sëmundje më kishte marrë të gjitha forcat e nuk dija si do të përballoja qoftë edhe një gjë sado të vogël; isha e “shkatërruar”. Mora në telefon mamanë dhe i kërkova që t`ua thoshte ajo fëmijëve sepse unë nuk gjeja fjalët e duhura, nuk më kujtohej asnjë fjalë që mund ta zbuste situatën. Jo vetëm trupi, por edhe mendja e kishte ndjerë këtë lodhje. I thashë t’u tregonte se me operacionin do të zgjidhej çdo gjë.
Dita e operacionit erdhi. Doktorët u vonuan në sallë për rreth 3 orë. Këto tre orë ishin shumë të gjata dhe unë isha shumë e mërzitur. Më në fund, doli doktori dhe më tha se çdo gjë shkoi mirë. Pas operacionit, ai me të vërtetë ishte shumë mirë. Fliste me mua dhe më kërkoi të shihte fëmijët:
– Tashmë, unë jam mirë dhe ata mund të vijnë të më shohin. Më parë nuk i kërkoja se nuk doja të më shihnin ashtu siç isha bërë.
– Mirë – i thashë – do t’i them mamasë dhe besoj se nesër do të vijnë.
Ai me të vërtetë ishte mirë, por nuk kishte ndryshuar shumë. Të nesërmen erdhën fëmijët, por natën kur po flinim, ai në krevat dhe unë te karriget, të cilat ishin bërë krevati im për rreth një muaj, dëgjova një rënkim dhe thirra infermieret të vinin shpejt.
– Zemër, çfarë ke? Më thuaj, ku të dhemb? Të lutem, më thuaj!
Por ai nuk fliste, vetëm shtrëngonte dhëmbët dhe përpiqej të duronte dhimbjet. Infërmieret erdhën dhe e çuan në reanimacion. Unë isha ulur në një karrige përballë reanimacionit dhe po prisja. Pyesja çdo infermiere që futej apo dilte, por ato nuk më jepnin asnjë shpjegim.
Në mëngjes erdhi doktori dhe kur e pyeta, më tha se do ta operonin përsëri. Ai nuk më dha shpjegime të tjera dhe unë nuk e pyeta sepse nuk doja ta vonoja që të futej sa më shpejt e të operonte burrin.
Fëmijët erdhën dhe unë u thashë se babi nuk ndjehej mirë e do të operohej përsëri. Nuk kisha pse të fshihja asgjë, por edhe nuk mundesha sepse isha e dërrmuar dhe nuk arrija të gjeja gënjeshtra të cilat nuk më vinin në mendjen time të lodhur. Operacioni i dytë zgjati 1 orë, por tashmë unë kisha fëmijët e mamin dhe nuk e ndjeva si herën e parë, kur isha vetëm. Pas operacionit, ai nuk foli më. Fëmijët i lejuan të futeshin sa ta shihnin sepse ishte hera e fundit që do ta shihnin babin e tyre. Ata nuk e kishin parë qëkur ai ishte nisur me këmbët e veta për në spital dhe tani po e shihnin të transformuar. Ai kishte dëshirë t`u thoshte gjithë ato gjëra që kishte kaluar dhe nuk mund t`u thoshte asgjë, vetëm një shikim të përmallur të fundit. Ai vdiq pas dy ditësh dhe vuajtjet e tij morën fund, ndërsa tonat tani kishin filluar. Kur i rrija afër në spital, vuaja fizikishst sepse nuk kisha ku flija, nuk kisha ku haja e nuk kisha njerëz që të më ndihmonin në këtë hall të madh që më kishte rënë, por tani unë isha bosh. Kisha humbur njeriun tim më të dashur dhe së bashku me të, dashurinë e jetës sime. Ai iku dhe mori me vete gjithçka dhe një pjesë të zemrës sime. Me të kisha jetuar pjesën më të mirë të jetës dhe vuajtjet e spitalit nuk i llogaris aspak. Tani unë jetoj për fëmijët dhe në zemër kam dashurinë që më fali ai njeri aq i mirë. Mundohem t’ua fal çdo ditë nga një pjesë të kësaj dashurie fëmijëve tanë që ishin produkt i kësaj dashurie të bukur.