Filma si “Nekrologji”, “Koha e Kometës”, “Tirana, viti zero”, “Amsterdam Express” , e shumë e shumë të tjerë mbajnë firmën e tij, regjia e Fatmir Koçit! Në qendër të punës së tij vë njeriun dhe jo fenomenin dhe kjo e ka bërë që çdo film që realizon të jetë sa më afër realiteti që jetojmë. Ai mendon se arti nuk njeh kufij gjeografikë dhe nuk ka rëndësi se ku e bën artin tënd, rëndësi ka që të bësh maksimumin dhe të gjesh veten. Filmat e tij nominohen pothuajse në të gjithë festivalet europiane dhe hollivudiane dhe këtë na e tregon ai vetë! Rrallë jep intervista por kur e ftuam nuk mund t’i thoshte “jo” gazetës tonë, duke qenë se është gjithmonë pranë vlerave si vetë Fatmir Koçi!
Fabjola Kuburi:-Fatmir, regjisor, skenarist dhe producent filmash, përgjatë shumë viteve, tek cila nga këto fusha mendon se ke dhënë maksimumin tënd? Me cilën e personifikon veten më shumë?
Fatmir Koçi:- Tek regjia patjetër! Mua më është dhënë për fat mundësia, që të gjej tek vetja at levën për të shkruajtur, i marr nga realiteti, sidomos skenarë origjinalë. Kështu, përfundimisht e gjej veten tek regjia.
– Të jesh regjisor në Shqipëri,të bësh art, është e lehtë, e vështirë apo arti nuk ndikohet nga vendndodhja dhe kufijtë gjeografikë?
– Mendoj se është kjo e fundit, nuk e kam tek spekulimi i njerës apo tjetër, që do të thotë jeton në një vend të varfër si Shqipëria, si India apo në një vend në Afrikë apo ku ta di unë dhe është vështirë të bësh art. Që të bësh art, të lëhtë apo të vështirë, nuk ka të lehtë por le ta quajmë kështu, kjo vjen vetëm nga vetja jote. Po marr një rast tjetër, në Hollivud ka me mijëra regjisorë, mendo sa pak janë të njohur dhe arrijnë të bëjnë vepra të nivelit të lartë dhe që ata i kanë të gjitha mundësitë dhe kushtet për të punuar. Kjo e rrëzon pak këtë aksiomën që Shqipëria është vend i vështirë për të bërë art. Vështirësia më e madhe është që të pranohesh për atë që bën sepse ndeshesh me një vend që është primitiv dhe ruan ende me fanatizëm tabu të cilat nuk i takojnë fare, as kulutrës dhe as kombit të vetë. Këto janë nocione të sajuara nga njerëz që mbajnë pushtetin, gjatë gjithë kohës, historikisht ka ndodhur. Unë besoj tek vlerat jo tek antivlerat.
-“Koha e Kometës”, “Tirana, viti zero”, “Amsterdam Express” , e shumë e shumë filma të tjerë nën regjinë tënde, çdo gjë e kuruar me detaj, por çfarë fshihet pas asaj që duket në ekranin e madh të kinemasë?
– Kjo është pyetje e jashtëzakonshme dhe ti që e bën je mjaft hulumtuese. Kjo është një enigmë që nuk besoj se do ta zgjidh unë por as të gjithë kineastët e tjerë, është ajo që publiku nuk e di kurrë që vetëm ajo që duket aty është bërë në mënyrë analoge me atë që ndodh jashtë kamerës. Këtu fillon gjithçka në të vërtetë. Nëse aty nuk ka frymëzim, nëse nuk ka harmoni të elementeve në ekran do refektojë mënjëherë mjerimi i asaj që bëhet jashtë kamerave.
– Çfarë po përgatit kohët e fundit?
– Para një muaji kam mbaruar adaptimin e e romanit “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo”, një vepër e shkruajtur në 1973 dhe kam marrë të drejtat nga familja dhe besoj se është një vepër potenciale që nuk vdes kurrë, ka nje universalitet të paparë të njeriut që bëhet skllav i asaj që nuk e njeh që është pushteti, i asaj që e do pa e dashur. Personazhe që jetojnë në iluzione dhe aluzione. Unë mund të them që është ndër veprat më të famshme e letërsisë shqipe. E dyta, po punoj me bashkëskenaristin “Elvis walks home” Jonathan Preece, ai po adapton një libër të Artur Hills që quhet “Endrra e kodrës” në anglisht do jetë edhe filmi. Me të vërtetë kam dëshirë që të bëj filma në shqip dhe në anglisht. Ndërkohë po shkruaj një skenar që ka marrë një titull të një filmi spanjoll të viteve ’60, është një luftë e madhe e fëmijëve të saj për ta kthyer nga rruga e prostitucionit në rrugën e drejtë, pra nëse zakonisht është nëna ajo që mundohet ta bëjë këtë për fëmijën e saj, këtu ndodh e kundërta. Është shumë e fortë, mund të hapë probleme por kam edhe shumë punë për të bërë dhe shpresoj shumë t’ia dal.
– Synon skena ndërkombëtare?
– Gjithmonë, mua më ka tërhequr shumë edhe fakti që jetoj në Shqipëri dhe që jam këtu dhe bëj për artin tim, artin shqiptar. Enigma më e bukur e ekzistencës është ta gjesh dashurinë ku do të qëndrosh.
– Cilat janw synimet e tua afatshkurtra?
– Unë dua dhe duhet të nënvizoj këtu që përvecse të bëj filma në shqip e në anglisht, dua të rrëmbej sa më shumë pjesë të kulturës tonë dhe rrëmbej atë lloj realiteti që ndodh jo duke pasur në thelb fenomenin por njeriun, mua më intereson njeriu. Kinemaja jonë në përgjithësi është marrë me shumë me fenomenin, unë dua të zbuloj për njeriun, vë në qendër njeriun.
– Shumë çmime, shumë vlerësime, kemi ndonjë film që do jetë i nominuar në ndonjë festival të afërt?
– Po, “Elvis walks home” sapo konkurroi në Napoli për çmimin e “Filmit më të mirë europian dhe mesdhetar” në 24 shtator-1 tetor. Po të rendis disa festivale ku kemi marrë pjesë: 1. Montreal World Film Festival 2017 World Competition 2. ‘Ëorld Best Film’ in Harlem International Film Festival 2018, NYC 3. ‘Special Jury Award’ in Arizona International Film Festival 2018 4. ‘Best Foreign Feature Film’ në Long Island International Film Expo 2018 5. ‘Golden Palm’ në Mexico International Film Festival 2018 6. London International Filmmakers Film Festival 2017, ‘Best Lead Actor’, Dritan Kastrati 7. Tiburon International Film Festival, USA, 2018 ‘Golden Reel Humanitarian Aëard’. Ndërkohë në 2-4 nëntor në teatrin historik egjiptian në Hollivud, Arpa International Film Festival (AIFF) dhe është kinema anti Hollivud, është kinema indipendente. Ky është festival i 21-të dhe është themeluar 21 vite më parë nga Silvi Minasian, një figurë shumë e njohur në Hollivud e cila u drejtua për të kërkuar vlerat në kinemanë europiane.
– Çfarë mendon se kërkon publiku shqiptar nga një regjisor me nivel dhe eksperiencë që e ka treguar që meriton të jetë ndër më të mirët?
– Unë mendoj se kërkon realizëm dhe dramë të vërtetë në kuptimin jo vetëm të ngjajë me realitetin por që të vijë prej andej, të mos jetë vetëm melodramatike, të mos jetë vetëm një xhirim i disa vuajtjeve që të bën të ndihesh keq në kinema. Me estetikën e vërtetë të kinemasë. Në estetikën time, në kinemanë time duhet të sillja realizëm të vertëtë.
– Si është organizuar koha jote e lirë?
– Unë shkruaj pjesën më të madhe të kohës, nuk rri shumë ulur kur shkruaj ,lëviz cdo gjysmë ore, bëj fiskulture kineze “tai chi chuan” atë me lëvizjet e ngadalta, shkoj në fshat, merrem me macet, pedaloj shumë me biçikletë, e dua natyrën, rri shumë pak me njerëz, pothuajse as 10% e kohës time nuk e zë me njerëzit dhe udhëtoj vetëm kur më duhet të udhëtoj për punë, kurrë për turizëm.
– Tre epitete për veten tënde…
– I duruar, i matur, i shpejtë…!
– Çfarë të shqetëson më shumë te njerëzit?
-Injoranca, këmbë e kokë, ka një injorancë të thellë të shpjegueshme. Kjo ndodh sepse shqiptarët janë të papërmbajtur dhe bëhen antihumanë.
– Çfarë të emocionon më tepër?
– Pasioni, pasioni i pastër, ai që nuk ka veshje tjetër, që është thjesht pasion, qelibar, pasion në mendim, në të dashur, në të prekur, në art. Pasioni puro është më afër meje.
– Çfarë u këshillon të rinjve ose atyre që aspirojnë të bëhen aktorë/regjisorë?
– Të lexojnë shumë, si ka evoluar kinemaja, italiane, indiane, kineze, franceze por mos mbeten në një boshllëk. Nëse nuk lexojnë për evoluimin e kinemasë, ata nuk do bëhen kurrë kineastë. Lexoni, mësoni!
– Bëji një pyetje vetes në fund…
– Pak e vështirë, të them të vërtetën…! Pse çdo gjë është në vendin e vet? Pyetje ekuilibruese! Çdo gjë më duket me arsye që është. Kjo është pyetje tronditëse, nuk gjej dot asgjë që të jetë e paarsyeshme. Konfuci thotë: “Mos më thoni pastaj që për një gjë ë nuk arritët dot t’a bëni dot dje, sapo jeni zgjuar ditën tjetër keni sajuar një gjë tjetër që vetëm e vërtetë nuk është!