Prindërit tanë nuk ishin dakord me martesën tonë. Ata, kur unë para 10 vjetësh u tregova se me kë kisha rënë në dashuri, u mërzitën shumë dhe filluan të më kundërshtonin. Nuk e merrnin dot me mend se si një vajzë si puna ime, me gjithë të mirat, ta shkonte jetën dëm me atë djalë që i kishte dalë nami për çdo gjë. Unë e doja aq shumë. Ai ishte një moshë me mua dhe shumë i pashëm e mund të them me plot gojën se ishte shumë i bukur.
Prindërit nuk ishin dakord dhe asgjë në botë nuk ua ndryshonte mendjen, kështu që ne vendosëm të martoheshim vetë dhe të shpërnguleshim në një vend tjetër.
Ai me donte edhe unë e doja, por unë nuk e kuptoj dashurinë duke ndenjur gjithmonë afër njëri-tjetrit. Unë dua të kem hapësirat e mia dhe të takohem e të rri me shumë njerëz, me shoqe, me miq të mirë. Pra, nuk mund të rri e lidhur pas një njeriu, qoftë ai edhe njeriu që dashurova dhe për të cilin mohova familjen time. Meqenëse unë isha shumë indeferente, sidomos pas lindjes së vajzës, marrëdhëniet tona ndryshuan shumë. Ai dilte për punë dhe vonohej e nganjëherë nuk vinte as në darkë. Unë kisha një gjë të veçantë, se shkoja shumë mirë me të gjithë njerëzit, prandaj gjeja kudo miqësi dhe e kaloja kohën duke u kënaqur me to. Ai filloi të shkëputej shumë nga unë. Dashuria ime për të nuk kishte ndryshuar dhe nuk do të ndryshonte as me ato që merrrja vesh për të, kështu që edhe unë nuk mund të rrija më duarkryq. Fillova një punë dhe kështu rregullova edhe gjendjen ekonomike që kishte pësuar një rënie, sepse ai harxhonte shumë me femrat e tjera dhe pak i takonte të sillte në shtëpi. Tanimë, kohën më të madhe e kaloja në punë dhe si i thonë asaj fjalës, lekë kisha, isha mirë e nga kënaqësia e tepërt, pas tre muajsh punë, isha prapë shtatzënë. Meqenëse isha në punë private, pronarja sa e mori vesh se isha shtazënë, më hoqi nga puna me pretekstin se puna ishte e vështirë dhe kishte frikë se mos më ndodhte gjë e pastaj do të ndihej fajtore. Në të vërtetë, ajo kishte hall që të mos paguante sigurimet dhe kështu mund të më zëvendësonte shumë mirë me një vajzë të re së cilës nuk kishte nevojë t`i paguante sigurime. Kështu, unë u bëra nënë për herë të dytë.
Ai vazhdonte aventurat e tij të pakrahasueshme prej një adoleshenti. Unë sigurisht që vuaja, por edhe isha e fortë dhe nuk e jepja veten. Kisha shumë shpresa. Më mjaftonte vetëm dashuria e tij, kur ai kishte kohë për mua. Pjesën tjetër të ditës e mbushja me shoqërinë e fëmijëve të mi dhe përkujdesjen ndaj tyre. Kisha dy shoqe shumë të mira dhe rrija kryesisht me to.
Pasi kaloi njëfarë kohe dhe fëmijët më ishin rritur, unë vazhdova punën. Ndjehesha mjaft mirë në punë, por ishte më e vështirë se kur isha me një fëmijë. Tanimë prindërve të mi u kishte rënë inati, kështu që ata vendosën të më ndihmonin, duke e lënë motrën time tek unë që të më mbante fëmijët. Ajo ishte më e vogël se unë. Ishte një vajzë e bukur me plot kuptimin e fjalës. Më ndihmoi shumë sidomos me punët e shtëpisë (të cilat unë nuk ia kisha shumë qejfin se nuk isha një femër që më shkëlqente shtëpia), kështu që të gjithë, edhe unë, edhe fëmijët, ishim mirë. Fëmijët e donin dhe meqenëse unë punoja edhe pas orarit të punës, ata u afruan më shumë me të sesa me mua. Mirëpo përveç kësaj, ndodhi dhe një çudi tjetër. Burri im filloi të vinte më shumë në shtëpi. “Kur të vijnë të mirat, hapju derën”, mendova, por nuk e dija se për mua gjithçka kishte marrë të tatëpjetën.
Meqenëse isha mësuese, në verë mora pushimet, megjithëse në shkolla private gjithçka është ndryshe dhe pak e shijon pushimin. Isha shumë e kënaqur që do të rrija me fëmijët dhe me burrin, i cili tanimë ishte bërë një burrë i rregullt, tamam familjar.
Çdo gjë ishte për mrekulli. Jeta rifilloi, madje më fuqishëm dhe më bukur. Tanimë motra mund të kthehej te prindërit dhe unë të jetoja me familjen time, por kur e biseduam, ajo nuk u duk shumë e kënaqur. Kur fola me burrin, ai më tha se “po pati qejf të rrijë, le të rrijë”…
– E ç’do të bëjë ajo në fshat? Le të rrijë këtu mund të vijë edhe në plazh me ne. Ajo na mban fëmijët e ne kënaqemi bashkë. – më tha ai dhe ktheu sytë përsëri nga televizori e nuk foli më, por mua m`u duk se nuk e kishte mendjen te filmi, sikur me trup ishte aty e jo me mend.
– Mirë – i thashë – por, ndoshta kanë nevojë edhe prindërit për të në shtëpi, e pastaj mos ka ndonjë shok atje e ne ia prishëm lidhjen duke e sjellë këtu.
Në atë moment, ai ngriu, ashtu siç ishte me telekomandë në dorë.
– Si the? – më tha – Nuk të vjen turp që flet ashtu për motrën tënde? Ajo nuk mund të ketë të dashur, ajo është një vajzë e mrekullueshme, ti je e pacipë, vetëm për keq të shkon mendja gjithmonë. – Ai u nxeh aq shumë sa edhe pulti i televizorit i ra nga dora.
– Po ajo është motra ime, s`ka si të jetë ndryshe. Pastaj, kjo gjë është e natyrshme. Çdo vajzë në moshën e saj do të kishte të dashur, ç’ka këtu për t`u nxehur? Nuk po të kuptoj, ç’ke kështu ti? Mirë ishe.
Ai u ngrit në këmbë dhe filloi të vishte këpucët.
– Ku po shkon? – e pyeta.
– Do dal. Apo nuk lejohet? Më ke mbyllur brenda si të isha në hasmëri.
– Unë? Po kur të kam thënë që të rrije brenda? Unë s`kam dashur ndonjëherë që të të mbyllesh kështu.
– Ehu, ty do të të dëgjoj? Ti këtë avaz ke gjithmonë.
E kujt i thoshte, mua që nuk më kishin bërë përshtypje asnjë nga gjërat që kishte bërë ai. Unë asnjëherë nuk zihesha me të. Megjithatë, unë nuk u mërzita aspak. “Le të dalë, mendova, të thërras shoqet e të bëjmë pak muhabet”. Ne ishim shoqe dhe ia tregonim të gjitha njëra-tjetrës. Kur unë ua tregova atyre, ato më panë me habi e më pyetën se çfarë po mendoja. Unë u thashë se bëri mirë që u nxeh dhe na la neve ta pinim kafen rehat. Ato nuk folën.
Ditën tjetër, u nisëm për plazh. Ishte një ditë e bukur dhe atij i kishin rënë nervat. Ishim të gjithë të kënaqur. Fëmijët loznin, por po ta vije re me një shikim normal dhe jo me shikimin tim të turbullt, dukej se fëmijët pak më afroheshin mua. Ata, për çdo gjë, pyesnin motrën dhe ajo i thoshte burrit tim e kështu vazhdonte. Unë isha sa për të hyrë në bisedë rastësisht. Eh po, kjo bela! Prapë se prapë unë mendova se kështu isha më e lirë të lexoja, që ishte edhe pasioni im. Ia kaluam mirë të gjithë.
Kur u kthyem në shtëpi, të gjithë ishim të lodhur dhe ishim në një mendje se nuk është fort e rehatshme të bësh plazh me ditë, kështu që do të merrnim një dhomë për 10 ditë. U rregullua gjithçka dhe u nisëm. Ishte një dhomë e vogël dhe e rehatshme, vetëm se duhet të flinim pak ngushtë. Ditët kalonin dhe unë ndjehesha rehat e pushimet i kalova si beqare pa preukopime. Ata të dy merreshin me fëmijët e punët e shtëpisë e unë, si princeshë, vetëm lexoja e të merrja rreze dielli. Ah, këtij i thonë plazh e pushime të mrekullueshme!
U kthyem e ndjeheshim të gjithë mjaft mirë, por motra ishte pak e zbehtë dhe atëherE e kuptova se ajo lodhej shumë me fëmijët e duke më bërë mua të gjitha punët, kështu që i thashë:
– Po të detyroj të kthehesh te prindërit, madje nuk do të vish as në shtator sepse do t`i çoj fëmijët në kopësht. Je mjaft e re të harxhosh jetën me familjen time.
– Jo! – tha ajo me një ton që unë nuk e kisha dëgjuar ndonjëherë nga goja e saj. –Nuk dua të kthehem në shtëpi!
– Po ti je e lodhur e duhet të pushosh. Këtu fëmijët janë mësuar me ty e nuk të lënë rehat, vetëm te prindërit do të jesh më mirë.
– Jo, atje nuk shkoj sikur ç`të bëhet.
– Po pse? Çfarë ke? A mund të të ndihmoj? E di ç’ke, do të shkojmë të gjithë bashkë, do marrim fëmijët e do nisemi. Kështu, ti do çlodhesh, do takohesh me prindërit, do ta marrësh veten nga ajri i pastër. Do të jesh shumë mirë.
– Unë nuk mund të bëhem më mirë.
– Po pse?
– Unë jam shtatzënë dhe këtë lodhje e kam vetëm nga shtatzania e jo nga fëmijët. Ata tashmë janë të rritur.
U trondita. Për një çast, nuk munda të hapja gojë.
– Po kush është ai moj motërz? – këto fjalë më dolën vetvetiu.
– Unë jam! – dëgjova një zë nga pas shpinës sime.
Nuk mund të kthehesha. Nuk mund ta përballoja të shihja fytyrën e zërit që më foli. Ishte zëri i njeriut që prindërit më kishin thënë se nuk është njeriu i duhur për mua, ishte zëri që më kishte bërë të lumtur dhe shumë herë edhe fatkeqe nga aventurat e tij, ishte ai zë që më kishte mbajtur për shumë kohë afër tij pa më merituar. Ishte burri im.
Nuk e di se çfarë më ndodhi pastaj, di vetëm se kur u përmenda ata të dy më rrinin sipër dhe ishin të tmerruar. Dy njerëzit e mi më të afërt më kishin mashtruar gjithë këtë kohë e nuk kisha kuptuar asgjë, as nuk kisha patur dyshimin më të vogël. U përmenda, por do të ishte më mirë të mos isha përmendur kurrë. Nuk e di si do ta përballoja një gjë të tillë. Duhej të bëja diçka e nuk mund të bëja asgjë. Ky ishte fundi për mua.
Ndenja dy ditë pa folur me njeri dhe pa u ngritur nga krevati. Fëmijët nuk e ndjenin mungesën time, sepse ishin mësuar me ata të dy e pa mua. Ata dukeshin një familje pa mua.
Më në fund, e mora veten dhe u ngrita. Hapa telefonin, të cilin kisha dy ditë që e kisha fikur dhe ftova shoqet të pinim një kafe, por jo në shtëpi. Kisha nevojë të dilja nga ajo skëterrë. U takova me to. Ato më pyetën se pse isha shndërruar ashtu, isha tretur e isha shkrirë. Ua tregova gjëmën, por ato nuk u habitën aspak.
– Ne e dinim. Edhe ti duhet ta dije.
– Po pse nuk më thatë gjë?
Ato heshtën. Me të vërtetë duhej të ma kishte marrë mendja. Nuk e dija se si do të shkonte kjo punë. Në të vërtetë, motra kishte bërë atë që unë nuk e bëra me të. E kishte kthyer në një njeri që çdokush do ta quante burri i përsosur, gjë që unë nuk e bëra dot.
Ditët kaluan dhe unë asnjëherë nuk i pashë as duke u puthur (sa rëndë më vjen vetëm kur e mendoj këtë gjë). Unë nuk flisja me asnjërin, as nuk i kisha pyetur, si e pse. Asgjë më nuk kishte rëndësi. Ajo që kishte ndodhur nuk mund të kthehej pas. Kalova në një depresion të madh, derisa një ditë duke lexuar një libër, më erdhi një gjë në mend. Do të ikja. Mora të dy fëmijët dhe mendova të ndërroja qytet, por më mirë të ndërroja shtet. Do të ishte e vështirë ta rifilloja jetën, por nuk kisha zgjidhje tjetër. Më ndihmoi një shoqja ime dhe u nisa për Itali. Atje arrita në shtator. Kur të gjitha mësueset vazhdonin vitin e ri shkollor, unë isha duke kërkuar punë si pastruese. Një e njohura ime më gjeti punë te një restorant si pjatalarëse. Ishte një punë e lodhshme dhe fitohej pak. Me të ardhurat e fituara mund të paguaja qeranë dhe të bënim një jetë të thjeshtë. Tani më duhej edhe të fitoja dashurinë mëmësore të cilën fëmijët nuk e kishin për mua. Kështu, kohë pas kohe e me mijëra mundime e vujtje nga më të rëndat, unë e ndërtova jetën përsëri. Nuk kisha asnjë kontakt me ata të dy. Shkatërrimtarët e jetës sime! Nuk më interesonte se ç`bënin, nuk doja as emrat t’ua dëgjoja. Ata më kishin shkatërruar. Tani ndjehesha më pak e sigurtë për të filluar një lidhje të re. Po jetoj me shpresë se jeta ka ruajtur diçka për mua dhe së shpejti do të ma dhurojë. Sipas asaj që më ndodhi mua, them se është e vërtetë shprehja: “Kush nuk dëgjon nënën, del në rrugë e thyen këmbën”.
Blerta