– I nderuar seksolog! Ju falënderoj për sqarimet aq të vlefshme që jepni me anë të gazetës “Intervista”. Ju bëni një punë mjaft të nderuar humanitare duke u ardhur në ndihmë njerëzve në zgjidhjen e halleve e problemeve të tyre shqetësuese për jetën. Unë që ju shkruaj jam një nënë nga Skrapari, lexuese e rregullt e “Intervistës”. Problemi që më shqetëson dhe dua të më sqaroni, qëndron si më poshtë: Ka një vit që djali im është martuar me një vajzë po nga një fshat i Skraparit. Djali me vajzën duhen shumë me njëri-tjetrin, edhe pse fejesën e bëmë me ndërmjetësi. Edhe ne si krushq shkojmë mjaft mirë me njëri-tjetrin, por problemi që na shqetëson është se djali nuk kryen dot marrëdhënie seksuale me nusen. Djali punon në Greqi dhe, pasi ndenji disa kohë i fejuar me vajzën, e mori në Greqi, por as kur ishte këtu në Skrapar, as në Greqi, nuk kryen dot marrëdhënie seksuale. Ai thotë se me ndonjë vajzë tjetër ka kryer marrëdhënie, kurse me nusen e tij, jo. Prandaj e nisëm edhe nusen në Greqi te djali që të ishin bashkë, por siç më thonë, as atje nuk kryejnë dot marrëdhënie. Ç’është e vërteta, ne mendonim se mos i ka lidhur njeri apo mos u kanë bërë magji dhe kemi shkuar edhe në disa vende ku mendonim se mund të zgjidhnim ndonjë gjë, por e vërteta është se jemi munduar kot dhe nuk kemi arritur asnjë rezultat. Kërkojmë nga ju, i nderuar seksolog, të na sqaroni drejt nëse ka ndonjë rrugëzgjidhje ky problem se na është bërë hall i madh. Edhe ne, por sidomos djali, po e vuan shumë. A mund të na jepni një këshillë ose zgjidhje se si mund të veprojmë ne dhe çfarë të bëjmë për të zgjidhur hallin që kemi? A mos është problemi pa rrugëzgjidhje dhe duhet të ndahet djali me vajzën në mënyrë krejt të pavullnetshme se ata duhen shumë si çift? Si na thoni ju, është faji i vetë djalit apo mund të jetë edhe faji i vajzës? A mund të jetë impotent djali apo bën vaki të jetë edhe vajza impotente? Presim një përgjigje me anë të gazetës. Me respekt, zonja nga Skrapari M.R.
Dr. Evi Dani, seksolog-androlog, Poliklinika Qendrore, 0682213329:– Nga shumë letra që më vijnë në adresën time dhe që, sigurisht, nuk mund t’u përgjigjemi të gjithave për arsye teknike, më bëri përshtypje letra juaj dhe dëshiroj t’ju përgjigjem sa më parë, për vetë problematiken që ajo paraqet. Gjatë punës time prej 30 vjetësh, konstatoj herë pas here raste si problemi i djalit dhe nuses tuaj; kur një çift janë shumë të dashuruar me njëri-tjetrin, por në marrëdhënie midis tyre ka dalë një problem, që është pamundësia për të kryer aktin seksual.
Sigurisht, kjo është një gjendje që domosdoshmërisht krijon një traumë te çifti apo te njerëzit rreth tyre. Unë, shpeshherë, deziluzionohem kur marr vesh që çifte të tilla mund të kenë arritur deri në divorc për një arsye të vetme që ne tashmë e konsiderojmë krejtësisht të zgjidhshme. Eksperienca ime disavjeçare në këtë profesion më ka treguar se ka plot çifte tregon të cilët që në ditët e para të martesës nuk e kanë kryer dot aktin seksual, duke shkuar deri tre, gjashtë, një vit, 6 vjet deri edhe në 12-15 vjet.
Kjo gjë ka ndodhur vetëm sepse çifti e ka parë të vështirë të hapet për problemin e tij apo t’i drejtohet mjekut që të kërkojë ndihmë. Kjo gjë më duket absurde, sepse nuk është turp të kujdesesh për shëndetin tënd, aq më tepër për atë seksual, i cili ka një rëndësi shumë të madhe. Impotenca seksuale, në bazë të shkakut, është tashmë pothuajse 100 % e sigurtë që shërohet. Do t’ju kisha thënë juve, si një nënë e shqetësuar për marrëdhëniet e çiftit, të kontaktoni sa më shpejt të jetë e mundur me mua dhe unë ju siguroj që në këtë moment se djali juaj do ta kalojë me sukses këtë problem.