Përshëndetje gazeta “Intervista”! Fillimisht, dua t’ju falënderoj për këtë mundësi që u jepni njerëzve për të treguar historitë e tyre. Unë kam vuajtur shumë nga fjalët e njerëzve, ndaj vendosa t’ju shkruaja që të tregoja se sa shumë dhembin fjalët e pavërteta që thuhen për ty. Jam një vajzë njëzet e nëntë vjeçare. Jam e martuar dhe kam dy fëmijë. Jeta ime ka pasur shumë trazira, të cilat i kam kaluar me jo pak dhimbje. Me bashkëshortin tim jam njohur qëkur isha ende e vogël. U dashuruam me njëri-tjetrin si fëmijë. Mes nesh kishte vetëm ndjenja të pastra, ndaj vendosëm të martoheshim dhe të krijonim familje. Fillimisht, jetonim me vjehrrën dhe vjehrrin, por më pas, bashkëshorti dëshironte që ne të jetonim vetëm dhe kjo ishte ajo që unë doja, gjithashtu. Kështu bëmë. Im shoq ishte në gjendje shumë të mirë ekonomike dhe shtëpia që blemë ishte shumë e bukur, por fatkeqësisht, nuk mund të them të njëjtën gjë për lagjen në të cilën u zhvendosëm. Njerëzit aty e mësuan shumë shpejt që ne ishim në gjëndje të mirë ekonomike dhe shkonim shumë mirë me njëri-tjetrin, ndaj edhe filluan të ndiheshin zilitë e tyre. Mundohesha t’i hidhja pas krahëve shikimet dashakeqe që më ndiqnin sa herë dilja nga shtëpia. Edhe shoqet e mia, sa herë që dilja me to, se si më shihnin, ndryshe nga herët e tjera. Kuptova që ato tani më donin vetëm për interes, vetëm sepse isha unë ajo që paguaja sa herë dilnim, prandaj fillova t’i reduktoja daljet me to. Gjatë asaj kohe, unë mbeta shtatzënë dhe im shoq, në mënyrë që të më qëndronte shumë afër, filloi të punonte në shtëpi. Në qershor lindi djali, të cilit ia vumë emrin Lindi. Flori, im shoq, ishte aq i çmendur pas tij saqë më tepër kohë kalonte ai me të, sesa unë.
– Ti duhet të pushosh, me të tjerat merrem unë! – më thoshte ai.
Sa me fat isha që kisha një bashkëshort të tillë! Më dukej sikur ishim familja ideale. Jeta jonë vazhdonte normalisht. Nuk komunikoja me person tjetër në pallat, përveçse me shitësen e pallatit, por edhe ajo ishte pjesë e fjalëve që nxorën më vonë për mua. Pas një viti e gjysëm, unë mbeta përsëri shtatzënë dhe isha shumë e qetë, derisa një ditë më kapën dhimbje shumë të forta. Fatkeqësisht, ndodhesha vetëm në shtëpi sepse Flori kishte dalë me djalin, ndaj m’u desh të thërrisja motrën për të shkuar në spital. Ajo erdhi menjëherë dhe ishte shumë e frikësuar. Kur vajta atje, mora lajmin e tmerrshëm; kishte ndodhur një abort spontan. Unë e kisha humbur fëmijën. Kur u ktheva në shtëpi, i tregova gjithçka Florit. Asnjëri nga ne nuk e priti mirë humbjen e fëmijës dhe që të dy përjetuam një moment shumë të tmerrshëm. Unë, për muaj të tërë, nuk po e merrja dot veten. Ai mundohej të më ngushëllonte me fjalët: “Mos u mërzit se edhe kjo do të kalojë. Ne do të kemi edhe fëmijë të tjerë”, por unë nuk doja me fëmijë të tjerë. Kisha frikë se mos ndodhte e njëjta gjë. Megjithatë, koha kaloi dhe ne vendosëm të lindnim një fëmijë tjetër. Edhe unë, edhe Flori, mendonim se vetëm kështu mund ta largonim trishtimin. Pastaj, ne gjithnjë kemi dashur shumë fëmijë, por fatkeqësitë e mia duhet të ishin shkruar nga Zoti që të vinin rresht. Megjithëse i zbatova pikë për pikë këshillat e mjekut dhe nuk lëviza nga shtrati, sërish e humba fëmijën tim. Mjekët i kishin thënë tim shoqi që të kishte kujdes, pasi unë mund të kaloja ndonjë krizë nervore, sepse isha shumë keq. Kjo që më ndodhi ishte një traumë të cilën nuk e kalova aq lehtë. Herë pas here, mendoja: “Pse duhet të më ndodhte e gjitha kjo? Çfarë kisha bërë gabim që të meritoja diçka të tillë?”. Çdo ditë qaja e mbytur në trishtim, pavarësisht se Flori më qëndronte shumë pranë. Si për çudi, gjatë asaj kohe, shoqet e mia vinin më shpesh në shtëpi. E ndjeja që nuk më donin, por thjesht kënaqeshin që edhe mua nuk po më ecnin gjërat mirë derisa një ditë, njëra prej tyre nisi të më sulmonte me fjalë. Më vonë e kuptova se gjeti momentin që Flori ishte aty, në mënyrë që të na fuste në sherr.
– Ju kam shumë për zemër të dyve, por më duhet t’ju them dicka. Është e rëndë, por më mirë ta dini. Njerëzit kanë filluar të flasin!
Flori ktheu kokën: – Të flasin? – e pyeti. – E për çfarë flasin?
– Po ja… – vazhdoi ajo, – thonë që ti ishe i detyruar të ikje në shtëpi tjetër, pasi prindërit e tu nuk e donin bashkëshorten tënde. Thonë gjithashtu që ajo të ka tradhtuar me shokun tënd, prandaj ti e ke detyruar të abortojë të dyja herët.
Unë kisha shastisur duke dëgjuar atë.
– Ç’janë këto fjalë? Nga i nxore? – e pyeta. – Si guxon të thuash gjëra kaq të rënda?
Flori u ngrit dhe u tha me egërsi: – Ju mendoni se unë nuk e njoh gruan time? – dhe i përzuri të treja jashtë, por sapo mbylli derën, m’i nguli sytë me mosbesim, sikur kërkonte një përgjigje nga unë.
– Ti po u beson fjalëve të tyre? E dija që herët a vonë diçka e tillë do të ndodhte sepse qëkur kemi ardhur në këtë shtëpi, nuk na kanë pritur mirë… – i thashë. Ai nuk më foli fare, por vajti në dhomën tjetër. Ky veprim i tij më lëndoi akoma më shumë. Do të doja më mirë të më kishte bërtitur. Që nga ajo ditë, ne kaluam një periudhë shumë të vështirë. Marrëdhënia jonë u ftoh shumë dhe e gjitha kjo ndodhi kur unë akoma nuk e kisha marrë veten nga humbja e fëmijëve. Asnjëri nga ne nuk i besonte ato fjalë që na kishin lënduar shumë, por gjithsesi, u larguam nga njëri-tjetri për ca kohë. Sado që mundoheshim ta harronim, na mundonte shumë ideja që të tjerët mund të flisnin kaq keq për ne. Shpesh më dukej sikur po përjetoja një ëndërr të keqe e cila do të mbaronte shpejt, por ishte një realitet, që fatkeqësisht, zgjati… Kishte kaluar një muaj dhe me Florin nuk kisha folur ende. Kohën e kaloja me djalin tim, të cilin e doja shumë dhe ishte ai që në disa momente, më bënte të harroja gjithçka, por mungesa e Florit në shtëpi, më rikthente çdo kujtim. Më kishte marrë malli për të, ndaj nuk durova dot dhe i telefonova.
– Flori, të lutem kthehu në shtëpi. Lindi dhe unë kemi shumë nevojë për ty. Mos lejo që disa fjalë të pavërteta të prishin familjen tonë. Ne kemi kaluar shumë vështirësi bashkë dhe duhet ta kalojmë edhe këtë – i thashë dhe i nxora djalin në telefon. Sapo dëgjoi fjalët e tij, ai nisi të qante.
– Kam nevojë për kohë. Të lutem, më lër të mendohem sepse është shumë e rëndë kur dikush të flet për gruan tënde ashtu… – më tha.
– Por ti duhet të më besosh mua e t’i harrosh fjalët që thonë ato, sepse janë të pavërteta! – i thashë, por ai thjesht më përshëndeti dhe mbylli telefonin.
Sytë m’u mbushën me lot që djali mundohej të m’i fshinte. Ai ishte i vogël dhe nuk kuptonte asgjë. Ditët kalonin dhe unë prisja që Flori të kthehej, por ai…
– Kam nevojë për kohë. Të lutem, më lër të mendohem sepse është shumë e rëndë kur dikush të flet për gruan tënde ashtu… – më tha.
– Por ti duhet të më besosh mua e t’i harrosh fjalët që thonë ato, sepse janë të pavërteta! – i thashë, por ai thjesht më përshëndeti dhe mbylli telefonin.
Sytë m’u mbushën me lot që djali mundohej të m’i fshinte. Ai ishte i vogël dhe nuk kuptonte asgjë. Ditët kalonin dhe unë prisja që Flori të kthehej, por ai e kishte shumë të vështirë ta harronte atë situatë dhe kisha frikë se tani e kishte humbur besimin tek unë, për shkak të atyre fjalëve. E kuptoja situatën në të cilën ndodhej sepse e njëjta gjë do të kishte ndodhur edhe me mua, po të isha në vendin e tij. Nuk më besohej që ishin pikërisht shoqet e mia ato që duhet të ma bënin këtë. Nuk më bëhej më të jetoja në atë shtëpi vetëm për shkak të lagjes në të cilën jetonim, ku secili shikonte punët e tjetrit dhe merrej me fjalë sa lart e poshtë. Ato të treja nuk i pashë më që atë ditë. Ato ishin shkaktaret e ndarjes sonë dhe këtë nuk do t’ua falja kurrë. Nuk mund të dilja as të blija bukën sepse të gjithë më shikonin me përbuzje. Nuk mund ta duroja më këtë situatë, por nuk dija çfarë të bëja. Përpiqesha të mos u kushtoja rëndësi, por në këtë gjendje të keqe nuk isha përfshirë vetëm unë, por edhe im shoq dhe lumturia jonë. Megjithatë, unë deri në njëfarë pike mundohesha t’i anashkaloja. Djali po rritej dhe Flori nuk ishte kthyer akoma. Kjo nuk po më pëlqente aspak. Ai vërtet kishte nevojë të reflektonte, por kishte kaluar shumë kohë që ishte larguar dhe unë nuk dija asgjë për të. Nuk mund ta toleroja më një situatë të tillë që po më lëndonte dita-ditës, ndaj edhe vendosa t’i mblidhja të gjitha shoqet në shtëpi dhe t’u flisja. E dija që nuk do të pranonin të vinin, por i gënjeva se i kisha ftuar për ditëlindjen e djalit. Erdhën edhe ato të pafytyrat, të cilat ishin shkaktare të vuajtjeve të mia. Si kishin guxim të vinin në shtëpinë time pas atyre që kishin folur? Megjithatë, kishin bërë mirë që kishin ardhur, që t’ua mbyllja gojën një herë e mirë. Kur u thashë për çfarë i kisha thirrur, ato u çuditën të gjitha. U thashë se fjalët e tyre të pavërteta më kishin lënduar shumë mua dhe tim shoq.
– Po kështu thonë të gjithë! – u hodh Besa.
– Ata “të gjithë”, jeni ju! – i thashë – Dhe unë nuk do të lejoj më që dikush të flasë në këtë mënyrë për mua. Unë asnjëherë nuk e kam tradhtuar tim shoq dhe ai nuk më ka detyruar që unë të abortoj. Të gjitha këto fjalë i keni shpikur ju. Nëse donit të më lëndonit, ia dolët, por ta dini që keni lënë një djalë larg babait të tij….
Isha aq e zemëruar sa nuk e kuptova sa fola. Me fjalët e mia, nuk shpresoja të ndryshoja mendimet e tyre duke e ditur se çfarë personash ishin, por papritur, njëra nga ato, tha:
– Vërtet nuk na ke pëlqyer qëkur ke ardhur sepse e dinim që bëje një jetë shumë të mirë, ndërkohë që ne mundohemi shumë dhe fitojmë pak, por nuk e menduam se do të të lëndonim aq shumë.
Kur më kërkuan falje, u thashë se falje duhet t’i kërkonin Florit sepse ai ishte më i lënduari nga e gjithë kjo. Sinqerisht, nuk po e besoja që e kisha bërë këtë, por ishte zgjidhja e vetme. Tani isha edhe më e qetë me veten sepse Flori do të sigurohej që unë nuk e kisha tradhtuar, megjithëse akoma nuk isha e sigurtë nëse ato do t’i kërkonin të falur sepse nuk kisha besim tek asnjëra prej tyre.
Të nesërmen, Flori u kthye. Atë ditë unë kisha ditëlindjen. E përqafova fort. Më kishte marrë malli për të. Më tregoi gjithçka për kohën që nuk kishim qenë bashkë dhe për ato që i kishin kërkuar të falur. I thashë se isha e lumtur që edhe kjo situatë kaloi, por e kisha ende një peng; që ai nuk kishte pasur besim tek unë.
– Duhej patjetër të vinin ato të të kërkonin të falur që ti të më besoje se nuk të kisha tradhtuar?
– Unë kam besim te ti, prandaj u ktheva, sepse atyre nuk mund t’u besoj asnjë fjalë… – më tha dhe më zgjati dorën, ku kishte një palë çelësa shtëpie. – Kjo është dhurata ime për ditëlindjen tënde! – më tha.
– Ke blerë shtëpi tjetër? Do të largohemi që këtu? – e pyeta.
– Po, dhe kësaj here zgjodha një lagje të mirë ku mund të jetojmë të qetë… – më tha ai. Isha e lumtur që po largohesha nga ai vend sepse aty kisha kujtime shumë të këqija. Përveç të tjerash, aty kisha humbur edhe dy fëmijët e mi. U zhvendosëm menjëherë në shtëpinë e re. Ishte vërtet një vend i mrekullueshëm e po ashtu, edhe njerëzit që banonin aty. Pas gjashtë muajsh, ne u bëmë me një vajzë. Tani bëj një jetë normale, pa frikën e mëparshme se dikush mund të thotë diçka për mua. Aty askush nuk të bezdiste, por gjithsecili jetonte jetën e vet. Tashmë, kanë kaluar muaj që jetojmë në shtëpinë e re dhe këta kanë qenë muaj tepër të qetë për ne. Më në fund, unë dhe familja ime kemi gjetur qetësinë e duhur që na kishte munguar prej kohësh. Jetesa ime atje ishte vërtet një makth që nuk do të doja të përsëritej më, por çdo e keqe e ka një të mirë pas dhe kjo është jeta që po bëj unë tani. E di që në Shqipëri mund të quhet më se normale të flasësh për të tjerët, por çdo gjë e ka një kufi. Unë asnjëherë nuk kam folur keq për të tjerët, nuk jam marrë me fjalë dhe nuk prisja që as të tjerët ta bënin diçka të tillë me mua, por ja që ajo që mund të quhet normale këtu, lëndon shumë.