S’ma ktheu borxhin
– Çfarë do të thotë të shohësh sikur të kanë borxh lekët dhe nuk t’i japin? Një shoqja ime më kishte kërkuar lekët borxh dhe unë ia dhashë (s’e mbaj mend shifrën). Më pas shkova ia kërkova sepse më kishte thënë “për kaq pak kohë, do të t’i kthej” dhe ajo, në vend që të m’i jepte, më përbuzte, duke më thënë “s’kam lekë për ty”. U mërzita shumë në ëndërr. Ju lutem, më thoni, çfarë kuptimi ka?
– Një ëndërr e tillë tregon që keni ose do të keni disa çrregullime dhe përplasje personale. Mund t’i keni në jetën në çift ose me një person tjetër, por që e keni për zemër, mund të jetë edhe ndonjë familjar. Fakti që shoqja juaj nuk jua ka kthyer lekët, por ju ka përbuzur, do të thotë që ju jepni më shumë seç duhet ose më saktë, jepni aty ku nuk është nevoja të jepni. Të japësh, do të thotë edhe nga ana shpirtërore, psikologjike, koha e lirë, puna etj. Pra, në përgjithësi, ju jeni gati të jepni për të tjerët, por të tjerët s’kanë të njëjtin vlerësim për ju. Ju prisni të vlerësoheni sepse e ndjeni shumë nevojën, por kjo gjë s’po ndodh fare, kohët e fundit. Atëhere, do të thotë që ka ardhur koha të ndryshoni taktikë, të ndryshoni sjellje ndaj atyre personave që e ndjeni se nuk kanë të njëjtin vlerësim për ju, siç keni ju. Në momentin që do të tregoheni më egoiste dhe indiferente, do të shikoni një ndryshim sjelljeje nga ana e tyre. Sido që të jetë, do t’ju vijnë mbrapa.
E fsheha të dashurin
– Para dy netësh, pashë në ëndërr sikur më erdhi i dashuri te shtëpia ime dhe mundohesha ta fshihja, që të mos e shihnin vëllezërit e mi sepse e dija që ata janë fanatikë. Ai po mundohej, por e kishte të vështirë të fshihej. Unë i thashë: “Futu te dollapi se aty nuk kërkojnë, ngaqë e dinë se kam gjërat e mia”. Më tha: “Po futem te rafti i librave” dhe sikur u struk aty. Çfarë kuptimi ka kjo ëndërr, ju lutem?
– Fshehja e të dashurit, tregon që ju e mbani sekret lidhjen që keni me këtë djalë. Mundoheni me të gjitha mënyrat që ata të shtëpisë suaj të mos e marrin vesh, sepse si duket, janë me të vjetrën dhe nuk durojnë dot që vajza e tyre të ketë një të dashur. Ama, ëndrra, sipas përmbajtjes që keni përshkruar, tregon që nuk do të mund ta mbani fshehur për shumë kohë sepse do të keni një përballje me njerëzit e shtëpisë. Diçka do të merret vesh, ju do mundoheni sërish të fshiheni, por këtë herë, do ta keni të pamundur. Në fakt, më mirë është t’u thoni të vërtetën, sesa të rrini me frikë sepse nga ëndrra, kuptojmë që ju e jetoni me shumë frikë këtë lidhje.
Ajër i nxehtë
– Kam parë një ëndërr që më ka shqetësuar shumë, sikur isha jashtë shtëpisë dhe po shkoja te një shoqe e imja. Rrugës kisha shumë vështirësi në të ecur. Ajri ishte shumë i rëndë e shumë i nxehtë, mezi mbushesha me frymë dhe gati sa s’po më binte të fikët. Ia bëra me dorë një shoqes sime që të vinte të më ndihmonte, por ajo u largua. Ashtu, e sikletosur, u zgjova nga gjumi. Pres një shpjegim.
– Një ëndërr e tillë tregon që ka mundësi të kaloni një periudhë jo të mirë shëndetësore, kështu që duhet të keni shumë kujdes. Ajri i nxehtë që keni thithur, parashikon që në ditët në vazhdim do të influencoheni nga një person jo i mirë dhe që mundohet t’ju nënshtrojë me të gjitha mënyrat. Ndoshta kjo gjë do t’ju bëjë të ligështoheni dhe të keni pak probleme shëndetësore, prandaj duhet të keni kujdes. Sido që të vijnë punët, ruani qetësinë dhe mbështetuni vetëm te forcat tuaja. Për momentin, nuk keni pse të kërkoni ndihmën e askujt, sepse mund t’ju ndodhë e kundërta: Në vend që t’ju ndihmojnë, ju japin këshillën e gabuar. Gjithë të mirat!
Vajza po hante akullore
– Çfarë do të thotë kur shikon fëmijën tënd duke ngrënë akullore? Unë i thoja: “Mos e ha se do të ftohesh”, por vajza e hante akulloren dhe qeshte, duke më thënë: “Mos u shqetëso mami, mua po më shijon dhe ndihem më mirë”. Çfarë parashikon, se kam frikë se mos më sëmuret goca?
– Së pari, tregon shqetësimin e madh që keni për këtë vajzë dhe që e kontrolloni më shumë seç duhet. Duhet ta qetësoni veten sepse edhe ky kontroll i tepërt do t’ju bëjë me fiksime dhe mund ta lëndoni padashje fëmijën tuaj. Akullorja në duart e vajzës tregon njëfarë suksesi, pra, është një shenjë e mirë, aq më tepër që ju ka buzëqeshur dhe ju ka thënë që ndihet shumë mirë. Do të thotë që është në rrugë të mbarë dhe, përgjithësisht, është vajzë me fat.