Pothuajse të gjithë kemi dëgjuar për Kamasutrën, manualin e lashtë të seksit. Shumica e njerëzve mendojnë se në të flitet vetëm për seksin dhe pozicionet e tij, por në të mund të gjesh më shumë se kaq. Kama është emri i perëndisë indiane që përfaqëson natyrën seksuale të njeriut, ashtu si Erosi te grekët. Me të mund të nënkuptosh të gjitha gjërat që të sjellin kënaqësi, si: Seksualiteti dhe sensualiteti, por brenda saj përfshihet edhe ushqimi, lojërat e ndryshme, aktivitetet kulturore, ato me miqtë, etj. “Sutra” do të thotë: Një libër i shkurtër me aforizma.
Kush e solli Kamasutrën?
Në kulturat e lashta, njerëzit e respektonin jetën seksuale dhe e kuptonin se ishte shumë e rëndësishme t’ua mësoje brezave të ardhshëm. Në 3000 vitet e fundit, ne kemi parë zhvillimin e manualeve seksuale nëpërmjet kulturave lindore. Kjo tregon rëndësinë që i kushtonin ata njerëz këtij fakti.
Kamasutra ka shumë për t’u mësuar çifteve moderne. Manualet më të njohura të dashurisë janë përkthyer nga sanskritishtja në mesin e viteve 1800 nga një aventurier anglez që quhej Sër Riçard Barton dhe, kur ai vdiq, ato ishin përkthyer në 40 gjuhë. Pas vdekjes së tij, gruaja e tij dogji shumë nga këto manuale që ishin përkthyer, por nuk ishin botuar akoma dhe ka shumë mundësi që disa prej tyre të kenë humbur përgjithmonë.
Ç’përshkruan libri?
Kamasutra përshkruan në detaje shumë teknika puthjeje, 64 artet që duhet të dijë njeriu, mënyrat si t’i vish rrotull dikujt, mënyrat e të prekurit (duke përfshirë kafshimet dhe gërvishtjet), pozicionet seksuale, si të trajtojmë partnerët ose bashkëshortët, si të përgatisim substancat afrodiziake dhe shumë më tepër. Besohet se versioni i sotëm i Kamasutrës është përpiluar duke u mbështetur te gojëdhënat. I shkruar në sanskritisht nga një burrë i quajtur Vatsiajana, struktura e tij paraqitet në vjersha me rimë.
Pozicionet janë titulluar sipas emrave të kafshëve sepse në libër është studiuar edhe lidhja e njeriut me natyrën. Manuali përshkruan teknika të ndryshme të stimulimit të klitorisit, si edhe 10 mënyrat që mund të përdoren për stimulimin e tij me anë të organit të burrit. Ai përshkruan në detaje se si mund të penetrojë një burrë, gjithashtu, janë përmendur edhe zonat e ndryshme të Yonit që mund të stimulohen duke i vënë emra të veçantë pjesëve të saj: anëve, hyrjes, zonave më të thella, etj.
Kamasutra përshkruan dridhjen e Yonit që paraprin orgazmën dhe thotë se dy gra nuk janë njëlloj përsa i përket mënyrës se si bëjnë dashuri. Partneri duhet të jetë i vëmendshëm dhe i kujdesshëm ndaj ndjenjave dhe dëshirave të gruas. Kujdes të veçantë i kushtohet mënyrës si mund ta bësh për vete tjerin, si t’i bësh dhurata, të lësh takime sekrete, si edhe qëndrimet morale e etike gjatë martesës. Prioritet u jepet 64 arteve dhe nxiten burrat, por sidomos gratë, që të mësojnë sa më shumë prej tyre. Ndër to përfshihen muzika, kënga, shkencat, mënyrat se si të bëjmë dashuri, si të kujdesemi për shtëpinë, kërcimi, poezia, biseda, gjuajtja me hark dhe shigjetë, të qepurit, lojërat, magjia, kimia, parfumet dhe ritualet.
Përdorimi i afrodiziakëve dhe përgatitja e tyre është diçka e zakonshme. Në substancat e përdorura përfshihen mjalti, piperi i zi, squfuri, farat e kungullit, fidanët e bambusë, kaktusi, jashtëqitja e majmunit, testikujt e dashit për të shtuar fuqinë. Disa nga këto substanca, si: Farat e kungullit, janë të njohura për cilësitë e tyre në shtimin e fuqisë seksuale.
Të tjera manuale seksi
Një seri “librash” me aforizma kanë dalë në Lindje që në vitin 400 p.e.s. Në këta libra përfshiheshin manuale që i mësonin të sapomartuarit si duhet të putheshin, të prekeshin, pozicionet e seksit, qëndrimet, detyrimet morale dhe shumë më tepër.
“Ananga Ranga”
Në këtë libër të shkruar në shekullin e XVI në Indi, përshkruhen detaje morale, teknika joshjeje, pozicione seksi, higjiena, rituale dhe magji seksuale, afrodiziakë dhe koncepte të tjera erotike. Gjithashtu, i mësohet femrës si të kontrollojë muskujt e saj pelvikë për të shtuar kënaqësinë e saj dhe të partnerit.
“Kopshti erëmirë”
Libri u shkrua në Arabi në shekullin XVI dhe përshkruan mbi 30 forma dhe madhësi të penisit e vaginës. I shkruar kryesisht për meshkujt, ai i këshillon ata ta pyesin gruan se si t’i japin asaj kënaqësi. Ai flet për dhuntinë e kënaqësisë që Zoti ua ka dhënë njerëzve dhe u jep shumë mësime atyre që duan të dinë sa më shumë mbi këtë temë.
Manuali “Ishimpo”
Ky manual vjen nga Japonia dhe, ashtu si librat e tjerë të Indisë dhe Azisë, e përshkruan seksin si forcën thelbësore që kontrollon universin, si forca që e bën Tokën të rrotullohet.
Libri kinez “Sekretet e Dhomës së Gjumit së Nefritit”
Ai jep receta për të shëruar impotencën e burrave, pozicione seksi, etj. Fjalët e zgjedhura janë simbolike. Kështu, “Fidani i Nefritit” quhet penisi i burrit, ndërsa “Kopshti i Nefritit” simbolizon vaginën. Në Kinë, Japoni dhe në kulturat e tjera të Lindjes përdoreshin “Librat e Jastëkut” si shtesë e manualeve që mësonin çiftet. Çiftet i përdornin librat e jastëkut si stimulues erotikë dhe që shtonin fuqinë seksuale. Librat ishin zbukuruar me piktura shumë të bukura erotike, poezi, shkrime dhe sugjerime.