Dark Mode Light Mode

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Follow Us
Follow Us

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use

Vdekjen e saj s’e kaloi askush


Ajo ishte vajza e dytë, por fëmija i fundit në atë familje. Kam dëgjuar në fshat se prindërit nuk e kishin dashur. Ishte një fëmijë i ardhur aksidentalisht në këtë botë. Fati i saj kishte qenë që në fillim fatkeqësi, për dy arsye. Ajo kishte lindur në fshat, apo më saktë, në një fshat që ishte shumë pranë metropolit, por ku mentaliteti ishte i njëjtë me ato të zonave të thella të Veriut, në të cilat risitë e botës moderne shkonin me vështirësi. Gjithashtu, kishte ardhur në këtë botë pa dëshirën e prindërve. Ata ishin mjaftuar me një djalë dhe një vajzë që kishin pasur. Planifikimi i tyre familjar nuk përfshinte një vajzë tjetër. Gjithsesi, nga vendi i saj thuhej se ka qenë e shkruar nga Zoti. Ajo ishte shumë e bukur, e sjellshme dhe e dashur për të gjithë. Të gjithë e respektonin dhe gëzoheshin nga prania e saj.

Fatkeqësia e saj filloi kur u rrit, edhe pse bazat i kishte që në fëmijëri. Bukuria do t’i kushtonte shumë. Jetonte me të ëmën dhe gjyshen, pasi të atin e kishte emigrant në Angli dhe kishte pesë vjet pa e takuar. Gjatë gjithë jetës së saj e kishte takuar vetëm tre herë. Idhulli i saj ishte e motra. Lavdet dhe piedestali në të cilin e kishte ngritur familja, bënte që para syve të vajzës së vogël ajo të ishte ikonë e pastërtisë dhe e bukurisë. I kishin thënë se kur ishte e motra pa fejuar, me dhjetëra njerëz i qëndronin para shtëpisë për ta kërkuar për nuse dhe ajo në çdo fjalë që thoshte, gjithmonë do mburrte motrën, e cila tani ishte e martuar dhe kishte një djalë. Kjo donte e lëvdonte të motrën, ndërkohë që ai i cili kujdesej më shumë për të ishte i vëllai, edhe ai, emigrant. Me nënën që e kish lindur, nuk kishte gjetur një gjuhë të përbashkët. Dinte të falte shumë dashuri, por asaj vetë i mungonte ajo. I kishte të gjithë pjesëtarët e familjes, por ishte njëlloj sikur të mos i kishte. Përveç dashurisë, i mungonte edhe paraja. Ajo po rritej dhe kishte shumë dëshirë të vishej, por në garderobën e saj kishte vetëm katër rroba apo më saktë, një palë rroba dimërore dhe një palë, verore. Ishte shumë e mirë, por forca e realitetit e transformoi. Privimi i gjithçkaje e bënte që të rendte pas gjësë së ndaluar. Nuk i shikonte djemtë, por ishin ata që e ngacmonin. Familja nuk e këshillonte, por vetëm e dënonte dhe i bërtiste.

Advertisement

Dashurinë e privuar të së ëmës ia kishte falur dikush tjetër. Ajo dinte të dëgjonte, të këshillonte dhe dinte si ta shprehte dashurinë. Ajo quhej Majlinda dhe e donte vajzën sikur të ishte e saja. Vajza nuk kishte leje as për eskursione me klasën, as për mbrëmje dhe ditëlindje të shoqeve. Kishte dëgjuar shumë për të atin dhe gjithë fjalët nuk ishin të mira. Ajo vuante gjithçka dhe të tjerëve nuk ua tregonte, edhe pse të tjerët e dinin. Tre djem e donin dhe ishin të gatshëm të bënin gjithçka për ta pasur atë. Të tre ishin djem të sjellshëm, të vegjël në moshë, por kishin shumë zgjuarsi. Nuk po talleshin me të. E donin për grua dhe nuk po kërkonin aventura. Ajo nuk pëlqente asnjërin prej tyre, mirëpo Eri ishte i vetmi nga të tre që nuk hoqi dorë derisa e bëri për vete. Edhe pse ishte në klasë të shtatë, nuk ia hoqi vetes këtë kënaqësi, pasi mjaft i kishte hequr familja. E pranoi djalin, kuptohet, fshehurazi familjes. Tani asaj nuk i interesonte më mendimi i njerëzve të tjerë dhe as mendimi i prindërve.

Ajo kishte një shprehje që ia përsëriste shpesh djalit: “Unë do të vdes shumë shpejt, prandaj më mirë gjej një vajzë tjetër që do të të japë gjithçka që unë kurrë nuk do mund të ta jap”.

Një herë djali ishte mërzitur shumë dhe i ishin mbushur sytë me lot. Ai e dashuronte shumë dhe në një mënyrë të pakuptueshme nga të tjerët. Bënte gjithçka për të, edhe pse ajo s’ia kërkonte. Nuk i thoshte kurrë një fjalë e cila mund ta lëndonte. Ai nuk i bënte asaj asgjë që të tjerët nuk do donte t’ia bënin atij. Kishte shumë komplekse si njeri, edhe pse ishte vetëm 20 vjeç, mirëpo pranë saj, të gjitha komplekset zhdukeshin si me magji e ajo rrinte me të, por kurrë nuk i kishte thënë “të dua”. Filloi klasën e tetë dhe me djalin, gjithçka shkonte më së miri, por ajri mbytës, mentaliteti i ashpër dhe dashuria e pashprehur nga ana e familjes e shtyu të bënte një veprim të cilin kishte kohë që e kishte menduar dhe ishte përpjekur ta realizonte.

Në një ditë ku gjithçka dukej aq e bukur sepse kishte ardhur pranvera, ajo ishte bërë më e bukur se çdo herë tjetër, edhe pse kishte veshur të njëjtat rroba. Një shoqja e saj, Adela, që kurrë s’e lëvdonte në sy, i tha: “Sot qenke bërë shumë e bukur”. Ajo iu përgjigj: “Doja të të dërgoja një sms mbrëmë, se ua dërgova të gjithëve”. Shoqja i ishte përgjigjur se nuk kishte se çfarë e donte sepse do ta kishte gjithmonë pranë e ajo i ishte përgjigjur me shumë siguri se nuk i dihej asnjëherë fatit.

Për momentin, Adela nuk i dha rëndësi kësaj, por shumë shpejt ajo i humbi nga sytë. Adela mbaroi shkollën dhe me vrap shkoi në shtëpinë e saj. Mezi mbushej me frymë. Pyeti nënën e saj, Majlindën nëse e kishte parë të bijën, por jo. Në atë moment, dikush ulëriti nëpër rrugë, duke thënë se ajo kishte vrarë veten. Në rrugën ku ajo kishte pak që kish kaluar, tani gjendej trupi i pajetë i shoqes së saj. Ajo ishte hedhur nga një lartësi, nga një shkëmb mbi të cilin ishte ndërtuar shtëpia e saj. Vaji dhe zia mbuloi gjithë fshatin. Disa e qanin e disa të tjerë bënin thashetheme. E shoqja kërkonte arsyen pse e bëri. Shkoi ora tetë e darkës dhe njerëzit po vajtonin në shtëpinë e saj. Lot nuk i rridhnin, ishte e mpirë nga pamja që iu servir. Ajo, e mpirë nga dhembja, shikonte shoqen te veshur me të bardha, me kokën e lidhur me fasho, që rrinte e palëvizur. Ditën që do bëhej varrimi erdhi djali që e donte. S’i besohej, por vetëm ulërinte dhe godiste veten me grushta. Ndjehej fajtor se kishte dy javë që ishte larguar për në Itali. Qante mbi trupin e saj aq sa i ra të fikët e njerëzit nuk e ngrinin dot. Ai nuk e kaloi dot vdekjen e saj. Edhe sot pasi kane kaluar 10 vjet, është vetëm dhe asnjë femre nuk i flet e aq më pak mendon të ndërtojë të ardhmen pranë një femre tjetër. Vdekja e saj nuk u kalua nga askush, por jetët vazhdonin, edhe pse pa atë. Tani e kuptuan njerëzit se qëllimi i saj në jetë nuk ishte të shtonte vitet e jetës, por t’u shtonte jetë viteve të saj.

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Add a comment Add a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Post

Ndjej zhurmë në kraharor

Next Post

A ka ilaçe për forcimin e mitrës?

Advertisement