Jam vetëm 28 vjeçe dhe me një të kaluar shumë të ngarkuar saqë më duket sikur jam 40 e ca vjeçe dhe me shumë histori nga mbrapa. Them me vete: “Sikur të kisha në venat e mia gjak shkrimtareje do të shkruaja shumë mirë një libër të gjatë për vete, duke filluar që nga fëmijëria ime e hershme”. Kam përshtypjen që shumë vajza kanë të njëjtin fat me mamanë e tyre. Historia ime është aq e ngjashme me të mamit tim saqë them më duket se do të shkojë brez pas brezi ky lloj mallkimi. Shpesh e falënderoj Zotin që kam djalë sepse kam frikë të kem vajzë. Nuk po flas për mamanë time apo fëmijërinë sepse, siç ju thashë, do të duhej të bëja një libër të tërë pastaj. Po ju tregoj vetëm për martesën time dhe as adoleshencën e as fëmijërinë. Kam plot për të thënë, por do të them vetëm një pjesë sepse kam nevojë të hapem me lexuesit e gazetës. Ndihem më shumë se kurrë e vetmuar, por edhe e lehtësuar, nga ana tjetër.
Kam qenë gjithmonë person i sinqertë dhe më pëlqente të isha e tillë në shoqëri dhe në dashuri, por kurrë nuk e kisha menduar se ndonjëherë çiltërsia dhe sinqeriteti im do të keqpërdorej nga dikush tjetër. S’e kisha menduar kurrë që çiltërsia ime dhe ato çfarë kam kaluar në fëmijëri apo dhe e rritur tashmë, dikush do t’i përdorte kundra meje. U njoha me Mikelin në rreth shoqërie. Ishte një djalë i këndshëm, me humor dhe shumë i kujdesshëm. Të paktën ndaj meje kishte një lloj vëmendjeje që e kishin zili shumë nga shoqëria ime. Ishim thjesht shokë, por e shikoja tendencën e tij për të pasur diçka më shumë me mua sepse dallohej nga muhabetet dhe përkujdesja që tregonte ndaj meje. Një shok nuk mund të bëjë aq shumë sa bënte ai për mua. Dinte gjithçka për mua që nga fëmijëria, adoleshenca, lidhjet e mia, dështimet, vuajtjet dhe gëzimet. Ndihesha kaq mirë që kisha një shok të tillë që më dëgjonte dhe më përkrahte ose më jepte ndonjë këshillë. Ishte diçka shumë e veçantë dhe e rrallë njohja jonë e cila përfundoi në dashuri. Përfundimisht më shprehu ndjenjat dhe ishte e pamundur t’i rezistoja, pasi edhe unë, në njëfarë mënyre, kisha rënë në dashuri me të. E konsideroja engjëllin tim personal dhe ndihesha aq e bekuar sa shpesh i thoja shoqes sime të ngushtë, Gretës: “O Zot, ndihem me fat! Pas gjithë atyre problemeve dhe vuajtjeve, më në fund gjeta personin që më mbush dhe më ka fshirë çdo dhimbje që kam kaluar. Ne e bëmë fejesën dhe martesën shumë shpejt. Edhe pse familja ime ishte kundra kësaj martese, nuk ma prishën sepse unë u tregova shumë e vendosur. Gjithçka shkonte mirë me martesën, ishte po ai që kisha njohur edhe në kohën kur ishim shokë, i njëjti Mikel. Kishim vetëm një vit martesë dhe unë ngela shtatzënë. Shumë shpejt u shtuam me një djalë shumë të bukur të cilit ia vumë emrin Jurgen. Na gëzonte shumë fakti që u bëmë me fëmijë. Pasi u bëmë me fëmijë, Mikeli sikur ndryshoi pak, nuk ishte ai që kujdesej për mua gjithmonë, ai që kisha njohur në dashuri, bile kisha dëgjuar thashetheme sikur e kishin parë Mikelin me një vajzë tjetër që pinte kafe. Mendoja me veten: “njerëzit nuk duan të dëgjojnë mirë për askënd dhe na kanë zili se ne jemi çift perfekt. S’ka se si të ndryshojë Mikeli, ne vetëm dy vjet kemi të martuar dhe ai s’mund të shikojë vajzë tjetër”.
Një ditë thërrita shoqen time të ngushtë, Gretën, kisha nevojë urgjente të flisja me të. Me thënë të drejtën, më mungonte shoqëria ime. Qëkur isha lidhur me Mikelin, sikur isha shkëputur ca nga shoqëria. Nuk më linte asnjë minutë vetëm Mikeli, isha bërë komplet e varur pas tij dhe më pëlqente kjo gjë. Si të mos krijoje varësi me gjithë atë përkujdesje që më jepte ai?! Një herë mbaj mend që shoqja ime e ngushtë më tha: – Shiko Elona, nuk më pëlqen fakti që ti ia kushton gjithë kohën Mikelit. Ai do të të burgosë, po të shkëput komplet nga shoqëria jote. S’më pëlqen kjo gjë nga ana e tij. Nuk ta zë frymën kjo gjë?
– Çfarë po më thua Greta? Ti e di që e dua shumë, ai kujdeset për mua, hajde të mos dalësh kur ai nuk ma prish në asgjë.
– Ok, në rregull Elona, ti e di. Rëndësi ka të ndihesh ti mirë me të, por nëse ndodh ndonjë ndarje, do ta kesh të vështirë ta harrosh.
– E pse duhet ta mendoj ndarjen me Mikelin? Asnjëherë në botë!
Dhe nuk foli më Greta për këtë temë. Nuk e fsheh dot, por në ato momente mendova se ajo më kishte zili dhe e paragjykova në mendime. Pastaj jam penduar që e mendova këtë gjë për shoqen time më të mirë, por s’ke ça të bësh, fundja, nuk jemi perfektë dhe ndonjëherë na shkojnë edhe mendime të këqia në kokë.
Siç po thoja, erdhi Greta dhe iu hodha në krahë duke e përqafuar e duke qarë njëkohësisht.
– Çfarë ke Elona, çfarë ka ndodhur?
– Më kishte marrë malli shumë për ty Greta, pastaj, pastaj… – heshta.
– Unë jam këtu për ty Elona, ti e di që të kam shumë për zemër. Më thuaj, çfarë po ndodh?
– Ndjehem tmerrësisht e vetmuar Greta! Ti kishe të drejtë. Mikeli më ka izoluar dhe më e keqja është se ai nuk është ai që kam njohur, është komplet ndryshe. – Dhe i tregova fill e për pe për të gjitha ndjesitë dhe dyshimet e mia. Pas shumë bisedash që bëra me Gretën, e cila më ndihmoi shumë dhe u ndjeva e çliruar, ajo më tha që duhet të flisja hapurazi me Mikelin. Ashtu bëra. Erdhi Mikeli në shtëpi dhe, si zakonisht, i dola përpara dhe e putha. Nuk mora përgjigje nga ai, thjesht ftohtësi, siç mund të puthet një komshie, pa pikë interesi.
– A mund të flasim pak Mikel?
– Po Elona, më thuaj.
– Ti nuk je më ai që ke qenë, ke ndryshuar shumë dhe të mendosh se vetëm 2 vjet martesë kemi…
– (Qeshi) Të mungon gjë, moj Elona? Të mbaj në pëllëmbë të dorës, të kam marrë për nuse, të kam nxjerrë çdo fundjavë, jam perfekt, me pak fjalë.
– Çfarë po thua Mikel? Më mungon ti, ai që njoha kur ishim të dashuruar, një fjalë e ngrohtë e jotja, përkujdesja shpirtërore, fizike, shoku që flisja me orë të tëra me të, ai që më thoshte “më ke këtu për gjithçka”. Nuk jam keq për dreka dhe darka, por për ty. Ti nuk je këtu me mua, nuk ke më atë humorin që kishe. Kam përshtypjen që ti shoqërohesh me dikë tjetër dhe qarkullojnë shumë fjalë për ty…
– Jo, jo, hiqe nga mendja dhe nuk dua ta zgjasim më këtë muhabet Elona se s’ta kam qejfin. Nuk dua të flas më tani për këtë temë dhe mos më çaj më kokën.
Ngela pa fjalë nga kjo indiferencë e tij. Kaluan edhe tre muaj të tjerë; e njëjta gjë, e njëjta indiferencë nga ana e tij. Tjetër njeri më doli dhe s’e besoja dot. Nga ana tjetër, ai nuk më linte të dilja me shoqërin time. Vendosa ta ndiqja dhe e vërtetova atë që më kishin thënë, e pashë me sytë e mi që ai ishte me një vajzë tjetër. Ai më pa, por bëri sikur s’më pa dhe u largua nga vendi ku kishte qenë. Besoj e kuptoni edhe vetë se si u ndjeva, sikur më kishte rënë tavani mbi kokë. Ecja rrugës si e humbur dhe mendoja vetëm të dilja nga jeta e tij. Ma shpifi dhe mendoja për Jurgenin e vogël. U përballëm në shtëpi dhe po justifikohej që e kishte vetëm shoqe, por unë shpërtheva sepse nuk e mbaja dot më. Ai më në fund e pranoi dhe, në vend që të ndihej fajtor, filloi të më sulmonte, por këtë herë në atë pikë që s’e kisha menduar kurrë. Unë atij i kisha treguar për një histori timen të vjetër e për familjen time me probleme dhe ai më sulmoi pikërisht në këto dy pika; kjo ishte një vrasje e dyfishtë për mua. Mendoja se sa afër më kishte qëndruar në atë kohë kur unë i isha rrëfyer për këto, ndërsa ai po më sulmonte pikërisht te vuajtjet e mia. M’u drejtua me këtë fjalor:
– Elona, mos harro që ti ke kaluar tre histori përpara se të vije me mua. Ke ndërruar shumë shtretër dhe unë përsëri të mora nuse. Je rritur në një familje me probleme dhe unë përsëri të mora nuse, kështu që unë mund të dal me kë të dua unë, bile nuk kam vetëm atë që ke parë ti, por kam edhe dy të tjera…
Më tha lloj-lloj fjalësh të ndyra dhe unë nuk po u besoja dot syve e veshëve. Thua të ishte vërtet ai Mikeli i ëmbël dhe i dhembshur që dikur më vinte doren te supet dhe më ngushëllonte për vuajtjet e mia, ndërsa sot po më sulmonte pikërisht tek ato rrëfime të çiltra që i kisha bërë?
Në fakt, unë s’kisha “ndërruar shumë shtretër burrash” vetëm një para tij, por ai e teproi duke më bërë mua sikur kisha kaluar me qindra burra. Me pak fjalë, po më trajtonte sikur të më kishte bërë nder që më mori për nuse. Nuk arrija dot ta besoja dhe të bëja lidhjen e personit me të cilin isha dashuruar me atë që kisha tashmë në krah. Më dukej sikur kisha të bëja me dy persona të ndryshëm nga njëri-tjetri. Nuk durova dot më, por i thashë: “do të ndahemi dhe mbaroi”. Në ato momente ndodhi hataja. Ai më rrahu aq keq sa për një muaj rresht nuk dola nga shtëpia. Zbulova edhe që ishte i dhunshëm. E tmerrshme! Personi që doja më shumë, tashmë ishte shpërfytyruar. Tashmë Mikeli ma kishte bërë të qartë që ai mund të dilte me kë të donte ai dhe unë nuk mund të bëja dot asgjë. Muajt kalonin dhe asgjë s’kishte ndryshuar, ishte e kotë të flisja me të. Ai tashmë ishte ai i vërteti. Unë kisha rënë në dashuri me nje person perfekt, por që ekzistonte vetëm në mendimet e mia sepse realiteti qëndronte ndryshe. Çdo ditë mendoja se si të shkëputesha nga ai, por edhe ndihesha e pafuqishme. Isha pa punë sepse Mikeli nuk më kishte lejuar të punoja pasi ishte në gjendje të mirë ekonomike. Isha pa shoqëri, vetëm Gretën kisha dhe familjes nuk mund t’i kërkoja asgjë sepse e dija që do të tronditeshin nga kjo gjë. Dhe çfarë bëra? Sigurisht, me ndihmën e Gretës, gjatë ditës kur mungonte Mikeli se ishte në punë, kërkoja për punë, por ishte e pamundur të gjeja punë dhe me kushtet e mia, askush nuk mund të më merrte. As Gretës nuk mund t’i bija shumë në qafë, sepse ajo kishte jetën e saj, ishte shumë e ngarkuar dhe herë pas here i duhej të largohej nga Shqipëria, prej punës dhe profesionit që kishte.
Nuk po e duroja dot gjendjen me Mikelin. Arrita në pikën që më ishte pështirosur sado që vuaja shumë kur mendoja djalin e ëmbël me të cilin isha martuar. Ai kishte një ëmbëlsi në pamje, sikur e kishte të stampuar në fytyrë dhe shpesh qeshja me veten time: “Ja, me këtë fytyrë engjëlli i gënjen ai vajzat që i shkojnë mbrapa”. Pas shumë debatesh dhe dhune nga ana e Mikelit, në një moment që isha vetëm, ika nga shtëpia bashkë me Jurgenin e vogël. Bëra një denoncim pasi mblodha dhe fakte që ai më dhunonte e më tradhtonte dhe disa netë rresht kam fjetur në një hotel në qytetin ku jetoja. Nuk mund të shkoja në familje se më vinte zor dhe e di që nuk ishin shumë të aftë të më ndihmonin. Mikeli më kërkonte gjithandej dhe familja gjithashtu, por për mua s’kishte më kthim mbrapa. Ndihesha tamam në udhëkryq dhe e humbur, por edhe e lehtësuar njëkohësisht. Falë Zotit kisha një avokate shumë të zonjën e cila më siguroi që do të më ndihmonte dhe se Mikeli nuk guxonte të të bënte asgjë të keqe. Më në fund u kthye dhe Greta dhe ndihem me fat që kam një shoqe të tillë. Ajo më mori në shtëpinë e saj. Nuk doja të shkoja, por ajo insistoi dhe më ka premtuar që do të më ndihmojë, por më vjen turp nga vetja dhe zor se më duket vetja si barrë për të. Tashmë, proceset e gjyqit kanë nisur dhe duket që djalin do ta mbaj unë, edhe pse jam pa punë. Jemi drejt fundit të divorcit, vazhdoj të jetoj te Greta dhe jam akoma në kërkim të një pune. Ajo që nuk ia fal vetes është se nuk ndihem e realizuar profesionalisht dhe, për pasojë, ndihem kështu siç jam edhe tani. Megjithëse më mban Greta e kam një avokate që po më ndihmon, përsëri ndihem fatkeqe, për fajin tim kësaj radhe, që e kam të vështirë të gjej një punë, për shkak të mungesës time profesionale. I kam thënë Gretës: “edhe shitëse do të punoj apo dhe pastruese, vetëm të fitoj një lek për djalin dhe për veten”. Pastaj i kam premtuar vetes, djalit dhe Gretës që do të filloj një shkollë të lartë që të ndërtohem vetë dhe t’i siguroj një të ardhme të sigurtë vogëlushit tim. Megjithëse siç thashë ndihem pak e humbur në këto momente, do t’ia dal mbanë, e di. Falënderoj edhe Gretën për përkrahjen e saj. Rëndësi ka që Mikeli është jashtë jetës time. Më vret vetëm fakti që ai më vrau pikërisht te çiltërsia ime dhe shfrytëzoi dobësitë e mia të së kaluarës. Kjo ishte historia ime. Elona.