– Jam një zonjë që jetoj me burrin tim tashmë prej 4 vjetësh. Ai ka qenë një herë i martuar dhe ka dy fëmijë; njërin 19 dhe tjetrin 12 vjeç. Tani, së bashku, kemi një fëmijë 3 vjeç. Ai që më shqetëson është djali 12 vjeçar i burrit tim. Ai është shumë xheloz e grindavec dhe kam frikë ta lë çunin e vogël vetëm me të. Jam përpjekur në të gjitha mënyrat që ta afroj atë djalë, por nuk bëhet fjalë. Ai ia përmend herë pas here babait të tij nënën e tij. Burri im ka filluar ta trajtojë keq, por mua më dhemb shpirti për të se jam nënë vetë. Nuk di si të veproj. Ju lutem, çfarë më këshilloni? Mos duhet të ndahem prej tij, edhe pse duhemi shumë?
Redaksia: – Së pari, më vjen shumë keq për situatën ku ndodhesh. Së dyti, as mos të të shkojë në mendje të ndaheni. Gjithmonë ka një zgjidhje të mesme, sado e vështirë të jetë arritja e saj. Besoj e kupton që djali i bashkëshortit tënd ka pësuar një lloj drame nga ndarja e mamasë së tij me babain. Përveç kësaj, ai nuk e ka pritur aspak mirë faktin që babai i tij është martuar me ty. Nuk ka qenë i përgatitur për këtë dhe mosha e tij delikate ka bërë të jetë në këtë gjendje. Ndoshta pak mund të shtyhet edhe nga e ëma, të cilën besoj se e takon normalisht. Ti duhet të flasësh shtruar me tët shoq, t’ia bësh të qartë shqetësimin dhe të mundohesh ta bindësh që të mos sillet ashpër me djalin e tij, por të gjejë një rrugë ose gjuhë të mirëfilltë për ta zbutur dhe afruar djalin me ty dhe vëllain e tij të vogël. Mundohu ta kuptosh këtë fëmijë sepse shpesh janë fëmijët ata që në raste divorcesh, pësojnë trauma më shumë sesa vetë prindërit që ndahen. Pastaj, afrohu me të me të mira dhe mos u dorëzo, sado e vështirë të jetë për ty. Bëja të qartë që e do, pavarësisht se nuk është djali yt. Gjithashtu, thuaji që nuk ke asgjë kundra mamasë së tij, pra, me pak fjalë, tregohu sa më pozitive karshi tij. Ai ka nevojë për ngrohtësi dhe mbështetje. Nëse ti dhe babai i vet i përgjigjeni me gjuhën dhe sjelljen e tij rebele, ai do të ashpërsohet akoma më shumë. Bashkëshorti yt bën shumë gabim që sillet ashpër me të. Bile, ai duhet të jetë ndërmjetësi midis jush. Duhet të sillet mirë me të, por jo ta llastojë. T’i tregojë ngrohtësinë e tij prej prindi dhe ta afrojë me ty sadopak. Ndërsa në lidhje me vëllain e tij të vogël, mirë bëni që nuk e lini vetëm, sado që djali 12 vjeçar nuk besoj të jetë aq i frikshëm sa duket. Thjesht, mund t’i ketë dhe kapriçio të moshës dhe është xheloz. Qëndrojini pranë dhe keni për të parë që do të ndryshojë sjellje.