“ZBULO FËMIJËN TËND”
Përgëzoj dhe uroj për librin më të ri të botuar nga psikologia pasionante Lorela Garuli me titullin kuptimplotë “Zbulo Fëmijën tënd”-ku ajo bën një interpretim shkencor të vizatimeve të fëmijëve.Janë këto vizatime që e zhvillojnë më tej këtë moshë të brishtë,kur dihet se të gjithë ata zakonisht vizatojnë,por natyrisht jo të tërë do bëhen piktorë të mirëfilltë, po te kjo moshë edhe me këtë art grafik, ndikimi në gjallërimine imagjinatës do të jetë i dukshëm.(Unë e kam vënë re te mbesa ime Livia, e cila ka kryer shumë vizatime qysh nga mosha 4-5 vjeçare, të paraqitura edhe në librin tim për të”Buzëqeshja e Livias”).
Psikologia Garuli prej kohësh ka tërhequr vëmendjen e lexuesve të shumtë te gazeta jetëgjatë dhe e mirënjohur në Shqipëri e gjetkë”INTERVISTA” me shpjegimet e saj për tema të ndryshme për “Psikologjinë”siç bënte pak kohë më parë edhe prof.Jashar Demiri.
“Vizatimi është një formë shprehjeje si e tillë,-shkruan në libër L.Garuli,vlen si një mjet i mirëfilltë komunikimi”,ndonëse është i vetvetishëm dhe argëtues njëherësh.Është gjithashtu e njohur se shumë fëmijë më përpara fillojnë të vizatojnë se sa të mësojnë shkronjat dhe numrat. Kontributi i autores në këtë fushë është i ndjeshëm dhe për të vlerësuar të shpalosura në mediat e shkruara dhe atyre pamore. Në librin “Zbulo fëmijën tënd” me 220 faqe, ajo na paraqet 80 vizatime të ndryshme, ku aty-këtu bën interpretime përimtuese me kompetencë shkencore për shumicën e tyre.Libri i psikologes së re të talentuar, Lorela Garuli, përveçse studiuesve dhe studentëve të fushave të ndryshme të disiplinave shkencore,po gjithashtu do t’ju shërbejë edhe prindërve në përgjithësi e punonjësve të kopshteve e të shkollave të ciklit të ulët në veçanti dhe kështu me radhë…
Pa u humbur kuriozitetin lexuesve të shumtë për këtë nismë të vlefshme të autores, le t’ua lëmë fjalën atyre për ta përvetësuar librin në fjalë, i cili pos të tjerave përmban 60 burime literature në gjuhë të ndryshme.
Unë në fund shpreh dëshirën që psikologia Lorela të ketë përveç punën me studentët dhe mediave edhe një studio të veçantë për t’u ardhur në ndihmë njerëzve në nevojë.
IZET S.ÇULLI, neuropsikiatër,Tiranë