– Jam Stela 28 vjeçe. Vuaj nga tiroidja. Më kanë thënë që kam tepricë të jodit ose sëmundjen e Graves-Bazedovit, por në një kontroll që kam bërë në Danimarkë, më thonë që është infeksion i tiroides Hashimoto. Ju lutem, a mund të tregoni ku ndryshojnë këto sëmundje?
Dr. Dashamir Gjergji, Doktor i Shkencave Mjekësore, Endokrinolog-Diabetolog, Spitali Amavita, Rruga Pjetër Budi, 75/3, Tiranë:-Faleminderit që më keni shkruar. Që në fillim, ju them që pyetja është pak teknike, meqë bëhet fjalë për diagnoza që, po aq sa ngjajnë, janë dhe të ndryshme mes tyre. Ajo që i bashkon është që prekin të dyja gjendrrën tiroide. Sëmundja e graves është sëmundje autoimune që shoqërohet me zmadhim të gjendrrës tiroide dhe në 50-60 % të rasteve shoqërohet me zmadhimin e daljen përpara të kokërdhokëve të syve me rrahje të shpejta dhe aritmi të zemrës, me dobësim, ndjesinë e të nxehtit, çrregullime emocionale etj. Kjo sëmundje zgjat me muaj dhe vite, me këto shenja klinike. Këtu është dallimi me sëmundjen tjetër që shkruani, që quhet hashimoto dhe është një infeksion kronik. Edhe kjo është sëmundje autoimune e cila në pak raste, ka të njëjtat shenja si sëmundja e parë, por që zgjasin vetëm pak javë. Më vonë, vjen rënia e nivelit të jodit, deri në zgjerim të tij, me kalimin e viteve. Pa e ngarkuar shumë profesionalisht me terma, secila nga këto sëmundje kërkon nga një analizë specifike për të bërë dallimin biologjik mes tyre. Së fundmi, pavarësisht nga emri i sëmundjes, duhet të bëni kujdes sepse të dyja kanë karakter kronik dhe kërkojnë ndjekje të specializuar mjekësore, në mënyrë që t’i mbani gjithmonë në normë nivelet e jodit në organizëm.