Nganjëherë edhe doktorët më të mirë gabojnë në diagnozën e një sëmundjeje. Llogaritet se 40% e gabimeve që ata bëjnë në punë, i përkasin ngatërrimit të diagnozës. Kjo ndodh sepse shumë sëmundje kanë simptoma të ngjashme dhe mund të zbulohen vetëm me analiza, të cilat doktori yt mund t’i gjykojë të panevojshme nëse është i bindur në verdiktin e tij. Megjithatë, nëse ti di diçka në lidhje me to, mund t’i bësh pyetjet e duhura për të riparuar një gabim që ka lidhje me shëndetin dhe vetë jetën tënde…
1. SIMPTOMAT E TUA: Mpirje në njërën anë të trupit, dhimbje koke, marrje mendsh, shikim i mjegullt (papritur), mungesë drejtpeshimi ose koordinimi të muskujve dhe marrje goje.
Doktori yt thotë se është: Migrenë ose çrregullime të veshit të brendshëm.
Mund të jetë: Goditje në tru
Pse ndodh ky ngatërrim? Studimet janë treguar se 14% e goditjeve në tru që ndodhin te njerëzit nën 45 vjeç, ngatërrohen. Kur pacientët janë të rinj dhe në përgjithësi, të shëndetshëm, mjekët mund të mendojnë në fillim për probleme më të lehta, por, nëse ikën nga urgjenca me një goditje të padiagnostikuar, mund të vuash edhe një tjetër më pas. Gjithashtu, mund të humbasësh rastin të riparosh shikimin e turbullt ose marrjen e gojës, paralizën ose dëmtimin e trurit.
Rezultati: Nëse të është mpirë njëra anë e trupit ose ke ndonjë kombinim të simptomave të mëposhtme, shko në urgjencë, veçanërisht nëse simptomat zgjasin më shumë se një orë.
2. SIMPTOMAT E TUA: Dhimbje koke, zhurmë ose dhimbje veshësh, si dhe dhimbje shpine, qafe dhe/ose dhëmbësh
Doktori yt thotë se është: Migrenë ose çrregullime të veshit.
Mund të jetë: Sindromi i kyçit temporo-mandibulare (KTM) (që lidh nofullën e poshtme me kafkën).
Pse ndodh ky ngatërrim? Kur kyçi që lidh nofullën me kafkën enjtet, dhimbja përhapet dhe shkakton dhimbje koke e probleme me veshin. Sindromi i KTM trajtohet më mirë nga një dentist, por simptomat mund të të çojnë te një doktor patolog, që mund të të diagnostikojë me diçka tjetër. Kështu do të vazhdosh të kesh dhimbje që mund të evitoheshin lehtë.
Rezultati: Nëse doktori yt të diagnostikon pa bërë asnjë analizë ose të jep ilaçe që nuk të bëjnë efekt, shko te dentisti.
3. SIMPTOMAT E TUA: Lodhje ose probleme në frymëmarrje, plus dhimbje gjoksi e shtrëngime dhe/ose rrahje.
Doktori yt thotë se është: Stres ose krizë paniku
Mund të jetë: Probleme me zemrën ose infarkt.
Pse ndodh ky ngatërrim? Infarktet janë më të buta te gratë, sesa te burrat. Lodhja ose marrja e frymës mund të jenë shenja e vetme e problemit. Në fakt, gati gjysma e grave viktima të infarkteve, në fillim keqdiagnostikohen dhe sëmundjet e zemrës mbeten në majë të klasifikimit të shkaktarëve të vdekjeve te gratë në botë.
Rezultati: Nëse doktori të këshillon një kurë që nuk funksionon, shko menjëherë te një kardiolog.
4. SIMPTOMAT E TUA: Trishtim, lodhje, shtim në peshë, pagjumësi dhe/ose dhimbje apo mpirje të muskujve.
Doktori yt thotë se është: Depresion.
Mund të jetë: Hipotiroidizëm.
Pse ndodh ky ngatërrim? Doktorët kanë tendencë ta lidhin trishtimin e vazhdueshëm me depresionin dhe mund të mos mendojnë të bëjnë analizat për hipotiroidizëm, një sëmundje kur tiroidja nuk prodhon hormone aq sa duhet. Nëse e lë hipotiroidizmin pa trajtuar, ai mund të shkaktojë rritje të nivelit të kolesterolit, presion të lartë gjaku, sëmundje zemre dhe, për ironi të fatit, edhe depresion klinik.
Rezultati: Nëse ilaçet që të ka dhënë mjeku nuk e përmirësojnë gjendjen tënde shpirtërore, kërko të të bëjnë një analizë të TSH, bile më mirë, kërko të të bëhet testi që gjatë vizitës së parë.