Unë që po ju shkruaj jam Anila. E kisha të vështirë ta tregoja historinë time në gazetën tuaj, pasi ajo është e lidhur me urrejtjen që kam për prindërit, por për të qenë më e saktë në atë që dua të them, po filloj të tregoj pa humbur kohë arsyen se pse e kam një ndjenjë të tillë. Babai im në rininë e tij jetonte në një fshat të varfër në një zonë shumë të thellë të Shqipërisë. Ai ishte martuar me një vajzë nga fshati aty, mirëpo ajo nuk mundi të bënte fëmijë dhe ai u detyrua ta linte gruan. Mirëpo vitet kalonin dhe atë nuk e pranonte asnjë femër se ishte shumë i varfër. Një informacion të tillë e kishin marrë dajat e mi dhe kishin vendosur që t’i bënin motrën e tyre, e cila është mamaja ime sot. Ajo kishte një problem; ishte memece, por dajat, duke u nisur nga ideja se mamanë time do ta kishin pengesë në jetën e tyre, vendosën ta lidhnin me martesë me babanë tim dhe, duke parë se ai po kalonte një krizë ekonomike, menduan se ai do ta pranonte sugjerimin e dajave të mi.

Dhe kështu ndodhi. Babai im, i detyruar nga lidhja që bëri me nënën time, e la fshatin e tij dhe u shpërngul në fshatin ku ne jetojmë sot. Pas martesës me nënën, dajat e mi, që ishin në gjendje të mirë ekonomike, u bënë prindërve të mi një shtëpi të vogël të pranueshme për në fshat. Mbas dy vitesh, nëna ime mbeti shtatzënë me mua dhe unë isha lumturia e tyre, sidomos për babin sepse ai kishte mundësi që ta shprehte, ndërsa nëna e kishte shumë të vështirë. Ne mundoheshim ta kuptonim njëra-tjetrën vetëm nga shikimet, kuptohet, edhe me gjeste. Duke qenë një fëmijë i vetëm, kisha shumë nevojë të flisja me dikë dhe e ndjeja shumë mungesën e komunikimit me nënën, sidomos në moshën e adoleshencës, kur një vajzë ka nevojë për këshillat e nënës. Megjithatë, edhe këtë fazë e kalova pasi në fshat kisha dy teze të martuara e dy daja dhe ata nuk më linin asnjëherë të mërzitesha për faktin se me mamanë nuk komunikoja. Edhe shoqet e mia të lagjes dhe të shkollës më jepnin shumë mbështetje dhe kishin besim tek unë. Me thënë të drejtën, asnjëherë nuk e kisha urryer veprimin e dajave që kishin lidhur prindërit e mi në ato kushte, edhe pse e vuaja faktin që nuk mund t’i thoja nënës sime gjëra për të cilat vetëm me atë mund të shprehesha. Me kalimin e viteve një fakt i tillë kishte filluar të më krijonte një boshllëk që asnjë njeri nuk mund të më ndihmonte ta anashkaloja. Mbas mbarimit të shkollës së mesme, shoqet e mia filluan të fejoheshin një nga një, madje shoqja ime e ngushtë ishte bërë edhe me fëmijë, ndërsa unë akoma nuk kisha një kërkesë serioze. Ishte gjë tjetër fakti që më ngacmonin shumë në rrugë; ato nuk ishin gjëra serioze. Unë kisha një paraqitje normale dhe edukata nuk më mungonte. Kisha mbushur 25 vjeç dhe fakti që nuk po fejohesha, kishte filluar të më trembte, pasi unë jetoja në fshat dhe kuptohet se, kur të kalonte mosha, nuk kishe shanse që të gjeje një njeri. Një ditë shkova në shtëpinë e dajës. Rastësisht, aty ishin edhe dy tezet që më thanë: “Dëgjo, moj çupë; kur të pyesin djemtë për mamanë, thuaju që nuk ka lindur ashtu, por është bërë kur ishte pesë vjeçe, për shkak të temperaturës së madhe”. Nuk e di pse, por në ato momente sikur m’u përmbys bota. Nga fjalët e tezes kuptova se djemtë nuk më pranonin për faktin se sëmundja e nënës mund të ishte e trashëgueshme. Kur shkova në shtëpi nuk më hiqeshin nga mendja fjalët e tezes dhe vetëm qaja. Atë vit në fshatin tonë ndërtohej një ujësjellës i ri dhe një nga punëtorët, Bledi, më shikonte çdo ditë teksa unë shkoja te dajat ose te tezet që i kisha në fshat. Një ditë ai më ndaloi dhe më tha: “Të kam parë çdo ditë dhe nuk di asnjë gjë për ty, thjesht, më pëlqen si paraqitje dhe më dukesh vajzë e qetë. Jam i interesuar që të njoh më shumë”. Unë nuk ngurrova dhe i tregova emrin tim e të babait.

Rruga për në shtëpinë e tezes ishte paksa e fshehtë, nuk kalonin shumë njerëz dhe aty ishte vend takimi ynë çdo mbasdite. Bledi ishte një djalë fshati, por në ato kushte që isha unë, nuk po më interesonte një gjë e tillë; thjesht, doja të krijoja familjen time me një njeri të mirë. Ai kishte pyetur për njerëzit e mi dhe kuptohet se e para gjë i kishin thënë ishte se e kisha mamanë memece. Ai më pyeti se si i kishte ndodhur dhe mua menjëherë më erdhën ndërmend fjalët e tezes sime e i thashë se nuk e kishte të lindur, por temperatura e lartë i kishte lënë pasoja. Bledi kishte filluar të më donte shumë dhe një fakt i tillë nuk i hynte në sy, por kur u tregoi prindërve të tij, ata bënë të pamundurën që ne të dy të mos lidheshim me pretekstin se problemi i nënës sime mund të trashëgohej te fëmijët tanë. Por, Bledi kishte shumë besim në atë që i tregova unë për nënën dhe ai vendosi të ndahej nga prindërit e shkuam të jetonim në qytet me qira. Mbas dy vjet martese, Zoti na lumturoi me një vajzë dhe s’kish më të lumtur se ne. Bledi nuk u fliste prindërve të tij, por isha e sigurtë se kjo nuk do zgjaste për shumë kohë pasi ne u bëmë me fëmijë dhe prindërit, kur ta kuptonin se fëmija ynë nuk kishte probleme, do të pajtoheshin me ne. Muajt kaluan shpejt dhe vajza rritej e bëhej çdo ditë e më e bukur; të dy ne e adhuronim atë. Për një vjetorin e saj prisnim që të vinin prindërit e Bledit, por ata nuk e bënë një gjë të tillë. Mbasi kaloi vitin vajza, mua filloi të më kapte një lloj paniku, sepse po kuptoja që ajo akoma nuk kishte filluar të fliste. Në fillim thoja se ishte shpejt, por kur vajza po bëhej gati dy vjeçe dhe nuk fliste, unë fillova të shqetësohesha me të vërtetë. Bashkë me Bledin e çuam vajzën te doktori dhe ai na siguroi se vajza dëgjonte shumë mirë e nuk kishte probleme. Ai na sqaroi se disa fëmijëve, e folura u vinte në moshë të madhe, por edhe pse doktori na i sqaroi gjërat, Bledi nisi të bëhej shumë mosbesues. Edhe mua, po ashtu, më kishte kapur frika. Ela, vajza jonë, vetëm belbëzonte dhe nuk shprehej dot. Me kalimin e muajve, në familjen tonë filloi tensioni. Bledi më akuzonte se unë e kisha gënjyer për mamanë time. “Problemi i saj ka qenë i lindur dhe na e ka trashëguar dhe vajza”, shprehej ai. Fjalët e tij më lëndonin çdo ditë e më shumë. Po ashtu, edhe stresi për vajzën e vogël që nuk po fliste filloi të më shkaktonte shumë probleme me shëndetin aq sa unë u ktheva në anemike dhe u dobësova shumë. Një situatë të tillë nuk mundja ta përballoja. Çdo ditë që kalonte mallkoja dajat dhe prindërit e mi që krijuan atë lidhje, pasojat e së cilës po i vuaja unë dhe vajza ime. Marrëdhëniet tona ishin acaruar aq shumë saqë Bledi më tha se martesa jonë nuk mund të shkonte më gjatë. “Kam nevojë për një grua të shëndetshme që të më lindë fëmijë normalë dhe jo memeca!”, u shpreh ai.

Ajo ishte dita më e zezë për jetën time. Nuk e doja më jetën, por tani mendoja për vajzën që kishte shumë nevojë për mua. Mbas asaj dite unë u shpërngula në familjen time dhe vetëm qaja e mallkoja njerëzit që më sollën ato vuajtje. Një komshia jonë që jetonte në Itali e kishte marrë vesh për problemin tim dhe erdhi e më tha se vajza nuk do të kishte asnjë problem sepse e njëjta gjë i kishte ndodhur edhe asaj me djalin. Ajo e kishte vizituar në Itali dhe doktori i kishte thënë: “Duhet të punosh shumë me fëmijën, t’i flasësh gjithmonë, ta çosh në kopsht ose çerdhe dhe komunikimi me të tjerët do t’i bëjë mirë”.

Që mbas asaj bisede m’u duk sikur rilinda dhe një dritë shprese, kisha në sy. Ajo më tregoi se djali i saj kishte filluar të fliste në moshën katër vjeçare. Edhe unë nisa të bëja të pamundurën duke iu përkushtuar vetëm vajzës, duke e lënë edhe në shoqërinë e fëmijëve të tjerë. Kur Ela u bë tre vjeçe e pak, tha fjalën “mami” për herë të parë. Më pas pasuan edhe fjalë të tjera dhe nuk kishte lumturi më të madhe për mua! Një fakt të tillë e mori vesh edhe Bledi dhe ai kërkonte të më takonte, por jam betuar para Zotit se ai njeri jo vetëm mua, por as vajzën nuk ka për ta takuar kurrë në jetën e tij. Kjo ishte historia ime e dhimbshme që më ka lënë në shpirt plagë që nuk kanë për t’u shëruar asnjëherë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *