Unë jam një burrë nga një fshat i thellë në Veri të Shqipërisë. Mora guximin t`ju shkruaj që t`ju hapem juve e t’ju tregoj historinë e jetës sime. Kur isha i ri, në moshën 20 vjeçare, u dashurova me një vajzë shumë të bukur. Vajzat e bukura nuk mungojnë nga anët tona. Ato i mban të bukura dhe të freskëta ajri i freskët i malit dhe uji i kulluar. Në fshatin tonë, kur dashuron, duhet të marrësh parasysh disa gjëra dhe sidomos familjen sepse ata kanë fjalën kryesore dhe japin verdiktin. I thashë babës dhe ai shkoi ta kërkonte. Meqenëse ne ishim një familje e pasur dhe ndër familjet më të mira të fshatit, ata ishin dakord, madje shumë të kënaqur që po lidhnin miqësi me ne. U martuam dhe ishim mjaft të lumtur. Ajo nuk kishte shprehur asnjë pakënaqësi ndaj meje, prandaj dhe unë kisha besim të plotë tek ajo.
Meqenëse në fshat shumë punë janë blegtori, ajo nuk ishte shumë e dhënë pas shtëpisë dhe, kur ne u bëmë me fëmijën e parë, kishte më shumë dëshirë të shkonte të kulloste lopët sesa të rrinte me fëmijën. Me fëmijën merrej nëna ime, ndjesë pastë, kurse ajo, gjithë ditën me bagëti. Edhe unë e kisha punën larg dhe nuk më takonte të rrija shumë në shtëpi, kështu që ajo kishte filluar “të lëvizte nga pak”. Për të gjithë ata që nuk e kuptuan, do të thotë se më tradhtonte. Kudo flitej për të, por në veshin tim nuk kishte arritur asnjë nga këto fjalë. Nga anët tona, disa i kanë ruajtur zakonet prapanike, sipas të cilave, tradhtia nuk falet kollaj. Kishin kaluar tre vjet nga martesa jonë dhe djali tashmë ishte dy vjeç.
Një ditë, tek po vija në këmbë për te shtëpia, pashë nga sipër tek ara jonë, dy vetë. Futem në shtëpi dhe i them nënës:
– Ku është gruaja?
– E shkreta, ka gjithë ditën në arë, as për të ngrënë bukë nuk ka ardhur. – tha nëna. Ajo ishte një grua shumë e mirë dhe nuk i shkonte mendja asnjëherë për keq. E donte si vajzën e saj.
– Me kë është? – i thashë.
– Vetëm – më tha. – Babai yt dhe unë kemi nja dy orë që kemi ardhur lart.
Në të vërtetë, nuk e di se si u bëra. Dola me vrap nga dera e me një inat që nuk e di se si do ta shfryja. Sa dola nga dera, ajo po lante këmbët në krua.
– Me kë ishe në arë?
– Vetëm – më tha e ngriti kokën lart, por nuk më pa në sy. Atëhere kuptova se ajo kishte kohë që nuk më shikonte në sy. Desha të marr t`ia fus kokën në ujë e ta mbysja fare, por nuk kisha prova.
– Mua nuk m’u duk se ishe vetëm, moj e poshtër!
– Vetëm isha, të kanë bërë sytë. – më tha aq e qetë sa unë u ndjeva në faj dhe mendova se me të vërtetë më kishin bërë sytë.
Të nesërmen kisha pushim, por nuk tregova në shtëpi.
– Shoku im kishte një rast vdekjeje dhe më tha ta zëvendësoja, kështu që më duhet të shkoj në punë. – u thashë. Bëra demek se po shkoja dhe u fsheha. Po prisja që ajo të shkonte në arë. Ajo, kryelartë, shkonte me shatë në dorë e dukej se po shkonte në dasëm e po ecte në bulevard e jo në rrugë këmbësorësh fshati. Mendova me vete se nuk kishte burrë që t’ia ulte hundën kësaj femre. M’u duk vetja shumë i ulët dhe mendova se po bëja shumë gabim, kështu që thashë me vete se më mirë ishte të shkoja në qytet dhe të kaloja gjithë ditën e të bëja sikur kisha qenë në punë. Mendova se dita e djeshme duhej të harrohej. Ndoshta lodhja më kishte bërë që të më dukej se ajo nuk ishte vetëm, madje po ndihesha edhe fajtor që e kisha akuzuar kot. Shkova në qytet dhe, si më magji, çdo gjë më ishte larguar nga mendja. Ndenja tërë ditën dhe në kohën që ditët tjera kthehesha nga puna, u nisa udhës për në shtëpi. Kur arrita në të njëjtin vend ku shihej ara jonë, si në pëllëmbë të dorës, pashë të njëjtën gjë që kisha parë një natë më parë. Të them të drejtën, m’u duk se ishte bërë një imazh në mendjen time e po çmendesha që po shihja prapë një gjë të tillë. Vrapova aq shpejt sa sot them si nuk jam rrëzuar asaj rruge në të cilën rrëzohesh duke ecur me hap e jo ashtu si kam ecur unë, si i thonë, “me të pestin”.
Nuk u ndala te shtëpia, por vrapova drejt e në arë dhe u fsheha pas një gëmushe. Oh, i shkreti unë, ç’më panë sytë! Jo, kjo s’mund të ndodhte. Ajo po rrinte në anë të arës së bashku me djalin e xhaxhait tim. Dukeshin aq të afërt sa unë u tërbova dhe dola në shesh të burrave.
– Po ju, mor faqezinj? Ç’po bëni?
Ata të dy shtangën. Gratë në katund nuk rrinë kurrë vetëm me një njeri jo të gjakut të tyre, as me kushërinjtë e burrit. Këto zakone duken të vjetra e të prapambetura, por në thelb, shprehin shumë. Për shembull, sa e sa raste kanë ndodhur që shumica e tradhtive janë bërë në shoqëri të ngushtë dhe në farefis, sepse miqësia e mirë, sjell një dashuri të sinqertë?!
– Po ti moj e pafytyrë, sa po harlisesh e po shkrihesh gazi, po a e di ti kush është ky? Po ti mor idiot, ç`po bën me gruan time?
– Po ti po keqkuptohesh se ne po bënim shaka. – tha ai, por dukej i tmerruar. – Si të shkon në mend një gjë e tillë?
– Po ti ç`muhabet do të bëje tjetër përveçse të më tradhtoje mua? Kisha dëgjuar fjalë, por nuk u besoja. – Në fakt, nuk kisha dëgjuar asnjë fjalë e po gënjeja. – Po ti, ti moj, që nuk ke qeshur kurrë aq shumë me mua! Prandaj gjithmonë bën punët jashtë shtëpisë, që të rrish me këtë haramin? Tani do t`jua tregoj unë juve, do t`ju vras të dyve!
Mora shatën në dorë dhe e zgjata që t’i bija gruas, por ndërkohë, kushëriri më doli përpara.
– Po gabohesh. Mos bëj asnjë veprim se do të pendohesh. – më tha.
U nxeha se ai e mbrojti sikur ta kishte të dashur. E shtyva me dorën që kisha bosh dhe i thashë:
– Hapu se me ty kam fjalë pastaj. E para do të jetë kjo bushtra!
Ajo ishte shumë e qetë.
E largova kushëririn dhe i rashë gruas me sa fuqi kisha, por në atë moment, një e goditur nga pas më la pa ndjenja. Kur u zgjova, isha në spital. Rreth meje ishin të gjithë njerëzit e mi. Ata më shihnin të tmerruar, të habitur e të shushatur e nuk di se si ishin. Vetëm njerëz nuk mund t`i quaja, ishin bërë gjysëm njerëz.
– Po ajo? – thashë më shumë duke lëvizur buzët sesa duke folur.
– Nuk ka rrezik, vetëm se është paralizuar nga njëra anë e nuk mund të ecë e as të flasë më kurrë. Po ç`na bërë mor djalë? Ku i kishe mendtë? – më tha babai.
Unë e mora veten dhe më pas mësova se kishte qenë kushëriri që më kishte goditur. “Paskam patur fat, thashë kur e mësova këtë gjë, se me ato nerva do t`i vrisja të dy”. Atëhere kështu mendova, por tani jo. Më mirë të kisha vdekur e të mos isha në gjendjen që jam tani. Ajo, kur doli nga spitali, nuk u kthye më tek unë dhe vëllai i saj, me gjyq, më mori edhe djalin. Me xhaxhain nuk flasim prej vitesh se nuk provova dot që mes tyre kishte patur ndonjë gjë dhe të gjithë ishin dakord se i kisha akuzuar kot. Ndenja pesë vjet i ngujuar se vëllai i saj kërkonte hakun që motra e tij ishte bërë invalide nga dora ime. Me kanun, kur njeriu gjuan, quhet sikur ta kishe vrarë atë njeri, sepse ti për atë arsye e gjuan; tjetër është se atij nuk i ka ardhur dita e shpëton. Nëna më vdiq nga mërzia. Lëngoi gjashtë muaj e pastaj u largua nga kjo botë, me mërzinë duke më parë mua të ngujuar e nga malli i djalit tim, që e kishte rritur vetë.
Pas pesë vitesh, në derë trokiti vëllai i saj. Mendova se dita ime për të vdekur erdhi. Isha mërzitur brenda dhe nuk doja t`ia dija. Më mirë të vdisja një e herë e mirë sesa çdo ditë e nga pak.
– Mirëdita, – më tha. – A mund të hyj?
– Po deshe ti, dalim jashtë më mirë.
– Jo, jo, më mirë brenda.
– Si të duash.
Ai u ul dhe për një copë herë, nuk foli. Hasmi në shtëpi futet për kafe, bukë e çdo gjë dhe unë kështu bëra. Ai deshi një kafe dhe ia bëra. Babai kishte kohë që nuk ishte mirë. Nuk kishte ndonjë sëmundje, por rrinte shtrirë e nuk hante. Ishte dobësuar shumë. Ai u ngrit dhe erdhi në dhomë, por dukej si një fantazmë e jo si njeri.
Vëllai i gruas sime foli:
– Nuk kam ardhur për atë që mendon. Po të ishte për mua, nuk do të kisha ardhur kështu i paarmatosur, por dje motra ime foli pas pesë vjetësh. Ka shkruar një letër ku thotë se ti mund ta paraqitësh në gjyq e të shpallesh i pafajshëm, kështu që edhe unë nuk mund të të bëj gjë. Po ta them edhe një herë, jo se nuk dua, por ky është amaneti i motrës e cila para dy orësh ndërroi jetë. Po dije, mos më dil kurrë para sysh se nuk e di a mund të përmbahem dhe mos bëj as përpjekjen më të vogël për djalin se atëhere do ta harroj amanetin e motrës.
Tha këto fjalë dhe iku. Kafen e la përgjysëm. Ky gjest do të thoshte se kjo punë nuk ka mbaruar përfudimisht. Kur mendoj, më mirë të më kishte vrarë atë moment. Tani jam i lirë nga kanuni, por unë kurrë nuk jam i qetë se, për i lumtur, nuk bëhet fjalë. S`kam më as nënë, as babë, as djalë, as grua, as xhaxhain që nuk flet me mua. Sa të jetë gjallë vëllai i ish-gruas, do të ruhem nga ai e më pas, ndoshta edhe nga djali im. Vdekja për mua është kapak floriri.