Verën e kaluar, reperi i njohur nga Prishtina, Getoar Selimi, ra pre e një grabitjeje në apartamentin e tij në zonën “Kodra e Diellit” në Tiranë, pasi një vajzë 17vjeçare i vodhi orën 35 mijë euro. Direkt pas ngjarjes, vajza me inicialet D.K. u arrestua nga Policia e Tiranës pasi u mësua se ishte e bija e pastrueses, që këngëtari kishte punësuar për t’u kujdesur për apartamentin. 17vjeçarja shkoi në shtëpinë e tij së bashku me nënën e saj, dhe fshehurazi saj vodhi orën “Hublot”, që kushtonte 35 mijë euro. Burime nga Policia e Tiranës bënë të ditur pas ndodhisë se grabitja u krye në momentin kur Getoar Salimi dhe e dashura e tij, Marina Vjollca, nuk ndodheshin në shtëpi, shkruan panorama.
Vajza me banim në Kamëz ia dha orën të dashurit të saj, Mërgim Lala, për ta fshehur në banesën e tij, por nuk vonoi shumë pasi ajo dhe i dashuri 20vjeçar u arrestuan. Tashmë vetëm disa muaj pas ngjarjes, Gjykata e Tiranës ka përfunduar Gjykimin, duke e shpallur fajtore vajzën dhe të dashurin e saj. Sipas vendimit, Gjykata e ka shpallur fajtore vajzën me inicialet D.K. me 4 vjet e 6 muaj burg. Dënimi i saj ka shkuar në 3 vjet burg, për shkak të uljes së një të tretës si rrjedhojë e gjykimit të çështjes me procedurën e gjykimit të shkurtuar. Me gjithë këtë dënim, ajo nuk do të vuajë dënim në qeli.
Në përfundim, Gjykata e Tiranës ka vendosur të pezullojë ekzekutimin e dënimit me burg, duke e lënë në liri me kusht për një periudhë 5 vjeçare. Gjatë kësaj periudhe, e pandehura duhet të mbajë kontakte me Shërbimin e Provës dhe nuk duhet të kryejë asnjë vepër tjetër penale. Gjatë hetimeve paraprake, si edhe gjatë gjykimit, ajo ka pranuar faktin e ndodhur duke shpjeguar mbi ngjarjen. Gjykata ka deklaruar të fajshëm edhe të dashurin e saj, personi të cilit i ka dhuruar orën e Getoarit, pasi e ka vjedhur atë. Ai është shpallur fajtor për akuzën e “moskallëzimit të krimit”, pasi, ndonëse kishte mësuar se ora ishte e vjedhur, nuk e ka denoncuar atë. Djali është dënuar me 4 muaj burg, por përfundimisht gjykata e ka pezulluar ekzekutimin e këtij dënimi. Ai po ashtu do të mbajë kontakte me Shërbimin e Provës për një periudhë 18 mujore.