Dark Mode Light Mode

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Follow Us
Follow Us

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Më ofendon. Ta lë?
Shtatë pyetje që shkenca nuk u ka dhënë ende përgjigje
E njoha tim atë ditën kur u martova

Shtatë pyetje që shkenca nuk u ka dhënë ende përgjigje


Laboratori i lëvizjeve reaktive të NASA-s dhe Laboratori Kombëtar i Los Alamosit në SHBA, përpiluan listën e fenomeneve astronomike të Sistemit tonë Diellor, të cilat nuk kanë marrë ende shpjegimin e duhur nga shkenca. Këto janë:

1. Kush “i shtyn” sondat kozmike kur nisen për në Kozmos?

Advertisement

Në vitin 1989, aparati vrojtues “Galileo” u drejtua për të kryer një udhëtim të largët në Jupiter. Për t’i dhënë atij shpejtësinë e duhur, shkencëtarët shfrytëzuan të ashtuquajturën “manovër gravitacioni”. Sonda iu afrua Tokës dy herë me radhë, në mënyrë të atillë që forca e gravitacionit të këtij planeti “ta shtynte” atë duke i dhënë një shpejtësi suplementare, mirëpo pas manovrave, sonda “Galileo” mori një shpejtësi më të madhe nga çka ishte llogaritur. Kjo metodë ishte verifikuar edhe herë të tjera aparatet merrnin shpejtësi normale, në përputhje me llogaritjet e bëra. Ç’po ndodhte vallë? Pas kësaj, shkencëtarët nisën për në hapësirat e largëta kozmike edhe tri stacione të tjera vrojtuese; sondën Near për në asteroidin Eros, Rozeta u nis për të studiuar kometën Curjumov-Gerasimenko dhe Kasini shkoi drejt Saturnit. Të gjitha ato e kryen “manovrën e gravitacionit” njësoj dhe që të treja patën një shpejtësi më të madhe se e llogaritura. Përse vallë? Përsëri pyetjes nuk iu dha dot asnjë përgjigje. Megjithatë, për çudi të shkencëtarëve, të gjitha aparatet që u nisën për në planetet e tjera pas Kasinos, nuk morën shpejtësi suplementare gjatë manovrave të gravitacionit. Si shpjegohet pra, që në periudhën 1989 (Galileo)-1997 (Kasino), gjatë “manovrave të gravitacionit”, sondat që niseshin për në thellësi të Kozmosit, morën këtë shtytje suplementare? Shkencëtarët, deri tani, nuk dinë ta shpjegojnë këtë fenomen, madje në qarqet ufologjike ka lindur mendimi se shkencës sonë tokësore i duhet të përvetësojë një forcë të lartë arsyetuese për të kuptuar këtë fenomen dhe për ta njohur më mirë Sistemin tonë Diellor. Tani, një fenomen i tillë nuk është vënë re, por shkencëtarët nuk janë të sigurtë nëse ai do të përsëritet apo jo.

2. Pse Toka largohet nga Dielli?

Shkencëtarët kanë kohë që dinë të matin me saktësi distancën Diell-Tokë dhe anasjelltas. Ajo tani është 149 597 870 kilometra. Më parë mendohej se kjo është një distancë konstante, mirëpo në vitin 2004, astronomët vunë re se Toka largohet nga Dielli afërsisht 15 centimetra në vit. Përse vallë largohet Toka nga Dielli që i jep jetë? Ku do të vejë ajo? Sigurisht, nëse largimi do të vazhdojë me këto ritme, kjo nuk paraqet ndonjë rrezik për jetën në Tokë sepse do të duhen edhe qindra e qindra miliona vjet pa të ndihet, por kush na garanton që ritmet e largimit nuk do të rriten? Por, mund të ndodhë edhe e kundërta: Përderisa largohet, Toka edhe mund të afrohet, apo jo? Tani asnjë nuk do të thotë se ç’ndodh dhe ç’mund të ndodhë në të ardhmen.

3. Kush nuk i lejon “Pionierët” të dalin jashtë kufijve?

Sondat amerikane “Pionier 10” dhe “Pionier 11” u lëshuan përkatësisht në vitet 1972 e 1883 dhe tani ato duhet të fluturonin në hapësirat kozmike tej Sistemit tonë Diellor, mirëpo për arsye të paditura, si e para, ashtu edhe e dyta, në një moment të caktuar ndryshuan trajektore, të thuash se një fuqi e padukshme nuk do t’i lërë ato të kapërcejnë kufijtë e Sistemit tonë Diellor. «Pionier 10» devijoi në 400 mijë kilomentra nga trajektorja e paracaktuar, ndërsa “Pionier 11” ndjek me besnikëri trajektoren e vëllait të madh… Pse? Ka shumë versione: Ndikimi i “erës diellore”, rrjedhja e karburantit nga ndonjë vrimë e rastësishme, gabim i programimit… Të gjitha nuk ta mbushin mendjen sepse anijet kozmike janë nisur në një interval prej 11 vjetësh dhe sillen absolutisht njëlloj. Mos vallë ndikon “materiali i zi” apo ka ndonjë forcë tërheqëse që shkenca ende nuk e ka njohur?

4. Ç’fshihet në periferi të Sistemit tonë Diellor?

Larg, shumë larg, pas “xhuxhit” Pluton, ndodhet asteroidi Sedna, një nga më të mëdhenjtë e Sistemit tonë Diellor. Ai quhet edhe një nga trupat qiellorë më të kuq të këtij sistemi, madje është më i kuq edhe se Marsi. Përse? S’dihet. Mirëpo kjo nuk është e vetmja enigmë e tij. Rrotullimin e tij të plotë rreth Diellit, Sedna e bën një herë në 10 mijë vjet dhe ka një orbitë shumë stërgjatëshe. Mos vallë ky asteroid ka ardhur në sistemin tonë nga ndonjë sistem tjetër, apo siç mendojnë disa astronomë, e pengon në orbitën e tij ndonjë force tjetër tërheqëse? Në qoftë se është kjo, cili planet? Këtyre pyetjeve, shkenca ende nuk u jep dot përgjigje.

5. Përse eklipset e Diellit janë kaq “ideale”?

Në sistemin tonë, përmasat e Diellit dhe të Hënës, si dhe distancat midis tyre, janë zgjedhur nga natyra në mënyrë perfekte dhe origjinale. Në rast se do të vrojtosh nga planeti ynë eklipset e Diellit, do të vësh re se disku i Tokës e mbulon krejtësisht diskun e Diellit, se përmasat e tyre përputhen me përpikmëri. Po të ishte Hëna paksa më e vogël ose po të ndodhej ajo pak më larg Tokës, atëhere në planetin tonë nuk do të shiheshin kurrë eklipset e Diellit. Po mirë, si ka ndodhur kjo, të jetë vallë një rastësi? S’ju duket e pabesueshme?!

6. Pse jetojmë kaq afër Diellit?

Në të gjitha sistemet diellore që janë studiuar deri tani nga shkencëtarët, planetet shtrihen në të njëjtin rregull: Sa më i madh të jetë planeti, aq më afër diellit të vet është ai. Në Sistemin tonë Diellor, nuk ndodh kështu. Gjigandët Saturn dhe Jupiter ndodhen në një distancë mesatare, duke u lënë vend para vetes planetëve më të vegjël, si: Mërkuri, Afërdita, Toka dhe Marsi. Pse ndodh kështu? Shkenca ende nuk është në gjendje të japë një përgjigje të saktë. Në rast se edhe në Sistemin tonë Diellor do të kishte një rregull të tillë, atëhere Toka do të ndodhej diku në zonën ku ndodhet tani Saturni, mirëpo atje bën aq ftohtë sa nuk ka asnjë kusht për të jetuar qeniet e arsyeshme… Pse është thyer ky rregull i përgjithshëm, pra?

7. Kur do të zgjidhen “problemet” e Hënës?

Edhe Hëna ka shumë probleme, të cilat shkenca nuk i ka zgjidhur ende. Le të marrim vetëm njërin prej tyre: Si shpjegohet që ana tjetër e Hënës, që përballet me hapësirat kozmike, ka më pak kratere të shkaktuara nga trupat kozmike se ajo që vështron nga Toka dhe është e mbrojtur prej saj?

Pjepri ka veti shëruese

Një grup shkencëtarësh francezë, që kryesohen nga Mari-Anna Milesi, kanë arritur në përfundimin se pjepri përmban superoksiddismutaz, një substancë antioksidante që, veç të tjerave, lufton lodhjen dhe stresin njerëzor… Në një artikull për arritjet e tyre shkencore, Milesi shkruan: “Eksperimentet dhe studimet tona kanë treguar se ekziston një lidhje shumë e ngushtë midis stresit psikologjik dhe të ashtuquajturit stres oksidantiv. Këto lidhje krijohen me anë të ndikimit të radikaleve të ndryshme aktive në procesin biologjik që kryhet brenda qelizave të organizmit të njeriut. Ne jemi përpjekur të sqarojmë nëse mund të ndalohet “konsumimi dhe shterimi” i forcave shpirtërore të njerëzve me anë të uljes së ndikimit të radikaleve aktive në organizëm dhe studimet treguan se përdorimi i ushqimeve që përmbajnë superoksiddismutaz, kryesisht, pjeprit, i ndihmon njerëzit të shpëtojnë nga disa simptoma të stresit dhe të mbilodhjes”. Eksperimentet praktike u bënë me 72 vullnetarë, gjysma e të cilëve morën hapje me superoksiddismutaz, ndërsa gjysma tjetër morën ilaçe pa komponentë të tjerë aktivë. Rezultatet ishin të kënaqshme. Njerëzit që morën antioksidantë, shfaqën më shumë shenja përmirësimi të gjendjes së tyre morale e shpirtërore sesa ata që nuk morën. Kjo u duk qartë sidomos pas kurës 28 ditore.

Shkencëtarët sqaruan se “nga dalin” gratë e bukura

Një grup pedagogësh të Universitetit të Helsinkit, pas studimeve të gjata, kanë arritur në përfundimin se gjatë procesit të evoluimit të tyre psikofizik, gratë bëhen gjithmonë e më të bukura, më tërheqëse, ndërsa meshkujt, nga kjo pikëpamje, mbeten ende në atë nivel që kanë qenë shpellarët… Veç kësaj, shkencëtarët kanë vënë re se gratë e bukura lindin gjithmonë e më shumë fëmijë (ose kanë mundësi potenciale për këtë) dhe lindin para së gjithash, vajza, të cilat shtojnë nga ana e tyre, numrin e përgjithshëm të bukurosheve. Po pse ndodh kjo? Sipas këtyre shkencëtarëve, një gjë e tillë ndodh natyrshëm, nga vetë lufta e grave për të kapërcyer vështirësitë e jetës dhe për të mbijetuar. Kjo ndodh sepse vajzat e bukura arrijnë të kenë një rreth të madh admiruesish, pra, kanë gjithmonë e më shumë mundësi të zgjedhin partnerin dhe nga bashkimet e reja, të dalin vajza edhe më të bukura. Përsa u përket meshkujve, vënë në dukje këta shkencëtarë, pamja e tyre e jashtme nuk po ndryshon, por në zgjedhjen e partnereve, atyre u japin mundësi kushtet e jetës, sidomos mirëqenia e tyre materiale.

Radioja dhe shpikësit e saj

Deri tani nuk është zgjidhur ende problemi se kush e provoi për herë të parë aparatin e radios, Popovi në Rusi apo Markoni në Itali. Thonë se të dy kanë punuar njëkohësisht dhe kanë arritur të njëjtin rezultat në të njëjtin vit, në vitin 1895. Kjo është më se e saktë. Pikërisht atë vit, u janë dhënë patenta për shpikjen e saj italianit Markoni, serbit Nikolla Tesla dhe Aleksandër Popovit, të cilët arritën të transmetonin me anë të valëve në distanca të ndryshme, zëra dhe zhurma.

Por, është rasti të vëmë në dukje se asnjëri nuk do ta kishte arritur këtë rezultat pa kontributin shkencor të Henrik Hercit, i cili në vitet 1886-1888, duke zbuluar valët elektromagnetike, kontribuoi në shpikjen e radios më shumë se Popovi, Markoni apo Tesla. Radioja vazhdon t’u shërbejë njerëzve gjer sot e kësaj dite, edhe pas përhapjes shumë të madhe që ka marrë televizori…

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Add a comment Add a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Post

Më ofendon. Ta lë?

Next Post

E njoha tim atë ditën kur u martova

Advertisement