Reforma në Drejtësi, që premtoi në zgjedhjet parlamentare të 2013-s dhe ndërmori më vonë Kryeministri Edi Rama tashmë ka zhgënjyer këdo shqiptar, por edhe faktorët politikë ndërkombëtarë, të cilët fillimisht edhe ata shpresuan te Edi Rama. Ndonëse ka 5 vite që qeveris, kryeministri Edi Rama nuk ka dashur të zbatojë asnjë reformë rrënjësore, në kuadrin e luftës kundër korrupsionit, as në ato reforma të cilat do të mundësonin integrimin e Shqipërisë në BE. Pas 5 viteve qeverisje, gjithëkush u bind se kryeministri Edi Rama nuk ka asnjë dëshirë politike të luftojë korrupsionin, as të integrojë Shqipërinë në BE. Kryeministri Edi Rama, në qeverisjen e tij u bë simbol i korrupsionit me koncensionet dhe tenderimet publike të pasurive të Shqipërisë. Kryeministri Edi Rama nuk mund të dojë kurrsesi integrimin e Shqipërisë në BE, pasi jashtë BE është i paprekshëm korrupsioni i qeverisë së tij. Është precedent i paparë, i pandodhur në asnjë shtet, që ministri i Brendshëm të hetohet nga Drejtësia Italiane për trafikim ndërkombëtar të Hashashit dhe deputetët e kryeministrit Edi Rama të mos lejojnë prokurorin të hetojë deputetin socialist. Atëhere, a ka kuptim politik dhe ligjor më Reforma në Drejtësi? Atëhere, a mund të pretendohet akoma në Shqipëri që Drejtësia është e pavarur dhe e paprekshme nga Pushteti Ekzekutiv? Në kë shtet ligjor kartonat e deputetëve të maxhorancës mund të pengojnë prokurorinë të hetojë munistrin për pjesëmarrje dhe bashkëpunim aktiv me Mafien në krim? Kjo ndodh vetëm në shtetin e kryeministrit Edi Rama. Sikur të mos mjaftonin këto, kryeministri Edi Rama përgatit një projektligj të ri, për të përcaktuar standarte të reja ligjore, ndaj prokurorisë, në kërkesat e saj për heqje të Imunitetit politik ndaj ministrave dhe deputetëve. Kryeministri Rama kërkon realisht me këtë projektligj të detyrojë prokurorinë që t’i marrë leje atij, si kryeministër, për të kërkuar heqjen e imunitetit ndaj ministrave dhe deputetëve. Dihet që kryeministri Rama urdhëron çdo karton të deputetëve. Ky projektligj i kryeministrit Rama jo vetëm është absurd, pasi Parlamenti ka miratuar kohë më parë heqjen e imunitetit të zyrtarëve të lartë të shtetit dhe deputetëve, në rastet e korrupsionit dhe inkriminimit, por është edhe atentat kushtetues ndaj Kushtetutës së Shqipërisë. Nuk mund të detyrojë asnjë ligj që prek Kushtetutën (ca më pak i miratuar nga shumica e thjeshtë e Parlamentit) prokurorin që të paraqesë paraprakisht në Parlament të gjithë dosjen hetimore ndaj ministrit e deputetit, për të kërkuar heqjen e imunitetit. Nuk ndodh në asnjë shtet demokratik që Parlamenti të gjykojë mbi provat hetimore të prokurorisë, nëse duhet hequr imuniteti i ministrit dhe deputetit. Vetëm kryeministri Rama e kërkon këtë që kompetencë kushtetuese të Prokurorisë ta rrëmbejë dhe ta ketë Parlamenti i tij, si armë, si mburojë për të mbrojtur ai, si kryeministër korrupsionin dhe inkriminimin e ministrave dhe deputetëve të vet. Kryeministri Edi Rama me projektligjin që përgatit për kriteret e reja ligjore të Prokurorisë për kërkesat e heqjes së imunitetit të zyrtarëve të lartë të shtetit dhe deputetëve, haptaz bëhet Imunitet i vetë korrupsionit dhe inkriminimit. Bashkimi Europian përsërit sa herë që në Shqipëri korrupsioni dhe inkriminimi i shtetit dhe i politikës nuk luftohen. Pas 5 viteve të qeverisjes së kryeministrit Rama, kur Bashkimi Europian kritikon me forcë Shqipërinë për pandëshkueshmërinë e korrupsionit dhe të inkriminimit, qartazi fjala është për korrupsionin dhe inkriminimin e qeverisë së kryeministrit Edi Rama.