Artriti reumatoid është një sëmundje inflamatore kronike. Ai bën pjesë ndër sëmundjet autoimunitare dhe mund të quhet edhe artrit inflamator. Më shumë prek gratë, të cilat përbëjnë 75% të pacientëve në botë. Zakonisht fillon nga mosha e mesme, por mund të prekë edhe të rinjë dhe fëmijët. Është e rëndësishme të mësosh simptomat e tij, në mënyrë që të mund të konsultohesh me një reumatolog, për të marrë një diagnozë të saktë dhe më pas për të ndjekur trajtimin e duhur.
Simptomat
Zakonisht, artriti reumatoid zhvillohet gradualisht, por disa pacientë kanë pasur edhe një shfaqje të papritur të simptomave. Këto përfshijnë zakonisht:
a. Dhimbje të kyçeve, fryrje, ngurtësim dhe ndjesi nxehtësie në to.
b. Tension dhe ngurtësi në mëngjes, që zgjat një ose më shumë orë.
c. Dhimbje në të dyja kyçet, si për shembull, në të dyja gjunjët.
d. Dhimbje edhe në kyçet e vogla, si ato të gishtave të duarve dhe këmbëve.
e. Gunga (nodule) reumatoide nën lëkurë, për shembull në bërryla dhe duar.
f. Rënie në peshë dhe humbje të oreksit.
g. Lodhje dhe rënie të dukshme të energjisë.
h. Tharje të syve dhe gojës.
i. Deformim të kyçeve
j. Vështirësi lëvizjeje në kyçet e prekura.
10 gjëra që duhet të dini për artritin dhe reumatizmin
1. Shkaku i tij është ende i panjohur. Shkaku i saktë i artritit reumatoid është ende i panjohur, por studiuesit po përpiqen të kuptojnë më mirë funksionimin e sistemit imuntar dhe krijimin e proçesit inflamator, për t’i dhënë përgjigje kësaj pyetjeje.
2. Është sëmundje autoimunitare. Artriti reumatoid është sëmundje autoimunitare që shkaktohet nga keqfunksionimi i sistemit imunitar të trupit. Artriti reumatoid vepron sidomos tek kyçet, duke shkaktuar dhimbje dhe vështirësi në lëvizje, por mund të përhapet edhe në organe të tjera. Në këtë rast flitet për patologji sistemike.
3. Faktori reumatoid. Përdoret një analizë gjaku për të zbuluar praninë e faktorit reumatoid në organizmin e pacientëve. Afro 80% e të rriturve që vuan nga artriti reumatoid është pozitiv ndaj faktorit reumatoid, ndërsa 20% rezulton negativ. Për këtë arësye flitet për pacientë sieropozitivë dhe sieronegativë.
4. Analizat që bëhen për ta diagnostikuar. Për të diagnostikuar artritin reumatoid përdoren si analizat e gjakut, ashtu edhe radiografitë, si një kombinim teknikash për të kuptuar praninë e sëmundjes. Pacientët dhe rastet e artritit reumatoid nuk janë të njëjtë. Disa pacientë kanë dhimbje, edhe nëse radiografitë nuk tregojnë dëmtime të rënda në kyçe. Të tjerë kanë dëmtime të mëdha të kyçeve, por jo shumë dhimbje.
5. Dëmtimet e para të kyçeve. Shpesh, dëmtimet e kyçeve shfaqen në dy vjetët e parë së shfaqjes së sëmundjes. Mundësia e një dëmtimi të hershëm lejon të bëhet edhe një diagnostikim i hershëm, gjë që është thelbësore për trajtimin. Mjeku do të dijë si të veprojë në rastet e dëmtimeve të para të kyçeve dhe dëmtimet e parakohshme.
6. Artriti dhe artrozat. Artriti reumatoid është forma më e zakonshme e artritit inflamator, por artrozat janë forma më e zakonshme e artriteve në përgjithësi. Në SHBA, artriti reumatoid prek 27 milionë njerëz. Ai zakonisht zhvillohet tek njerëzit e moshave 30-50 vjeç, por mund të shfaqet në çfarëdo moshë.
7. Rreziku i vdekjes. Në literaturën mjekësore thuhet se njerëzit me artrit reumatoid mund të jetojnë afro 10-15 vjet më pak se bashkëmoshatarët e tyre të shëndetshëm. Megjithatë, jetëgjatësia varet nga shumë faktorë, si historiku familjar, shëndeti në përgjithësi dhe zgjedhjet e jetës.
8. Rreziku i paaftësisë. Ekziston një rrezik i lartë për paaftësinë e pacientëve të prekur nga artriti reumatoid. Në SHBA artriti dhe sëmundjet e tjera reumatizmale janë shkaku kryesor i paaftësive. Artriti reumatoid mund t’u shkaktojë kufizime në punë pacientëve për shkak të dhimbjeve.
9. Gratë dhe burrat. Artriti reumatoid prek më shumë gratë. Kjo do të thotë se gjenetika dhe hormonet mund të luajnë një rol jo të vogël në shkaqet e artritit reumatoid. Ka tipe artriti që janë më të përhapur tek burrat, si përdhesi dhe spondiliartroiza, ndërsa të tjera, si artriti reumatoid, që prek më shumë gratë.
10. Cilësia e jetës. Megjithë kufizimet fizike, pacientët e prekur nga artriti reumatoid mund të kenë një cilësi të mirë të jetës. Megjithatë, në rastet më të rënda, ato e pengojnë pacientin të zhvillojë një jetë normale dhe të ndjehet keq. Sipas ekspertëve, është e rëndësishme të kesh një qëndrim pozitiv për të reaguar dhe për të gjetur zgjidhjet e mundshme.