Matilda Bega, është vajza e një prej artistëve më të dashur të artit dhe skenës shqiptare e përkatësisht humorit, të të ndjerit Met Bega. Matilda është pjesë e studiove të Top Chanel prej 10 vjetësh dhe ndihet më së miri aty. Është për familjen tradicionale në debatin e fundit për çështjen e LGBT-ve ajo e mbrojti deri në fjalën e fundit familjen, në konceptin tërësor të saj. Matilda, rrëfen edhe disa aspekte të tjera të jetës së saj të cilat do ti zbuloni në këtë intervistë…!
Fabjola Kuburi:- Matilda Bega, një emër i dashur në media, po më shumë një mbiemër që mbart peshën e një prej artistëve më të mirë shqiptarë, i ndjeri Met Bega. Të njohim më shumë si Matilda gazetare apo vajza e Metit?
Matilda Bega:- Faleminderit! Më duhet të jem e sinqertë që më shumë më njohin si e bija e Met Begës, pasi unë kam dalë shpesh në ekran me babin në pjesë të ndryshme humoristike, të cilat transmetohen edhe sot e kësaj dite në ekran. Më pyesin shpesh kudo që shkoj: Ti je vajza e Metit? Më pas vjen pyetja kureshtare: Vazhdon të jesh gazetare? (Buzëqesh)
-Matilda, nuk dua të të prekë në telat e mallit, por a ke diçka që ke merak e do ta shprehësh me ne, përsa i përket babait tënd, të madhit Met Bega?
– Unë i kam bërë të tëra ato që mund të bëja për babain tim. Asgjë nuk kam peng. Thjesht do jepja vite nga jeta ime në mënyrë që ai të mos kishte përjetuar atë sëmundje aq të rëndë si Parkinsoni, sëmundje që e mundoi me vite të tëra dhe e çoi deri në atë gradë, sa në javën e fundit të jetës më pyeti: Kush je ti? Pas një jave, ai ndërroi jetë. Ai ka qenë momenti më i vështirë i jetës sime.
-Matilda, prej shumë vitesh je pjesë e në studiot e Top Chanel. Si erdhe ti në këtë televizion?
-Unë prej 10 vitesh tashmë punoj në gjigandin mediatik “Top Channel”. Jam e diplomuar në degën e gazetarisë, pranë Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë. M’u dha mundësia të punoj në emisionin investigativ numër një në Shqipëri, “Fiks Fare”, fillimisht si gazetare terreni dhe më pas, prej vitesh si monitoruese në rubrikën “Monitorimet”, që me aq mjeshtëri drejtohet nga i madhi Koço Devole. Ndihem mirë pasi jam edhe në sektorin tim pak a shumë, duke qenë vajzë humoristi.
-Me siguri, ndër fansat e tu më besnikë ti quajmë, janë dhe pjesëtarët e familjes, apo jo?
-Sigurisht! Mami dhe bashkëshorti janë fansat e im, madje shpesh janë edhe kritikë. Nuk ngelen pas edhe fëmijët, sidomos vajza ime Rea, që me sa kuptoj unë mund t’i futet botës së televizionit. Kurse djali i vogël, Geldi, është i prirur drejt humorit.
-Ke ndonjë angazhim tjetër veç televizionit?
-Përveç televizionit, jam mama, dhe më duhet të përkujdesem bashkë me tim shoq për dy fëmijët tanë, Rea 13 vjeçe dhe Geldi 7 vjeç. Djali besoj se do jetë trashëgimtari i gjyshi Metit, pasi ka shumë humor dhe ka një plastikë në fytyrë që më bën të mendoj se me mimikën që ka, do jetë një humorist i ardhshëm në gjurmët e gjyshi Metit, të cilin ai e kujton çdo ditë, edhe pse ka qenë vetëm 4 vjeç kur ai ndërroi jetë. I sheh filmat në YouTube, humore të ndryshme të gjyshit, dhe shpesh e imiton.
-Ndërkohë që të kemi parë mjaft të prerë në çështjen LGBT-së dhe kaosin që shkaktoi nëpër shkolla. Si e argumenton, je kundër dashurisë së të njëjtit seks apo shkon pak më tutje?
-Jo, absolutisht! Unë si Matildë nuk jam kundër dashurisë së të njëjtit seks. Mendoj se ata kanë të drejtën e tyre legjitime të dashurohen me kë të duan, por jam e prerë që ata duhet të rrinë larg shkollave dhe fëmijëve. Unë jam për familjen tradicionale. Jam dhe do të jem për këtë familje, pasi vetëm kjo mund të jetë bërthama e familjes, shoqërisë dhe njerëzimit. Komuniteti LGBT nuk mund të riprodhojë, dhe që këtu për mua kjo bisedë është e mbyllur. Familja është shtylla, është gjithçka. Një fëmijë nuk mund të rritet me dy mama apo dy baballarë. Kjo është jashtë natyrales. Ishin Adami dhe Eva, nuk ishin Eva dhe Eva apo Adami dhe Adami, apo jo? Mbroj vetëm një familje, atë tradicionale.
Kete shkrim mund ta lexoni te plote ne gazeten Intervista qe e gjeni në të gjitha kioskat e Shqipërisë dhe të Greqisë. Mund t’ua dergojme edhe në adresën tuaj te emailit për vetëm 99 cent në muaj. Kontaktoni me ne në inbox!