Deri në moshën 26 vjeçare nuk e kisha parë kurrë fytyrën e tim eti, as në fotografi, bile ai as që e dinte që ekzistoja. Unë isha pasojë e një dashuriçke rinie me mamanë time, e cila nuk i kishte thënë atij se priste një fëmijë. Sigurisht që doja ta njihja babanë tim biologjik, por nuk dija se si.
Mamaja dhe im atë u njohën në 1979, në një qytet të vogël të Shqipërisë. Ajo ishte gati 20 vjeçe, kurse ai, 29. Ai kishte vajtur të punonte si inxhinier për disa muaj në atë qytet. Pas kësaj kohe, u rikthye në Durrës, prej nga kishte ardhur, pa i premtuar sime mëje që do të rikthehej, pa i lënë ndonjë adresë. Një muaj e gjysmë pas largimit të tij ajo zbuloi se ishte 3 muajshe shtatzënë. Meqë menstruacionet nuk i kish të rregullta, as që e kishte vënë re shtatzaninë, ndërkohë që im atë ishte ende në qytet. Për ironi të fatit, prindërit e mi kurrë nuk patën marrëdhënie seksuale të vërteta, vetëm “shakara”, për shkak se ime më nuk donte. Ata as që e imagjinonin se mund të ngeleshe shtatzënë edhe kështu. Kur zbuloi shtatzaninë, ime më u dëshpërua. Nuk dinte asgjë për atë burrë, as adresën. Ajo mbante mend vetëm emrin e tij dhe punën që bënte.
Mamaja ime i tregoi gjithçka së ëmës, bile edhe që nuk kishte bërë seks me të vërtetë, por askush nuk e besoi. Imagjinoni, shtatzënë dhe e virgjër! Për ta ishte e pamundur. Ajo kujtoi se edhe i ati i fëmijës nuk do ta besonte, prandaj vendosi të mos e kërkonte, por fëmijën e mbajti që ta rriste vetë. Të vetmit persona që e mbështetën qenë mamaja dhe daja. Gjyshi u mërzit aq shumë me të, sa ndenjën tre vjet pa folur. Shtatzania kaloi qetë. Ajo nuk e fshehu atë prej askujt. Unë linda me operacion, më 28 maj 1980. Në atë kohë, mamaja ime nuk kishte punë fikse, punonte si kamariere. Me gjithë vështirësitë financiare dhe ato shoqërore, pasi shihej shtrembër nga të tjerët, ajo nuk u dorëzua kurrë.
Ndërkohë që rritesha, fillova të pyesja për tim atë. Mamaja kurrë nuk më kishte gënjyer. “Dëgjo bijë, mami dhe babi u dashuruan shpejt e shpejt dhe unë ngela shtatzënë. Më pas, babi yt iku dhe unë nuk e kërkova më”, më thoshte ajo të vërtetën. Pastaj, më thoshte se nga sytë i ngjaja tim eti dhe më tregonte si ishte ai. Mua më pëlqente kur hapej me mua. Në çdo ditëlindje kërkoja të dëgjoja këto gjëra për babin, bile edhe tani ia kërkoj.
Pasi linda unë, mami nuk u lidh menjëherë me një burrë tjetër. Kjo ndodhi kur unë isha 7 vjeçe. Ajo u dashurua me të dhe u martua. Edhe njerku im kishte dy vajza dhe gruaja i kishte vdekur. Pas dy vjetësh, atyre u lindi një djalë. Asnjëherë nuk kam ndjerë xhelozi për vëllanë, sepse mamaja na donte njëlloj. Pavarësisht martesës së mamasë, unë nuk arrita ta quaja njerkun tim baba, sepse nuk doja. Kur shkova në shkollë, isha e vetmja që nuk kisha baba. Pikërisht asokohe fillova ta pyesja mamanë për babanë, por ajo më thoshte vetëm emrin dhe profesionin e tij. Mbase nuk donte të më thoshte më shumë sepse kishte frikë se mos e zbuloja dhe lëndohesha.
Me kalimin e kohës, sikur e lashë mënjanë këtë histori, megjithatë, kur mbusha 15 vjeçe, fillova ta ndjeja shumë mungesën e tij dhe më hipi në kokë që ta njihja. Kësaj radhe, unë dhe shoqja ime e ngushtë, filluam të kontrollonim numëratorin telefonik të gjithë Shqipërisë. Nuk arritëm asgjë. Unë filloja kërkimet, por pasi i thosha mamit, ajo me dekurajonte dhe mua më binte vrulli. Me kalimin e kohës, dëshira për të njohur tim atë rritej. Kur mbusha 19 vjeçe, më vdiq një dajë dhe kjo ngjarje më preku shumë, pasi ai nuk ishte martuar dhe vdiq i vetëm. Kur mendoja se kjo mund të ndodhte edhe me babanë tim, dëshpërohesha.
Punoja në një ndërmarrje telekomunikacioni, kur kolegia ime, Ana, më tha se ne mund ta gjenim babanë tim në internet. Unë i thashë se ishte e pamundur. Si mund të gjesh një njeri që i di vetëm emrin? Meqë unë po filloja pushimet, ajo më premtoi se do ta kërkonte për mua dhe, kur të kthehesha, do të ma thoshte. Kur u ktheva, gjeta në tavolinën e zyrës adresën dhe numrin e tij të telefonit. Mbeta e paralizuar; nuk dija ç’të bëja. Vendosa t’i telefonoja tezes dhe t’i thosha se kisha gjetur adresën e babait. Ajo më tha se do t’i telefononte ajo. Pastaj, mora edhe mamanë duke i kërkuar më shumë informacione për babanë. Ajo gati sa s’vdiq nga frika kur i thashë që do t’i telefonoja babit, sepse gjithmonë kishte menduar se ai do të më refuzonte, por nuk më pengoi t’i telefonoja.
Tezja e mori babin në telefon dhe konfirmoi të dhënat që dinim; e pyeti për emrin e profesionin dhe nëse kishte qenë në qytetin tonë në vitin 1979. Gjithçka përputhej. Pasi konfirmoi të dhënat, tezja nuk e zgjati shumë, por me zërin që i dridhej, i tha se gjatë kohës që kish qenë në qytetin tonë, kishte qenë i lidhur me një vajzë e cila më pas kishte mbetur shtatzënë. Në fillim ai nuk foli, për më pas, për çudi, nuk dyshoi për këtë histori, bile kërkoi të dinte më shumë për mua. Pastaj tha se gjithmonë kishte dashur të kishte edhe një vajzë tjetër. Ai vazhdonte të jetonte në Durrës, ishte martuar dhe kishte katër fëmijë, tre djem dhe një vajzë. Që më parë i kisha thënë tezes se, nëse ai donte të më njihte, duhet të më telefononte vetë. Nga frika se mos zhgënjehesha, mendoja se nëse ai nuk do të më telefonte, historia do të mbyllej me aq dhe unë do ta hiqja nga mendja.
Ai më mori në telefon pas 15 ditësh. Gjatë kësaj kohe, rrija në ankth. Mendoja se ai nuk kishte interes të më njihte ose se kishte dyshime nëse isha vërtet vajza e tij. Një ditë po ecja në rrugë dhe ai më mori në telefon. Ishte numër i panjohur dhe e kuptova se ishte ai. “T’ia hap apo të mos ia hap?”, pyesja veten. Pas një hezitimi, ia hapa. Ai m’u prezantua dhe më pyeti nëse e dija kush ishte. Unë u gëzova shumë. Me atë qëndrim ai më bëri të kuptoja se ishte ndryshe nga ç’kisha menduar unë dhe se nuk do të më refuzonte. Pas atij kontakti, filluam të flisnim shumë në telefon. Ai më telefononte gjithmonë dhe mua më dukej sikur rikuperonim vitet e humbura dhe bisedat që nuk kishim bërë. I tregonim gjithçka njeri-tjetrit. Ai më thoshte se donte të më njihte, por njëkohësisht, donte që historia jonë të mbahej e fshehtë, pasi nuk e dinte si do të reagonte gruaja dhe familja e tij. Donte të përgatiste më parë familjen e vet. Pas disa kohësh, më tha se familja e tij nuk kishte reaguar mirë dhe e shtyu njohjen tonë. Mbeta pak e zhgënjyer, por e kuptova pozicionin e tij.
Kisha vite që isha dashuruar me Andin, i cili ishte 10 vjet më i madh se unë dhe, në atë kohë, kishim vendosur edhe datën e martesës, 23 shtator 2007. Vendosa të ftoja edhe tim atë. Dasmën do ta bënim në kishë dhe mua nuk kishte kush të më shoqëronte. Im atë e pranoi ftesën dhe më tha se do të vinte edhe nëse familja e tij nuk do të donte. Ditën e dasmës isha shumë në ankth, sepse nuk e dija nëse ai do të vinte. Të mitë e dinin historinë dhe mundoheshin të më qëndronin afër që të mos mërzitesha. Duheshin edhe 5 orë për ceremoninë e dasmës dhe kisha vajtur në një sallon bukurie për t’u rregulluar. Aty, im atë më telefonoi dhe më tha se kishte ardhur në qytetin tim. U lumturova aq shumë sa desh dola nga salloni me bigudinat në kokë. I tregova ku isha dhe e pyeta nëse mund të vinte deri aty. Ndërkohë, zemra më rrihte fort.
Qe momenti më emocionant i jetës sime. Nuk doja asgjë tjetër, vetëm ta njihja. Më në fund, pas vitesh që flisnim në telefon, kishte ardhur momenti i shumëpritur. Ai erdhi, ne u përqafuam fort dhe qamë. Ceremonia shkoi shumë mirë, megjithëse nuk kishim bërë asnjë provë. Pas saj, folëm shumë me njeri-tjetrin; ai u njoh edhe me tim shoq. Po atë ditë, ai u kthye në Durrës. Pas muajit të mjaltit, më erdhi një ftesë e papritur: Gruaja e tij na kishte ftuar të dyve t’i bënim një vizitë në shtëpi. Shkuam dhe njohëm familjen e tij, kushërinjtë e kushërirat. Pas kësaj, familja ime u shtua, sepse m’u shtua një gjyshe, mamaja e tij plakë, që ishte shumë e mirë, si edhe xhaxhallarë dhe një hallë.
Mendoj se në faktin që lidhja ime me tim atë doli për mbarë, ndikoi ajo që ne të dy pritëm momentin e duhur, asnjëherë nuk i vumë kushte njëri-tjetrit dhe duruam shumë. Kjo ka qenë një nga dhuratat më të bukura të jetës sime. Tjetra është Marioja, djali im njëvjeçar.