Dark Mode Light Mode

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Follow Us
Follow Us

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use

Seferina Serani kjo Humaniste e heshtur! Nga MIHAL  LLAQI JANO

mihalaqJeta është shumë misterioze. Ka të pa pritura të shumta, të këndëshme e të hidhura, të dëshiruara e të pa dëshiruara, po gjithnjë ajo është e bukur dhe e dashur për ta jetuar. Ndonjëherë jeta të privon, të jep edhe ndonjë ‘’shuplakë’’, edhe kur nuk e meriton. E rëndësishme është, që kurdoherë të ndihesh i ri në shpirt e në mendime, të qeshësh e këndosh dhe të harrosh kështu edhe vitet që mbanë me vete, thinjat edhe rrudhat që të shtohen përditë. Kjo është jeta dhe kështu do të vazhdoj të jetë.

Vitet kalojnë shumë shpejt e si pa u ndjerë dhe jeta ecën e bënë të sajën. Herë pas here, të afërm, miq, shokë e shoqe largohen përgjithmonë nga kjo botë. Ne e mbajmë të hapur ditarin e kujtesën. Përditë e më shumë  e shtojmë shkallën e njohjes. Bëjmë sa mundemi, por më shumë duhet të bëjmë për të ndihmuar njëri tjetrin, sidomos për kalimin e vështërsive që na dalin në jetë. Shpesh kujtojmë shokët, kohërat e largimit të madh të shqiptarëve, emigrimin  masiv e të imponuar, si pasojë, mbase edhe nga rrethanat politiko – shoqërore, e  më tepër edhe ekonomike. Jane shkruar shumë, e përsëri do të shkruhet, e megjithatë mbetet ende shumë për të bërë në të ardhmen. Nevojtet, që në vazhdimësi, të publikohet me shkrime reale, në organet e shtypit, të flitet në televizione  e të dalin për lexuesit, revista, libra, albume, etj., ku të pasqyrohet ajo punë e madhe që është bërë, edhe në emigracion.

Nuk kish të zgjedhur dhe të përveçëm, në këtë ikje kaq masive. Kishte nga të gjitha ngjyrat politike e shoqërore, mes tyre edhe intelektualë, që kishin dëshirën, mëndjen dhe duart, për të realizuar një jetë më të mirë e të sigurtë. Në këtë eksod masiv, pas viteve ’90, u largua edhe ’’llumi i shoqërisë’’, që është i pa shmangshëm në të tilla çarje e lëvizje, që morën  përmasa të largimeve biblike.

Advertisement

U shquan shumë njerëz e u evidencuan mjaft ngjarje, që kanë mbetur deri sot në kujtesën tonë, si gjerdan i art. Edhe ata meritojnë vëmendjen dhe respektin, për kontributin që dhanë, me aq sa kishin mundësi në ato kohra të vështira. Kanë kaluar 26 vjet, plot shkrime janë publikuar e vazhdojnë të publikohen,  si : romane, tregime, poezi, muzikë e art. Janë aq shumë materiale e me vlera, sa do mjaftojnë për të bërë ndofta edhe një enciklopedi, për Emigracionin.

Gjatë kësaj periudhe njohëm shumë njerëz të mirë, por edhe të neveritshëm, që nuk kishin asgjë për të thënë e për të dhënë, por vetëm përpiqeshin të përfitonin. Ashtu siç kishin formimin moral dhe arsimor, bartës të një karakteri të rrënuar, ashtu kanë lënë pas edhe gjurmët plasaritëse, në jetën tonë sociale e shoqërore.

Eshtë normale e detyrim moral, të shkruash, për figura që kanë  kontribut edhe në fushën e emigracionit. Ka shumë personalitete  të njohura, të letrave, por edhe të punës, që nga “këndi” i  mundësive kanë kontribuar e vazhdojne të kontribojnë, pavarsisht nga kushtet e rrethanat, që kanë patur dhe kanë personalisht. Njëra nga to, për të cilën do tregojmë  është edhe  Seferina  SERANI.

Seferina është një artiste e shquar, që i është përkushtuar tërësisht artit fotografik. Në vitin 2001, ajo ka përfaqësuar denjësisht Shqipërinë në Ekspozitën e Parë Ballkanike, që u zhvillua në qytetin e Selanikut,  në të cilën morën pjesë  33 artistë fotografë, nga të gjitha vendet e Ballkanit. Ky aktivitet i nivelit të lartë u organizua mjaft mirë nga Ministria e Kulturës Greke. Shqiptarja jonë Seferina Serani, pervec fotove te eksopzuara ne sallat e Universitetit “Gëte”beri edhe nje prozhektor me slideshow te 250 foto piktoreske nga e gjithe Shqiperia para 33 kolegeve ballkanas. Punimet e saj u pelqyen dhe vlersuan dhe surpriza nuk vonoi te vinte te nesermen nga “përfaqësia rumune’’ që e përzgjodhi të ishte e ftuar “nderi“ pas një muaji në një Ekspozitë Kombëtare, të vetën në Bukuresht për te prezantuar të njenjtin slideshow për Shqipërine ne Rumani. Ajo ka një  bagazh të pasur artistik dhe shume ekspozita personale e kolektive. Ka qënë edhe nje tjetër arritje madhore në artin e fotografisë për të, ne shtetin Grek.

Në vitin 2007 në një ekspozitë gjigande greke “Athina ne Shekullin e XX” Seferina Serani rradhitet si e vetmja artiste e huaj, me punimet e saj të përzgjedhura nga komisioni që vendosi që të jetë ajo përfaqësuesja e vetme nga të 25 Komunitetet pjesmarrëse të huaja që emigronin ne Greqinë fqinje. Në atë ekspozite historike organizuar nga vetë Presidenti I Republikës greke z. Karolos Papulias ne Athinë (veprat e artistes shqiptare, perfaqësonin 10 vjecarin e fundit te Shekullit te XX.

Në vite ka hapur shumë ekspozita personale dhe kolektive dhe ka qënë fituese e shumë konkurseve fotografike. Eshtë lauruar me Diploma e Çmime  Ndërkombëtare, si artiste dhe Fotoreportere. Ka bashkëpunuar e kontribuar për shumë vite, me të gjitha organet e shtypit shqiptar dhe ato greke.

Pas përfundimit me sukses të studimeve në Greqi, për Media Vizive, Seferina I neneshtrohet edhe provimeve të Shtetit dhe komisonit te përbëerë nga 16 profesore te regjisures, kineaste dhe skenariste mjeshtra te botës vizive në Ministrinë e Kulturës Greke. Këto provime bëheshin për të marrë Licensën profesionale të kësaj Ministrie për të ushtruar profesionin e gazetares në Televizione si dhe Kinematografi. Ajo ka experience të pasur në shtypin e printuar dhe gazetarinë radiofonike dhe një përvojë të gjatë si gazetare “terreni” e kudogjendur, (do te ishte përsëri ajo), e para femër shqiptare, që filloi punën e gazetares mediatike në Televizionin Grek.  Fillimisht e nisi punën në Stacionin Televiziv “10 Channel”, si  redaktore dhe prezantuese e lajmeve në gjuhën shqipe. Transmetonte për emigracionin shqiptar, një buletin të përditshëm televiziv prej 15 minutash. Këtë emision e ka drejtuar për tre vjetë e gjysëm, pa ndërprerje.

Gazetarja  shqiptare,  Seferina  Serani, për nga mosha dhe kontributi  i vazhdushëm ndër vite, është një “emblemë” e vërtetë, e parë  edhe në fushën e humanizmit, të cilës ajo, si  Shënjtorja “Nënë Tereza“ është përkushtuar pa rezerva.

 Seferina është një “arshivë e gjallë” e jetës së emigracionit shqiptar. Nuk kishte ngjarje apo aktivitet me emigrantët në Greqi, ku të mos ishte e pranishme ajo, vajza e Kombinatit të Tekstileve të Tiranës Seferina Sefer Serani. Kudroherë e pranishme me fjalën e saj të ngrohtë, sigurinë e pastërtinë e mendimit progresist. Ajo  përçonte në masat e emigrantëve, frymën besimit dhe shpresës, për të ecur denjësisht e krenar nëpër rrugët e vështira të jetës. Janë shkrimet e saj pafund, filmimet dhe fotot e shumta, që përcjellin mjaft mesazhe, e që përbejnë, një histori reale të shkruar, të emigracionit shqiptar në Greqi.

Këto ditë, kam biseduar në Nju Jork, me publicistin e njohur, dr. Jorgji Muzakën, autor i disa librave me vlera, për njerëz me kontribute, në çështjen kombëtare. Nga biseda me të, mësova, ndër të tjerave, se ka në duar e po shkruan një libër për Emigracionin. Aty ka si objektivë, që të evidencoi, mes të tjerave, edhe punën plot pasion të Seferinës, në fushën e krijimtarisë së saj. Madje, ai më foli me shumë respekt për të dhe, më vuri në dijeni se edhe në kopertinën e librit, që do të publikoi së shpejti, do që të vendosi një ndër fotografitë artistike të shumta të Seferinës, që ajo ka realizuar, gjatë kohës në emigracion, në Greqi. Dr. Jorgji Muzaka, më foli me shumë konsiderate e respekt për punën e saj të madhe dhe bashkpunimin e suksesshëm, që ata kanë patur së bashku.

Ja vlen të ndalemi konkretisht në kontributin e Seferinës, në ‘’Humanizmin’’ e saj.  Ajo u është gjëndur kurdoherë pranë, njerzëve në nevojë. Atyre, që ishin e janë më në hall se te tjerët, siç janë të sëmurët, aq më tepër, kur familjet e tyre, janë të varfëra e ata krejt të braktisur, në rrugën e madhe e të mundimëshme, në dhé të huaj.

Njerëz të tillë si Serafina me zëmër të madhe dhe shpirt human, janë të rrallë!

E kisha njohur në rrethana të tjera Seferinën, në vitin 1998 rasti e solli t’a ndjej nga afer humanizmin  e saj edhe në familjen time. Djali im, Marseli, duke luajtur, u aksidentua rëndë në ashensorin e shkallës, në ambjentet e pallatit ku banonim, në Athinë. Ne rendëm ne urgjencë. Ajo erdhi menjhere sa e njoftuam. Aty u interesua pranë ekipit mjeksor të e spitalit, ku djalin e dërguam për kurim. Komunikimi i saj, si njeri human, si motër, si nënë dhe shoqe e mirë, aq sa ju bëri përshtypje të gjithë mjekëve, personelit të shërbimit, por edhe pacienteve  në spitalin ‘’Llaiko’’, në Athinë.

Aty, e në të tjera takime, por, edhe në shkrime,  kam lexuar dhe mësuar shumë për “bamirësinë dhe humanizmin” e saj. Kur shteti dhe shoqëria shqiptare, nuk ndihei aq sa duhej dhe shqiptarët kishin halle,  e kur nuk dinin nga t’ja mbanin, drejtoheshin tek ajo, që mishëronte modelin, modestinë dhe shpirtmirësinë. Ata njerëz halleshumë merrnin rrugën e kurbetit me nje fëmijë të sëmurë ndër krahë duke care mallet e Greqise veriore dhe ecnin në këmbë, natë dhe ditë i luteshin me përgjërim, “Hënës së Errësirës” që t’i ndihmonte e të shpëtonin nga kontrollet e ‘’fshesat’’ e policisë ekstremiste greke, e fundshekullit të kaluar. Ata njerëz të vuajtur,  me besimin e plot në “Zot’’, shkonin me shpresë  dhe shpresa nuk i gënjeu, pranë tyre u gjënd, një njeri zëmërbardhë, Seferina shoqja  jonë e mirë.

Kur i telefonoja Seferinës për ndonjë aktivitet shoqëror, ajo më përgjigjei –“Do vij, ja sa të mbaroj me një të sëmurë. Ai ka nevojë për mua, është tepër i varfër, nuk di as gjuhën greke. Mjekët po kështu kërkojnë  ndihmën time  për secilin pacient te vogël. Një vogëlush pret radhën për t’u operuar. Eshtë me vrimë në zemër. Mjekët, nuk e fusin dot fëmijën në sallën e operacionit, po qe se unë, nuk ju siguroj “Librezën Shëndetësore”– më përgjigjei ajo nëpërmjet telefonit–. Përveç shumë nevojave të tjerave ne spitalin e fëmijëve të Ajia Sofias në Athinë, Seferina shërbente edhe në rolin e përkthyeses mes mjekëve e prindërve të fëmijëve pacientë.

Për dikë duhet të rendte në Ambasadën Shqiptare e më pas në Ministrinë e Shëndetësisë Greke, deri sa të nxjerrte, të shumëpriturën “librezë Shëndetësore” dhe të fillonte operimi i pacientëve fëmijë, për t’ju shpëtuar jetën, këta mjek të mrekullueshëm, që bashkëpunonin me Seferinën.

Lind pyetja si dhe kur, u fut ajo në këtë rrugë “bamirësie” dhe pse?  Ishte “Mega TV”, që foli për një operacion të vështirë, që behej për herë të parë në shkencën e mjeksisë. Realizohej një ndërhyrje kirurgjikale me  sistemin “Telesinthesi” dhe operacioni ndiqej në lidhje direkte në tre shtete, France, Luxemburg dhe Boston. Një operacion i vështirë në zemrën e një vogelushi shqiptar, 20 muajsh nga Maliqi i Korçës. Ky operacion doli me sukses. Ajo me të dëgjuar lajmin, rendi direkt e në Spitalin “Aghia Sophia”, ku ishte bërë ky operacion. U paraqit në emër të gazetës për të cilën punonte në atë kohë. Kjo ishte gazeta e parë shqiptare, “Vëllazerimi”. Ajo, intevistoi  mjekun – professor, që kreu operacionin, z. Johanis Stinjos dhe e fotografoi  bashkë me ekipin mjeksor dhe fëmijen shqiptar mes tyre. Kjo foto pushtoi kryefaqen e gazetës dhe dy faqe komplet brënda saj. Gjithëçka i përkushtohei, mjekëve, që shpëtuan fëmijën shqiptar të sëmurë rendë. Titulli i shkrimit ishte shumë  domethënës, “Bijtë e Hipokratit dhe fëmijët e Shqipërisë”.

Në momentin që Seferina u paraqit për t’i falenderuar dhe shkruar për punën e tyre, mjeku e prezantoi me 10 fëmijë të tjerë, që rrinin të shtrirë në pavionin e tij dhe prisnin, “Librezën Shëndetësore” e mandej të futeshin në operacion.  Ato libreza, në atë kohë jepeshin, shiteshin nën dorë nga spekulante me cmime te kripura per xhepat e shpuar te emigranteve te mjere shqiptare. Familjet e varfëra shqiptare që kishin ardhur në Greqi, nga malet, të shpëtonin fëmijën shëndetlig, nuk e siguronin dot këtë shumë parash. Gazetarja me të parë gjëndjen e rëndë shëndetsore të atyre fëmijëve të mitur ku ngjyra e fytyrës së tyre  pothuajse ishte e pajetë I kërkoi Dr. Stinios të përgatiste rradhën sejcilit fëmijë dhe mori, përsipër që t’i  siguronte ajo vet, këto libreza, pa paguar asgjë familjet e interesuara dhe u nis menjëherë të shkruante për reportazhin për mjekët e atij spitali që shpëtonin jetë fëmijësh se koha nuk priste më, duhej të siguroheshin “Librezat Shëndetsore”.

Ishte ajo që me vendosmërinë e saj, që e çoi deri në fund detyrën që mori përsipër. Njëri prej fëmijeve me të cilin ajo ishte ’’e dashuruar’’ Kristin e vogël, 6 muajsh, nga Mirdita, të cilin ajo, e trajtonte me më shumë interesim. Ai ishte më I vogli nga të gjithë të tjerët në pavion dhe ai, kishte ardhur ne jetë, për të shpëtuar nënën e tij nga ndarja me burrin. Familja i kërkonte bashkshortit ta ndante gruan sepse nuk ju kishte sjellë një djalë, veç dy vajza. Kanuni e donte një djalë dhe ai erdhi, por me një vrime të madhe në zemër.

“Të lutem doktor, ma shpëto Kristin”- i lutej Seferina, doktor Stinjos, – se, ashtu m’i ka hallet ai fëmijë” Dhe doktor  Stinjos, duke tundur kokën me mosbesim, i përgjigjej: – “e di që është dobësia jote ai vogëlush, por vrima në zemrën e tij, është shumë e madhe dhe nuk jam shumë optimist, por unë do bëj të pamundurën’’ Dhe ai e bëri atë.  Operacioni u krye me sukses, por, pas dy javësh Kristi  i ëmbël me sy të kaltër dhe buzegaz, vdiq. Familja, kur erdhen e e marrë trupin e brishtë të birit të vogël, Leka, i ati , i  kishte thënë gazetares tek po qante dhe ndahej me vogëlushin e saj, me të dashur: ‘’Ju zonja Serani, jeni amaneti i djalit tim. Përherë do te jeni në krye të familjes sime! Ky mbeti i vetmi rast vdekjeje, në të gjithë atë punë të madhe e delikate dhe operacioneve te panumërta nga duart e arta të profesor Stinjos. Ky rast e pikëlloi Seferinë dhe e bëri më të ndjeshme karshi fëmijëve dhe njerëzve në nevojë, në përgjithësi. Sot në facebook, Seferina ka korespondencë me tre vajza të reja  të bukura e të zgjuara, të cilat, janë (tre nga ato vogëlushet e dikurshme), që ju nënështruan opracionit me duart e arta të Dr. Stinjos, (si dhe Kristi) me të vetmin ndryshim, se ato, jetojnë dhe I janë asaj mirënjohse por, edhe ajo është e lumtur për ecurinë e tyre, në jetë plot vitalitet, rini e bukuri.

Ky afrim e bashkpunim me mjekët e këtij spitali, do të ndikonin edhe në lidhjen e një miqësie dhe respekti të ndërsjelltë, midis tyre. Nëpermjet Seferinës, Ambasada e Republikes së Shqipërisë I dërgonte cdo vit, Dr. Stinios ftesë ne diten e flamurit ne pritjen Diplomatike ne shenjë nderimi dhe ai gjithmonë vinte plot kënaqesi e fliste me Ambasadorin Robo etj. Dhe kjo miqësi ka ardhur falë formimit, sjelljes e humanizmit të gazetares Seferina Serani.

Ajo ndiqte gjëndjen e fëmijëve që operoheshin pothuajse përditë në spitalin “Aghia Sophia”-Athinë. Disa hynin në spital të tjerë dilnin dhe persëri duhej të vinin, për kontrroll tek mjeku i përkushtuar Dr. Stinios në pavionin e kardio-kirurgjisë pediatrike të spitalit të mirënjohur‘’Aghia Sophia’’ . Kur vogëlushi, që u operua i pari e ishte nga Maliqi, kur duhej të vinte per kontrrollin e zemrës nga Volosi, rreth 500 km larg Athinës, Dhimitri, i ati i vogëlushit, gjithmonë telefononte ditë më parë Seferinën, për ta pasur pranë, për nevojat mjeksore të të birit, pasi asaj i hapeshin portat kudo.  Një here tjeter vëllai i tij Aristoteli, operon njërin sy. Ai ishte nën kriza pas operacionit dhe Dhimitrit i duhej të shkonte për gjithë natën urgjent, në Volos se fëmija i tij i sëmurë edhe ai, ishte ne kriza kardiake. Në mesnatë, ai i telefon gazetares Seferina Seranit dhe iu lut, që të shkonte në mëngjes heret në spitalin ‘’Hippocrates’’ të Athinës, tek koka e të vëllait, mbasi  ishte rëndë. Ata nuk njihnin njeri tjetër në Athinë. Serefina pa e bërë fjalën dy, në orën shtatë të mëngjesit, ishte tek koka e pacientit shqiptar, të cilin ajo vet, nuk e kishte njohur kurrë më parë. Ai banonte e punonte si “rritës derrash” në Volos. Kjo, nuk e pengonte gazetaren humane, që të ndihmonte  “njëriun”, pavarsisht se kush ishte e nga vinte ai.

Ishte përsëri Seferina ajo që i ndenji, deri sa mbylli sytë, në Spitalin ‘’Evangelismos’’, arvanitasit të madh Aristidh Kola dhe ishte po ajo që organizoi edhe varrimin e tij, në emër të familjes Kola. Ajo organizoi një varrim madheshtor, për përmasat e atij burri. Gjithashtu, Seferina njoftoi shokët e tij dhe të saj më besnik, mes tyre edhe mua. Me përpjekje e për gjithë natën ne telefonuam nëper Athinë e periferite e zones ku jetonin te shperndare emigrantet shqiptarët dhe siguruam një pjesmarrje të lartë me  mbi  500 shqiptarë, ku sipas kërkesës dhe tradites sone ne ceremonin mortore, me ne krye  Seferinen pjesmarrësit burra dhe femrat erdhen të veshura krejt me të zeza.

Ishte përsëri, Seferina Serani, që i ndenji tek koka për një kohë të gjatë, në spitalin ‘’Elena’’ të Athinës basketbollistes së shekullit, Zamira Kolecit, deri sa dha shpirt e u nda nga jeta, më 26 nëntor 2006. Ajo si përherë ndihmoi familjen e sportistes së madhe edhe për ceremonin funerale të përcielljes dhe e shoqëroi trupin e saj, deri në banesën e fundit, në qytetin e Korçes së bashku me familjen Koleci.  Në Korçë, ajo u prit me shumë nderime, e respekt nga gjithë elita sportive e Korçës. Zamira Koleci, kur ishte gjallë kishte njoftuar gjithë të afërmit dhe shoqërinë  e saj, për mbështetjen që i jepte cdo ditë gazetarja Seferina Serani.

Po ashtu, (si për basketbollisten), ajo veproi edhe për vdekjen e një emigrant, Arian Bardhi, nga Fieri, i cili vdiq prej një infakti të miokardit, krejt papritur, duke lënë 3 fëmijë të vegjël ne rrugen e madhe e te veshtire te jetes. Ishte Seferina ajo, që ju gjënd pranë familjes, ndihmoi për të sjellë shërbimet funerale dhe e shoqëroi trupin e emigrantit dhe familjen e tij, nga Athina deri në shtëpi  në vendlindje.

Aktori  i  madh shqiptar, Kadri Roshi, shtrohet në gjëndje të rëndë, në spitalin privat,’’Qendra Shëndetësore’’ i shoqëruar nga ish kryeministri, Fatos Nano. Lajmi u perhap kudo dhe Seferina pasi jepte lajmet në TV dhe pas 30 minutash, ishte  pranë tij dhe e ushqente atë si fëmijë. Artisti  kënaqej, sepse pak më parë, në televizotin e dhomës e kishte parë atë, të fliste shqip në televizionin grek. Ai filloi ta thërriste’ ’Mira e babait’’. (Mira është emri i vajzës së aktorit tonë të njohur e të nderuar, Roshi). Në spital, – më tregonte Seferina– një ditë një infermier “tip” u soll brutalisht, me shënja raciste, kundër artistit të madh shqiptar. Ai e kapi dhe e lëshoi të sapo operuarin, Kadri Roshi, në krevat, sikur të ishte një thes me rroba. Kjo ndodhi në syt e saj dhe të nuses së djalit të tij Klitit, (Mela). Seferina kërkoi menjëherë  drejtuesit e spitalit dhe ju kërkoi atyre shpegime dhe distancimin e menjëhershëm të infermierit nga pavioni ku ishte aktori I madh shqiptar. Drejtori i spitalit, erdhi dhe i kërkoi falje Kadri Roshit, Seferinës dhe Meles e cila, ende ishte e përlotur. Në vdekjen e artistit, familja Roshi e njoftoi për ceremoninë mortore dhe ajo, me Melën udhëtuan për gjithë natën për të marrë pjesë në lamtumirën e fundit të Kadri Roshit, që e donte gazetaren dhe e kishte pagëzuar me emrin e së bijës, duke e quajtur ‘’Mira e Athinës’’

Shpesh ambasadori ynë në Athinë,  Kastriot Robo, e kishte shoqëruar Seferinën në pavionet spitalit të fëmijëve ’’Aghia Sophia’’. Ai edhe në vlersimet, që i bënte punës dhe humanizmit të Seferinës, para aktivistëve të shoqatave të emigranteve që vepronin, në Athinë, nuk kursehej ta falenderonte me “theks” të veçantë.

Ajo ju fut vet vullnetarisht, me përkushtim këtij shërbimi, duke sakrifikuar. Rrinte pranë të sëmurëve, dëgjonte shqetësimet prindërve e tyre në lidhje me shëndetin e fëmijëve dhe komunikonte me mjekët. Mundësonte  plotësimin e dokumentave dhe formularëve të domosdoshëm në Ambasadë e Konsullatë, si  dhe në Institucionet e shëndetësisë greke. Çdo gjë ua bënte vullnetarisht hallexhinjve shqiptarë, duke shpenzuar shumë kohë për plotësim e këtyre dokumentave.  E bënte këtë gjë me vetdije edhe pse kishte kosto jo të vogël. Këtë e bënte falë formimit dhe shpirtit të saj human, që e karakterizonte.  Ajo, asnjëherë nuk pranoi para (të holla), nga këto familje te vobekta, kur dihet mire, se shërbimet që realizoheshin prej saj, kishin kosto të larta.

Johanis Stinjos ishte kryekirurgu që në krye të mjekëve të spitalit ku punonte, realizoi në kohë me profesionalizëm, humanizëm e me mjaft sukses, të gjitha operacionet me të sëmurët e vegjël shqiptarë. Dhe ishte ky kontribut edhe i Seferinës, që në ambjentet e spitalit, të  ishte i pranishëm shumë herë  edhe ambasadori i vendit tonë në Athinë, z. Kastriot Robo. Ai shkoi në atë spital I shoqëruar nga gazetarja, për të falenderuar mjekët dhe personelin e spitalit, për trajtimin e mirë, që ju kishin bërë ata bashkatdhetarëve tanë.

Seferina gjatë këtyre viteve ishte bërë si e shtëpisë në pavionet e spitaleve. Atë e njihnin dhe e respektonin jo vetëm shqiptarët që i kishte zënë halli, por edhe punonjësit e spitalit, sepse shpesh komunikonin me të, në gjuhën greke, për të sëmurët e vegjël e të mëdhenj, kur të afërmit e tyre nuk dinin të komunikonin në gjuhën e vëndit. Ishte ajo që ju përkthente mjekëve shqetësimet e të sëmurëve dhe informonte prindërit e pacientëve, për ecurinë e shëndet të tyre. Ndiqte me rigorizitete procedurën e dokumentacionit për ta dhe ecurin e shëndetit të shqiptarëve pacientë në spitalet helene.

Dikur kam shkruar edhe unë për humanizmin e një grupi aktivistesh emigrante shqiptarë, kur shkuan dhe ofruan ndihmë për një vajzë të vogël, 10 vjeçe aso kohe. Quhei, Enida Shuli. Një dorë kriminele  kishte vënë eksplozive në derën e shtëpisë, për terror ndaj familjes së saj. Fëmija që hapi e para derën, humbi dy këmbët e saj në atë akt banditesk në qytetin e Lushnjes, në Shqipëri.

I telefonova Serefinës dhe ajo erdhi menjëherë në spitalin ‘’Aghia Sophia’’. Dha kontributin e saj në atë moment të vështirë.  Ajo luftoi me të gjitha aftësitë dhe mundësitë e saj, deri sa e bindi ish ministrin e Ministrisë së Shëndetësisë, doktor Leonard Solis, të akordonte nga fondi i Buxhetit të Shtetit, shumën prej një miljon lekëve, për spitalin grek. Dhe Enida Shuli, do të arrinte të delte nga spitali, jo në krahët e prindërve, por me këmbët e veta, edhe pse ato, ishin thjeshtë proteza.

Që nga viti 1998 – 2004, kur ajo u sëmur vet, u operua dhe pas operacionit, vuajti nga një paralizë tek shputat e këmbëve që e mundoi rreth 5 vjet, duke pasur vështirësi në ecie. Ndihei e pikëllluar, që nuk ishte më në gjëndje të vazhdonte atë punë humane që për vite kishte realizuar. Megjithë hallet e problemet që ka patur e ka, ajo kontaktet me mjekët i kishte dhe i ka të vazhdueshme edhe sot, që nuk ndodhet më me banim në Greqi. A i dinë njerëzit këto? Mendoj se nuk i dinë. Kjo, sepse Seferina Serani nuk punoi asnjëherë për “bujë”, apo për t’u dukur. Ajo nuk synoi asnjëherë, për të marrë ndonjë “dekoratë a stimul ” tjetër. Ishte dhe mbetet e kënaqur, që ju gjënd pranë me humanizmin e saj, në ato kohra të vështira, bashkatdhetarëve të vet. Bëri më të mirën e mundëshme për ta, me aq sa ju dha e kishte edhe mundësitë.

Shpesh, në bisedë me dr. Amarildo Loshe, mjekun nga Korça, i cili punoi disa vjetë në spitalet e Athinës, edhe këtu në Amerikë, flasim mes nesh dhe kujtojmë me nostalgji shokët e shoqet e mrekullueshme që kontribonin në ato vite të vështira. Ai me shumë respekt, me fletë në mënyrë të veçantë për kontributin e  Seferinës, të cilën e ka njohur nga afër. Flet me mirënjohje për punën, forcën e fjalës dhe vullnetin e hekurt të  kësaj zonje të nderuar, që nuk u kursye asnjëherë për të gjithë shqiptarët që kanë jetuar, jetojnë e punojnë edhe sot e kësaj dite, në Greqi. Por si  Amarildoja, ka edhe shumë të tjerë si,  Isuf Danaj, me profesion mësues, Sotir Goxhaj, publicist, etj., që kanë këtë opinion e ruajnë në kujtesën e tyre përshtypjet më të mira, për ‘’Humanisten e Heshtur’’, Seferina Serani.


Emigrant, publicist ne USA, (ish sekretar i Përgjithshëm i Federates së Shoqatave Shqiptare në Greqi).

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Add a comment Add a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Post

Një organizator dhe menaxher me stil si Ilir Balija!

Next Post

Modeli shqiptar, pozon në mes të Zvicrës!

Advertisement