Gjithçka filloi kur unë vendosa të ndryshoja jetën time dhe fillova të mendoja për një të ardhme. Isha 21 vjeçe kur u lidha me të dashurin tim, me të cilin tashmë kam gjashtë vjet. Me të kam jetuar momente të bukura, por njëkohësisht, të trishtuara. Isha tmerrësisht e dashuruar pas tij dhe ai gjithashtu. Erdhi dita kur unë fillova një punë që më pëlqente shumë. Mbarova edhe universitetin me rezultate shumë të mira dhe gjithçka po më shkonte mirë. Unë dhe i dashuri im kishim thurur shumë plane bashkë. Mua më çuan për specializim jashtë shtetit për rreth tre muaj; atje mësova shumë gjëra të reja dhe njoha shumë shokë e shoqe. Më mungonte shumë i dashuri im, edhe pse flisnim në telefon disa herë në ditë. Thuajse çdo të mërkurë dilnim me shoqërinë dhe shkonim në pab për të kërcyer, por mendjen unë e kisha tek ai dhe për mua ai ishte jeta. Isha e dashuruar me të njëlloj si ditën e parë. Një të mërkurë, shoqet e mia do të shkonin sërish në pab, por unë kësaj here nuk kisha dëshirë të shkoja. Ato këmbëngulën shumë që unë të shkoja, derisa arritën të më bindnin. Njëra nga shoqet e mia më prezantoi një shokun e saj. U prezantuam duke i thënë emrin e duke i dhënë dorën njëri-tjetrit. Nisëm të bisedonim për gjëra të ndryshme. Vura re se kishim shumë mendime dhe gjëra të përbashkëta me njëri-tjetrin. Pasi kaluan disa minuta nuk e di se si ndodhi, por shkëmbyem numrat e telefonit. Më pas, në momentin e fundit kur po largoheshim, ai më kapi nga dora dhe po më shihte shumë ëmbëlsisht. Në atë moment ndjeva diçka që s’e kisha ndjerë kurrë më parë. Ndjeva drithërima në trup, zemra po më rrihte fort dhe duart po më dridheshin. Atë natë u ndamë dhe ai më puthi ëmbëlsisht afër buzës. Nuk mund ta besoja. Gjithë natën mendoja vetëm për të. Thoja me vete: “Nuk ka mundësi, është një budallëk, sepse unë e kam një të dashur”. U përpoqa të mos i jepja rëndësi asaj që ndodhi, por e kisha të pamundur ta harroja atë që ndjeva atë natë. Edhe dy ditë dhe unë do të kthehesha sërish në Shqipëri, pranë të dashurit tim, por unë vazhdoja të mendoja çdo moment për atë djalë.
Erdhi dita kur unë u ktheva pranë të dashurit tim. Bashkëjetoja me të. Një ditë më erdhi një mesazh në telefon; ishte djali që kisha njohur. Nuk dija çfarë të bëja, ndihesha sërish si atë natë, shumë e emocionuar. Nuk i dhashë shumë rëndësi atij mesazhi, por pas asaj dite, filluam të shkëmbenim mesazhe me njëri-tjetrin. I dashuri im nuk ishte në shtëpi gjatë kohës që unë shkruaja mesazhet. Ai punonte dhe ishte vazhdimisht jashtë shtëpisë. Pas shumë mesazheve që shkëmbyem, një natë ai më mori në telefon. Bisedat tona filluan të shpeshtoheshin, telefonatat zgjasnin 3-4 orë. Ndjehesha shumë mirë kur flisja me të, por gjithmonë ia bëja të qartë që unë kisha një të dashur dhe ai më kuptonte. Më dërgonte me mesazh poezi shumë romantike ku më shprehte dashurinë e tij, por për mua ishte vetëm një lojë. Një ditë nuk durova dot dhe i thashë atë që kisha ndjerë atë natë kur më kishte kapur nga dora. Ai më tha se kishte ndjerë të njëjtën gjë. Kalonin ditët dhe ne flisnim shumë e më shumë bashkë. Ditë e natë unë mendoja vetëm për të; kisha filluar të ndjeja shumë për të. Ju do të pyesni, po për të dashurin tim çfarë ndjeja?! Dashuria që kisha për të, ishte zbehur. Tashmë e shihja si një shok, si një vëlla, por jo më si të dashur, ndërsa djalin që kisha njohur, kisha filluar ta dashuroja. Më merrte malli shumë kur ai nuk më telefononte. Mesazhet që ai më dëgonte çdo mëngjes më ngrinin humorin dhe më bënin të shkoja me qejf çdo ditë në punë. Gjatë gjithë kohës mendoja vetëm për të dhe ndjehesha vetëm, edhe pse pranë meje ishte i dashuri im. Shumë shpesh mendoja të kthehesha në realitet, pasi ai djalë ishte shumë larg dhe unë mbase nuk do ta shihja më kurrë. Kaloi një vit që ne flisnim pafundësisht në telefon, por më pas ai nuk më shkruante më, pasi më tregoi se kishte njohur një vajzë dhe ndihej mirë me të.
U ndjeva shumë keq kur e mora vesh, por nuk kisha rrugëzgjidhje. Nuk duhet t’i bija në sy edhe të dashurit, sepse do ta kuptonte. Ai vazhdonte të më telefononte, por flisnim vetëm si shokë. Një ditë ai më tha se do të martohej dhe mua sa nuk më ra pika kur e dëgjova. Doja të vdisja, sepse jeta ime pa të nuk kishte kuptim. Qaja pa pushim dhe ndjehesha shumë e lënduar shpirtërisht. Vendosa të mos u përgjigjesha më telefonatave të tij dhe ta vazhdoja jetën pranë të dashurit tim, por e kisha të pamundur pasi nuk ndjeja më asgjë për të. Kisha ndryshuar shumë, tani mendoja vetëm për djalin që kisha njohur. Një ditë ai më shkroi sërish mesazh dhe unë nuk durova dot e iu përgjigja. U ndjeva njëlloj si ditën e parë që e kisha njohur. Ai kishte ardhur në Shqipëri dhe e lamë që të takoheshim për të pirë një kafe. Me të dashurin tim tashmë kisha filluar të kisha probleme, por mua nuk me interesonte aspak ai, e kisha mendjen vetëm te djali që kisha njohur.
Ne u takuam dhe u puthëm në faqe shumë përzemërsisht. Ai më tregoi se ishte martuar dhe unë i shpreha ato që ndjeja në atë moment. Hëngrëm drekë bashkë dhe ia kaluam shumë mirë, por kthimi i tij ishte shumë i vështirë, sepse e tillë do të ishte ndarja. Unë e dija që tashmë nuk do ta shihja më kurrë. E imagjinoja që ai as nuk do të më fliste më, pasi tashmë kishte nisur një jetë të re, ndërsa unë isha pa shpresa. Unë e dija se lidhja ime me të ishte e pamundur. Bënim jetë krejtësisht të ndryshme. Ajo që më dhemb më shumë është se unë po jetoj me një njeri që nuk e dua dhe nuk e di nëse do të kem kurajon që një ditë t’ia them të vërtetën. Të vetmet gjëra që kam prej djalit që dashuroj, janë miqësia dhe kujtimet e tij. Uroj që një ditë ta kaloj këtë që ndjej, por e di që do ta kem shumë të vështirë, sepse ajo që ndjej është më e fortë se unë. Ai gjatë gjithë kohës që flasim më thotë vetëm këtë frazë: “Unë kurrë nuk të kam dhënë shpresa për asgjë”. Unë këtë gjë nuk di si ta kuptoj, kur ai më shprehte dashurinë e tij, kur ai kalonte orë të tëra duke folur me mua… Kjo që më ndodhi, do të lërë gjurmë në jetën time. Jam shumë e pafat, sepse dashurova njeriun e gabuar dhe po ndjej një dashuri të pashpresë… të pamundur.