Në Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Personave me Aftësi të Kufizuara (3 Dhjetor), World Vision në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë çelin hapësirat e para zhvillimore në dy shkolla, të Lezhës dhe Korçës.
Drejtoresha e World Vision për Ballkanin Perëndimor Eljona Boçe Elmazi ka firmosur me krerët e institucioneve vendore në Korçë dhe paralelisht në Lezhë, Drejtoresha e Programit për World Vision Albania, Artina Morava, marrëveshjet e mirëkuptimit që i hapin rrugë funksionimit të këtij modeli inovativ zhvillimi për çdo fëmijë, në 15 shkolla të arsimit parauniversitar në Kamëz, Durrës, Kurbin, Lezhë, Elbasan, Përrenjas, Shkodër, Dibër dhe Korçë.
Kjo marrëveshje mirëkuptimi është përshëndetur edhe nga Komisionieri kundër Diskriminimit Z. Robert Gajda.
“45.4% e fëmijëve 2 deri në 17 vjeç në vendin tonë kanë një vështirësi të lehtë në një nga 12 fushat e funksionimit.Studimi kombëtar për prevalencën e aftësisë së kufizuar tek këta fëmijë, kryesisht të moshës 5-14 vjeç, tregoi nevojën e madhe për shërbime të intergruara. Ndaj ne sot jemi shumë të lumur që ky model i parë po starton pikërisht në Korcë, e në të njëjtën kohe edhe në Lezhë dhe po punohet që të njëjtin model ta kenë 15 shkolla të arsimit parauniversitar.
Këto hapësira zhvillimore do të mund t’u vijnë në ndihmë rreth 9500 fëmijëve, mes të cilëve 151 janë fëmijë me aftësi të kufizuara. Ne do të kemi sukses vetëm nëse do të kemi një bashkëpunim të ngushtë me mësuesit, mësuesit ndihmës, prindërit, logopedët, psikologun, fiziotereapistët dhe të gjithë punonjësit e shërbimit psiko-social. Kjo është sfida jonë e përbashkët në zbatimin e këtij modeli inovativ, i cili kërkon kualifikim të vazhdueshëm të profesionistëve dhe rritjen e numrit të tyre pranë institucioneve arsimore”- u shpreh Drejtoresha e World Vision për Ballkanin Perëndimor, znj. Eljona Boçe Elmazi.
Hapësirat zhvillimore është një model inovativ i shërbimeve të integruara, i cili bazohet mbi nevojat e ndryshme në edukimin dhe zhvillimin e fëmijëve, e që nxit partneritetin mes shkollës dhe profesionistëve/ specialistëve për të ofruar shërbime të integruara psiko- sociale, zhvillimore, terapeutike brenda hapësirave shkollore me qëllim zhvillimin e fëmijëve dhe me fokus të veçantë të fëmijët me aftësi të kufizuara.
Gjithashtu falë projektit të financuar nga Bashkimi Europian, “Forcimi i kapaciteteve të shoqërisë civile për zbatimin e të drejtave të njerëzve me aftësi të kufizuara në Shqipëri”, aktualisht 160 të rinj, që i përkasin grupmoshës 16 deri në 24 vjeç, nga Korça, Berati, Dibra dhe Lezha po trajnohen mbi diversitetin, gjithëpërfshirjen, vullnetarizmin. Këta të rinj janë përzgjedhur për të zbatuar 8 mini-grante gjatë vitit 2019, duke zhvilluar në komunitetet ku ata jetojnë aktivitete psiko-sociale dhe ndërgjegjësuese në ndihmë të personave me aftësi të kufizuara.
World Vision është një organizatë zhvillimi komunitar, e krishterë, humanitare dhe advokatie. Prej dy dekadash, ne punojmë me 32 mijë fëmijë, në 220 komunitete në nevojë. Që prej vitit 1999, World Vision kontribuon në të gjithë Shqipërinë me programet e saj në drejtim të reduktimit të dhunës, sidomos dhunës ndaj fëmijëve në familje, komunitet, shkollë dhe mes bashkëmoshatarëve për të përmirësuar politikat shtetërore për fëmijët, për të rritur pjesëmarrjen e fëmijëve në vendim-marrje, fuqizimin e fëmijëve dhe të rinjve, si dhe përmirësimin e mekanizmave dhe të shërbimeve për fëmijët.