Fabjola Kuburi:- Lorela, një psikologe tashmë e afirmuar në media të ndryshme, emisione, gazeta e revista me këshillat e tua ndaj probleme aktuale psikologjike. Ti vjen me librin tënd të dytë “Çrregullimet e të nxënit” pas librit “Zvulo fëmijën tënd” që pati një impakt shumë të fortë në shoqëri, po ky libër si nevojë e kujt erdhi?
Lorela Garuli:- “Çrregullimet e të nxënit” ka ardhur për shumë arsye dhe nevoja. Është një tekst i cili i mungonte librarive, bibliotekave dhe auditoreve në mënyrë specifike. Sigurisht që tema ishte prekur dhe më parë, në vija të përgjithshme dhe më sipërfaqësore. Përtej qëllimit të shtimit të literaturës në shqip dhe me në fokus problematika që lidhen me fëmijët, ndër motivet kryesore të këtij botimi ka qenë ndërgjegjësimi dhe informimi i drejtë mbi këto vështirësi dhe crregullime. Kjo është një kategori nxënësish e cila për hir të së vërtetës në shumicën e rasteve nuk njihet nga të rriturit. Vështirësitë dhe nevojat e këtyre fëmijëve në vend që të marrin trajtimin dhe kujdesin e duhur nga prindërit dhe mësuesit, lihen pas dore, keqkuptohen dhe konsiderohen si indiferentë, neglizhentë dhe dembelë. Fatkeqësisht dhe gabimisht ka ndodhur që këta fëmijë jo vetëm janë lënë jashtë vëmendjes tonë, por madje janë stigmatizuar, paragjykuar dhe vënë përpara përgjegjësisë mbi ecurinë e ulët dhe vështirësitë që shfaqin në procesin mësimor. Ndryshimi i këtij perceptimi ose “mendësie” për këta nxënës, është ndër shtyllat kryesore konceptuale të librit.
– Të është dashur shumë kohë që ta sjellësh në formën përfundimtare dhe gati për lexuesin?
– Projekti dhe ideja për hartimin e këtij teksti ka nisur prej 3 vitesh. Është organizuar në 20 kapituj dhe përmban 3 llojet kryesore të crregullimeve të të nxënit që kanë të bëjnë përkatësisht me leximin, shkrimin, matematikën (disleksi, disortografi/disgrafi, diskalkuli), diagnozën dhe vlerësimin, trajtimin dhe ndërhyrjen, planet mësimore të personalizuara, instrumentet mbështetëse, rolin e shkollës e të familjes si dhe raste konkrete. Përvec prindërve, mësuesve e psikologëve, i drejtohet dhe studentëve.
– Sa e lehtë është për një psikologe të shpalosë idetë e qarta në një libër?
– Të shkruarit dhe të shprehurit qartë sigurisht që janë detyra të vështira, por njëkohësisht të domsodoshme për psikologët dhe profesionistët e shëndetit mendor. Duke qenë se komunikimi është në thelb të cdo marrëdhënieje njerëzore e më shumë se kurrë në rastin e psikologjisë si shkencë sociale, në gjykimin tim, shpalosja e ideve është një nevojë e pandarë e punës tonë. Natyrisht që nuk është e lehtë, sidomos kur duhen ndërthurur njohuritë akademike me ato praktike, si në rastin e këtij botimi.
– Cilat kanë qenë vlerësimet e para që ke marrë sapo publikove librin?
– Vlerësimet janë pozitive, dashamirëse, inkurajuese, nga miq, të njohur, të panjohur, njëkohësisht edhe nga kolegë e profesionistë të tjerë. Në njëfarë mënyre, vlerësimi për këtë botim është jo vetëm shpërblyes, por motivues për punë dhe botime të ardhshme.
-A ka pasur pritshmërinë e duhur, që do të thotë nga ana tjetër edhe numër i madh me probleme të tilla tek fëmijët?
– Sa i përket shifrave të fëmijëve të prekur nga çrregullimet e të nxënit në Shqipëri, se cila është përqindja e tyre dhe frekuenca e çrregullimeve, nuk ka të dhëna. Megjithatë, për të krijuar një ide se si është shpërndarja e këtyre çrregullimeve, mund t’u referohemi statistikave që vijnë nga vende të tjera. Psh në Itali, në një studim të vitit 2012, rezultatet treguan se prevalenca e çrregullimeve të të nxënit është rreth 3.2 %. Pra, përfërsisht 3 nxënës në 100. Këto shifra dëshmojnë se çrregullimet e të nxënit nuk janë kaq të rralla; shpërndarja e tyre është e tillë që meriton vëmendje dhe kujdes profesional të posaçëm.
– A po përjeton shoqëria shqiptare një krizë psikologjike le të themi në marrëdhëniet dhe më problemet e fëmijëve?
– Në fakt më shumë sesa krizë, do ta vlerësoja si një domosdoshmëri reale, ku prindërit kanë nevojë për më shumë informacion, dije, ndërgjegjësim, sensibilizim, vetëdijësim, mbi sesi të rrisin dhe të edukojnë fëmijë të shëndetshëm psikologjikisht. Sfidat e prindërimit janë të shumta; për këtë arsye shumë herë prindërit gjenden përballë situatave të vështira lidhur me qëndrimet që duhet të mbajnë me fëmijët e tyre.
– Sa mendon se do ndihmojë ky libër prindërit dhe më pas edhe direkt mbi fëmijët?
– Ky libër i shërben jo vetëm identifikimit të vështirësive, por orienton konkretisht për veprimtaritë dhe ushtrimet që duhen kryer në mënyrë që fëmijët të fuqizohen aty ku kanë më shumë dobësi. Në këtë pikë, u drejtohet prindërve dhe mësuesve dhe është një udhëzues praktik për të dyja palët. Është pikërisht ajo që quhet “aleanca edukative” mes shkollës dhe familjes, e cila ka të bëjë me marrëdhënien dypalëshe dhe bashkëpunimin e domosdoshëm prind-mësues. Sigurisht që detyra e prindit në radhë të parë është që të mirëkuptojë situatën dhe vështirësitë e fëmijës, e më pas së bashku me shkollën të përfshihet në mënyrë aktive në procesin e trajtimit dhe në ndihmën praktike që duhet t’i japë fëmijës për t’i lehtësuar të mësuarit dhe detyrat e shtëpisë.
– Lorela, tashmë ka një sensibilizim të madh ndaj përqasjes së psikologut, a është kjo pozitive për të hequr sadopak peshën e problemeve që shqiptarët janë mbërthyer aktualisht?
– Sigurisht që është pozitive. Raporti me psikologun dhe të kërkuarit e ndihmës apo këshillave të tij, është pa dyshim tregues i një shoqërie të emancipuar, e cila nuk ka frikë të kërkojë ndihmë për problematikat e ndryshme dhe mbi të gjitha, vlerëson drejt rëndësinë që ka shëndeti mendor. Ne si shoqëri jemi akoma në hapat e parë, por besoj me bindje se roli dhe prania e psikologut do të jetë përherë në rritje.
(Këtë shkrim mund ta lexoni të plotë në gazetën “Intervista”. Atë mund ta blini në të gjitha pikat e shitjes në Shqipëri si edhe në kioskat ku shitet shtypi i huaj në Greqi. Mund ta blini edhe online, vetëm për 1 euro ne muaj!