Doktoreshë Anjeza, jam 23 vjeç, në moshën 7 vjeçare kam pësuar një incident në hundë i cili ka shkaktuar rënien e saj. Në spital më qepën dhe tani nga jashtë kam vetëm një shenjë të vogël në pjesën e kurrizit të hundës. Deri në moshën 15 vjeç nuk pata probleme, pastaj pata bllokim të hundës dhe nuk ndjeja asnjë lloj arome. U vizitova dhe më thanë që kam mish të huaj në hundë dhe jam operuar 3 herë deri tani, por më përsëritet dhe rritet vazhdimisht. Deri në një vit pas operimeve, i ndjeja aromat dhe nuk e kisha ndjesinë e bllokimit. Pas operacioneve kam marrë shumë lloje mjekimesh për 5 vjet me rradhë. Dhe, më duket sikur këto mjekime janë bërë shkak edhe për mbipeshën time. Operacionin e fundit e kam bërë para 3 vjetësh. Mishi në hundë vazhdon të më rritet përsëri.
Ju lutem më këshilloni ndonjë zgjidhje përfundimtare për këtë problem.
Ju falënderoj pë përgjigjen.
Anjeza Kuçi, otorinolaringologe, Poliklinika Qendrore, tel 0674090843:- Ju keni në hundën tuaj dy probleme, i pari është deviacioni apo shtrembërimi traumatik që ka ardhur nga thyerja e kockës së hundës që mund të ketë nevojë për ndërhyrje kirurgjikale për të rregulluar mbi të gjitha funksionin e saj dhe pastaj formën. Por kjo patologji nuk ka lidhje me mishin e huaj në hundë dhe sinusitin kronik që ka pacientja.Pra, është një sinusit kronik i shoqëruar me polipozë nazale, që shoqërohet edhe me uljen e nuhatjes. Me sa spjegohet pacientja ka kryer 3 herë polipotomi apo heqje të mishit të huaj nga hunda në mënyrë konservatore e cila bën që patologjia të përsëritet maximumi pas 6 muajsh dhe shoqërohet nga goja me terapi me kortizonike që kanë efekt anësor shtimin në peshë. Duhet që pacientja të bëjë një Ct scan pra një skaner të sinuseve paranasale për të parë nëse mishi i huaj është vetëm ne hundë apo është shtrirë edhe në sinuse dhe nëse po të kryeje një ndërhyrje tjetër që është: kirurgjia endoscopike e sinuseve apo functional endoscopic sinus surgery FESS që bëhet me futjen e sondave dhe fibrave optike deri në sinuse pa çarje dhe mund të kryejë njëkohësisht edhe septoplastikën për rregullimin e funksionit të hundës. Kjo procedurë bën që mishi i huaj të rishfaqet pas mesatarisht 6 -8 vitesh pasi pastron mirë sinuset ku është origjina e mishit të huaj.