Sapo ka sjell një “Kolazh dasme” që e ka quajtur me të njëjtin emër. Silva Gunbardhi në bashkëpunim me perlën e jugut Irini Qirjako vijnë për publikun me këtë kolazh me motive jugu, një bashkëpunim që ishte planifikuar prej kohësh dhe për Silvën është një realizim i një ëndrre që e kishte që në fëmijëri. “Kur isha e vogël e ndiqja nga ekrani . Kur e takova për herë të parë kisha shumë dëshirë të realizoja një projekt me Irinin”:- thotë Silva mes të tjerash në intervistën që realizuam me të. Për më shumë, lexoni dhe do kuptoni sa gjëra ka thënë Silva në këto rreshta…!
Fabjola Kuburi:- Silva vjen me të madhen Irini Qirjakon në “Kolazh dasme”, kishe premtuar se do t’i befasoje fansat me këtë bashkëpunim… Dolën parashikimet?
Silva Gunbardhi:- Bashkëpunimi ishte i menduar prej vitesh. Erdhi koha dhe u realizua. Një dëshirë e madhe për të kënduar me perlën e jugut!
– Si u arrit ky bashkëpunim me Irinin?
– Kur isha e vogël e ndiqja nga ekrani . Kur e takova për herë të parë kisha shumë dëshirë të realizoja një projekt me Irinin. Në atë kohë nuk pata guxim. Prita momentin e duhur.
– Ç’mund të themi për pamjet, vendin e xhirimit, lukun e gjithçka që ka të bëjë me të?
– Xhirimet janë realizuar në Tiranë tek “Sofra e ariut”. Ideja e futjes në klip të pjesëve nga dasmat reale ishte çelësi për ta sjellë sa më real këtë projekt.
– Sa i kushtueshëm ka qenë ai?
– Sot për fat çiftet kanë mundësi të investojnë në dasmat e tyre. Shpesh e themi me njëra-tjetrën , miliona të kishim harxhuar nuk do të mundnim dot ta realizonim kaq bukur dhe kaq të vërtetë këtë klip. I falënderoj gjithë çiftet dhe u uroj jetë të lumtur.
– Janë të kuptueshme xhelozirat e kolegëve?
– Unë flas për veten time, nuk xhelozoj njeri sepse nuk më ndihmon kjo gjë. E shoh xhelozinë si një nga pengesat serioze në realizimin si artist.
– Cila është e mira e sjelljes së kaq shumë klipeve?
– Varet se kush përkufizohet si shumë. Çdo këngë dhe klip ka kohën e vet. Ka raste kur je e frymëzuar dhe del më shpesh, ka raste kur ndodh e kundërta. Gjithësesi, çdo projekt është shpenzim kohe, energjie, financiar pa marr parasysh nëse do ketë ose jo sukses!
– Ke qenë me më shumë fat në punë apo në dashuri?
– Unë jam me fat tek të dyja. Kam punuar dhe puna më është shpërblyer. Kam dashuruar dhe kam ndjerë dashurinë e njerëzve të mi.
– Këngët e kujt i mban mend përmendësh?
– Mbaj mend shumë këngë përmendësh!
– Kaq shumë këngë, kaq shumë hite, Silva… Të ka shkuar ndonjëherë në mend si do të ndiheshe nëse ndonjë nga këngët e tua nuk do të cilësohej hit?
-Ka patur këngë të cilat nuk kan qenë hite por më kanë dhuruar një kënaqësi e vlerësim shpirtëror të jashtëzakonshëm. Varet me çfarë qëllimi nisesh kur e realizon një projekt. Më e forta është se unë asnjëherë nuk nisem për hit!(Buzëqesh)
– Ti ke një gjë që nuk do ta bësh?
– Jam shumë e ndjeshme dhe nuk duhet e nuk dua të jem kaq.
– Çfarë të thotë vetja kur e sheh në klipe në ekran?
– Nuk e shoh veten kur dal. E shoh pa dalë. Kur dal pastaj u takon njerëzve, madje edhe në montazh jam natyrë që nuk bezdis, ia lë në dorë mjeshtrit që ka njohuri dhe syrin më të mirë se unë.
– Çfarë po mendon të sjellësh në vazhdim?
– Janë disa projekte në studio të cilat shumë shpejt do marrin jetë dhe do jenë gati për publikun.
Gjithçka për Silvën…!
– Personi i parë që takova sot…
– Personi i parë që takova sot është mikesha ime!
– Më shpesh harroj…
– Telefonin e harroj shpesh.
– Në një ditë të zakonshme, harxhoj…
– Varet nga dita. Ka ditë që harxhoj kryesisht për djalin , ka ditë që nuk harxhoj.
– Djalit i bleva së fundmi…
– Një kostum sportiv.
– Dafit i dhurova një…
– Dafit i dhurova një palë syze.
– Më ka mbetur peng…
– Më kanë mbetur peng një palë pushime të mira.
– Hera e fundit që kam sharë e gjuajtur dikë…
– Më përpara shaja në makinë por tani prej djalit jam bërë vetëm “të lutem” dhe “faleminderit”.(Buzëqesh) Nuk kam gjuajtur askënd asnjëherë!
– Personi i fundit të cilit i kam dhënë numrin e celularit…
– S’e mbaj mend se ka kohë që jap vetëm numrin e burrit.
– Numri i fundit që kam fshirë nga celulari…
– Nuk fshi numra nga telefoni!
– Çmenduria e fundit që kam bërë për dashurinë…
– Nuk bëj çmendurira por dashuroj çdo ditë bashkëshortin tim.
– Mikja/miku im më i mirë…
– Mikja ime më e mirë është Dita.
– Shenja e veçantë që kam…
– Nuk kam ndonjë shenjë.
– Tani po mendoj…
-Tani po mendoj dhe sa pyetje do më bësh vallë?! (Qesh)
– Shprehja që përdor më shpesh…
– “Ok” është shprehja që përdor më shpesh.
– Nuk do t’i bëja kurrë…
– Nuk do ti bëja kurrë keq njeriu.
– Bisedën më të ngrohtë e kam bërë…
– Me burrin tim.
– Gjëra që bëj më me kënaqësi janë…
– Të rri me Dalvin është gjëja që bëj me kënaqësi!
– Ajo që do të doja të ndryshoja tani është…
– Nuk do doja të ndryshoja asgjë!
– Më e pavërteta që kam dëgjuar për veten ka qenë…
– Kam dëgjuar shumë të pavërteta, por s’ka problem se fjalët i merr era!