Pasioni të shpie në rrugë që ndoshta nuk i kishe imagjinuar më parë. I tillë është edhe rasti i trajnerit boshnjak të Bylisit, Adnan Zilxhoviç. Tekniku nuk ka bërë shumë kilometra e nuk ka kaluar oqeane, por fakti është se ka përjetuar një metamorfozë në sistemin e tij të punës dhe të jetës. Ndoshta Ballshin nuk e kishte njohur më parë, por tani do të mbesë i skalitur gjatë në kujtesën e tij, pasi po drejton skuadrën ballshiote në një moment mjaft të vështirë të saj. Zilxhoviçi është bërë personazh në Shqipëri, pasi është mjaft karizmatik dhe ka fituar zemrat e tifozëve të Bylisit. Lojtarët e pëlqejnë mënyrën e tij të punës dhe trajneri i ka afruar si një skuadër të bashkuar…
Eraldo Harlicaj: – Përshëndetje Zilxhoviç!
Adnan Zilxhoviç: – Përshëndetje. Ju falënderoj për intervistën.
– Si është situata e ekipit?
– Mirë, mirë. Po punojmë dhe shpresoj që të arrijmë rezultat edhe në takimin e kësaj jave. Është shumë i rëndësishëm për ne.
– Si e përjetuat fitoren me Laçin?
– Ishte një emocion mjaft i madh. Të them të drejtën, e kishim përgatitur ndeshjen mirë, por mënyra se si erdhën gjërat ishte shumë e bukur. Të shënosh në minutat e fundit, aq më tepër në një moment që fitorja ka vlera, pothuajse jetike!
– Ishte e vështirë t’ia ngrinit moralin një ekipi që ka kaq shumë vështirësi?
– Jo, kemi besim dhe vazhdojmë të punojmë me besim. Drejtoj djem shumë të mirë dhe mjaft inteligjentë. Jemi një skuadër që nuk kemi yje, por kemi forcën e grupit.
– Domethënë, ju po bëni një paralelizëm mes jush dhe kombëtares së Shqipërisë…
– (Qesh) Jo, jo, pasi jemi shumë të ndryshëm dhe flasim për nivele të tjera, por mendoj se kemi këtë karakteristikë të përbashkët.
– Pas Laçit, shkoni në Korçë. Si e shkoni këtë ndeshje?
– Shiko, kanë mbetur 5 finale për ne dhe normalisht, duhet që të grumbullojmë sa më shumë pikë. Ne kemi nevojë për pikë.
– Nuk më dhatë një përgjigje…
– Çfarë të them? Sikur ta dija! (Qesh) Skënderbeu është ekipi kampion i Shqipërisë për 5 vite me radhë dhe një ndër ekipet më të mira në Shqipëri. Mund të fitojnë edhe kampionatin e gjashtë dhe i kanë të gjitha mundësitë.
– Çfarë doni të thoni me këtë? Nuk keni besim te fitorja?
– Jo, jo, ne në çdo ndeshje hyjmë për të fituar, por edhe Skënderbeu ka nevojë për pikë dhe do të luftojë për këtë gjë. Do të jetë një ndeshje e hapur dhe e bukur. Shpresoj që të na buzëqeshë fati neve në fund.
– Zilxhoviç, a besoni te mbijetesa?
– Besoj, besoj. Kemi një ekip që luan futboll dhe asnjë nuk mund ta hedhë poshtë këtë.
– Ama, mbijetesa nuk varet nga loja, por nga pikët…
– Nuk e hedh poshtë këtë që thoni ju. Jam dakord, e thashë edhe vetë më sipër që nuk do të mbajë mend kush lojën, por pikët e fituara dhe ne duhet të luftojmë që të grumbullojmë sa më shumë të tilla.
– Po nëse Bylisi bie një kategori më poshtë, ju do të qëndroni në krye të tij?
– Nuk punoj me plane të tilla. Kam një objektiv, i cili është që ta shpëtoj këtë skuadër dhe do të bëj maksimumin e do të shpenzoj të gjitha energjitë e mia që ta bëj këtë gjë. Më pas, në fund të sezonit, do të ulem me presidentin që të bëjmë bilancin e punës dhe të vendosim për të ardhmen.
– Për të kaluar në aspektin personal, si ndiheni në Shqipëri?
– Në Shqipëri ndihem si në shtëpinë time.
– S’e kuptoj…
– Unë jam nga Bosnja. Jemi ballkanas dhe nuk e kam pasur të vështirë përshtatjen këtu. Më kanë mirëpritur të gjithë në Ballsh, nga presidenti, te tifozët. E ndiej mbështetjen e të gjithëve.
– A keni mësuar ndonjë fjalë shqip?
– Përshëndetje. (Qesh) Në fakt, nuk e kam shumë problem, pasi e kam kuptuar që nga fillimi gjuhën tuaj, duke qenë se jetojmë në të njëjtin gadishull. Madje, më duket sikur jam në vendin tim, pasi kemi të njëjtin karakter dhe zakone të njëjta.
– Na tregoni ndonjë karakteristikë të shqiptarëve, që ju ka bërë përshtypje…
– Të keqe apo të mirë?
– Të keqe, të keqe…
– Humbim shumë kohë në kafene, si ne boshnjakët. Keni edhe gjakun e nxehtë, si ne.
– Keni ndonjë idhull në fushën e trajnimit?
– S’di të them.
– Po jua bëj më të thjeshtë: Murinjo apo Guardiola?
– Për mua, Murinjoja. Ai merr më të mirën nga lojtarët e tij.
– Ngjani?
– Në karakter, them se ngjajmë. Pastaj, mua më thonë se jam Murinjoja i Ballkanit.
– Më thoni diçka që e bëni si ai…
– Për shembull, unë nuk i lejoj lojtarët që të bëjnë fjalë me gjyqtarët, por “ngatërrohem” vetë. Pse, do thoni? Pasi, nëse më nxjerr mua nga loja, ekipi përsëri ka 11 lojtarë në fushë, kurse nëse del ndonjëri prej tyre, atëherë ne do të mbetemi me 10 futbollistë dhe kjo do të ndikojë për keq në rrjedhën e takimit.
– A keni ndonjë ushqim të preferuar shqiptar?
– Jo, zakonisht ha gjithçka.
– Pije?
– Alkooli, larg sportit! (Qesh)
– Ndonjë merak të fundit?
– Po, sigurisht… Mbështesni Bylisin!