Dark Mode Light Mode

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Follow Us
Follow Us

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use

Marjeta Billo: Kur këndoj jam në botë tjetër…!

 

Marjeta Billo është një nga emrat që sa herë që vjen në ekranet muzikore lë shije aq të mirë saqë të gjithë e duan dhe duan muzikën e saj. “Eja zemër” është kënga e saj më e re, një rikthim veror me produksion të De Vox dhe tekst të vetë Marjetës e Aurel Thëllimit. Në një intervistë që përçon energji pozitive dhe shumë dashuri, Marjeta sjell freski, mirësi dhe shumë horizont kulturor dhe artistik. 

 Fabjola Kuburi:- Marjeta, sapo na ke sjellë “Eja zemër” kujt i thotë Marjeta kështu?

Advertisement

Marjeta Billo:- Që kur e dëgjova për herë të parë demon e këngës, më solli menjëherë shumë gëzim dhe energji pozitive, e më erdhën përpara syve dy të dashuruar që festonin dashurinë e tyre. Me këtë ide nisën vargjet e para të tekstit, e deri në përfundim. Titulli “Eja Zemër” është ftesa që çdo njeri i bën dashurisë së jetës së tij për të qëndruar në premtimin “Bashkë përgjithmonë”!
– Një produksion i De Vox me tekst tëndin dhe Aurel Thëllimit, çfarë i bashkon këta tre emra në një projekt tashmë të finalizuar si “Eja zemër”?
– Këta tre emra i bashkojnë tre gjëra. Ato çfarë na bashkojnë, janë miqësia, pasioni për muzikën, dhe puna! Aureli qe një shtysë shumë e madhe që unë të nisja këtë projekt, pasi unë isha shumë e dyzuar nëse duhet të rikthehesha tani në muzikë, apo në një periudhë tjetër. Bashkë me De Vox, menduam dhe hodhëm idenë e stilit të këngës që unë kërkoja, me të cilin mbeta shumë e kënaqur, pasi menjëherë e kuptoi se çfarë kërkoja unë, dhe pas realizimit të demos, bashkëpunuam me Aurelin për realizimin e tekstit, duke sjellë këtë projekt.

– Çfarë përfaqëson muzika në jetën tënde?
– Muzika në jetën time është gjithçka. Gjithçka që më rrethon e që unë bëj është e lidhur me të. Në jetën e përditshme, unë zgjohem në mëngjes për të shkuar në punë, ku punoj si mësuese muzike. Pasditet shkojnë sërish me mësimdhënie, duke përgatitur talentet e reja si mësuese kantoje. Mësimdhënia është një nga pasionet e mia më të mëdha. Është një punë vërtet e lodhshme, por që të jep edhe shumë satisfaksion. E më pas vijnë fundjavat, ku shkarkoj të gjithë lodhjen e javës në vendin ku performoj “live” dhe jam pranë publikut. Transformohem nga mësuese në performuese. Ndihem me fat, pasi bëj gjërat që kam dashur gjithmonë të bëj.
– E do vëmendjen Marjeta, si femër dhe si artiste?

– Mendoj se vetë fakti që jam femër, si femër, e kam vëmendjen që kërkoj. Përcaktimi “femër”, për mua është sjellje, dhe jo gjini. Këtë përcaktim e lidh edhe me të qenurin “artiste”, por këtu duhet të bashkohem me të dyja: gjinia që lëvron dhe mënyra se si sillesh me këtë gjini. Janë këto dy faktorë që janë krijues të audiencës që ti kërkon të kesh pas vetes. Në vendin që jetojmë, si vend me popullsi të vogël në numër, është pak e vështirë të krijohet një audiencë e caktuar për çdo gjini muzikore. Megjithatë, në këtë kaos të tregut muzikor, më vjen mirë që ka ende njerëz që e vlerësojnë muzikën e vërtetë.
– Mendon se ia ke marrë më të mirën karrierës tënde apo ka akoma?
– Mendoj që jam në rrugën e duhur për të marrë më të mirën e karrierës sime. Rruga e artit është një rrugë shumë e gjatë, sa e bukur po aq dhe e vështirë. E rëndësishme është të përpiqesh gjithmonë të bësh diçka, e të mos lësh asnjëherë në mes atë që do. E mira nuk ka fund, e unë mund të them që jam shumë e lumtur dhe e kënaqur me gjërat që bëj. Jam në një moment ku kam një balancë profesionale dhe shpirtërore.

– Nëse do të të ishte dhënë mundësia për të lëvizur jashtë ku do të bëje edhe karrierë ndërkombëtare, do ta lije Shqipërinë?

– Nuk e kam aspiruar asnjëherë të largohem nga Shqipëria. Aq më tepër për të bërë karrierë! Jo se nuk jam ambicioze, por atë çfarë kam dashur, e kam gjetur në vendin tim. Siç e thashë edhe pak më lart, e mira nuk ka fund! Por të mirën e mjaftueshme e kam patur edhe këtu, në vendin tim. Përveç kësaj, këtu janë edhe të gjithë njerëzit që unë dua e që mund t’i shoh e prek sa herë të kem nevojë. Ndërkohë, nëse do të kisha ikur jashtë, nuk do e kisha këtë gëzim. Ndoshta e vetmja arsye që do më bënte të largohesha nga vendi im, është familja. E shoh pak të gjerë këtë si temë, por mund të them që në profesionin tonë, edhe këtu mund të jetohet shumë mirë. Pastaj, varet se çfarë dhe sa kërkon, e me sa mjaftohesh.
– U bënë vite në muzikë. Pas kaq kohësh, mendon se ia njeh mirë rregullat këtij biznesi?

– Vërtet, vitet fluturojnë! Ndonjëherë, kur jam me nxënësit e mi në shkollë, ndihem ende ajo Marjeta në klasën e pestë, ku këndoi një këngë në orën e muzikës, dhe të gjithë shokët e shoqet e klasës së saj reaguan me një “Uau, sa bukur!”, duke ndezur tek ajo, shkëndijat e para të dëshirës për ta bërë muzikën pjesë të jetës. Siç e thashë, kur i futesh kësaj rruge, duhet të bëhesh gati psikologjikisht, që nuk është ashtu siç ti e shikon në TV. Ndoshta falë spektakleve të talenteve të reja apo në një rrugë tjetër, nuk është e vështirë të futesh në këtë rrugë. E vështira është të qëndrosh e të jesh gjithë kohën në treg. Duhet një investim shumë i madh financiar, pasi gjithçka që shikon publiku, kushton! Këngëtarët këtu në Shqipëri janë vetëfinancues, dhe shumica janë vetëmenaxhues. Është e vështirë të bësh vetë gjithçka!

Kete shkrim mund ta lexoni te plote ne gazeten Intervista qe e gjeni në të gjitha kioskat e Shqipërisë dhe të Greqisë. Mund t’ua dergojme edhe në adresën tuaj te emailit për vetëm 99 cent në muaj. Kontaktoni me ne në inbox

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Add a comment Add a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Post

Mjekësi/Më është dëmtuar vena e syrit

Next Post

KMC: Me Antre, sukses i garantuar

Advertisement