50 vjet në skenë dhe “Pranverë në Prishtinë”, “Mos mendo se jam i lumtur” apo “Atje është Kosova” janë vetëm disa nga 1000 këngët e repertorit të tij. Por, shumë më shumë se me timbrin e veçantë dhe me mesazhet në këngë, veterani i muzikës tregon edhe përmes urtësisë, dashamirësisë dhe fjalës së ngrohtë të njeriut që i ka jetuar të gjitha. Luftën dhe dashurinë, përpjekjet dhe shpërblimin, kënaqësitë dhe pengjet, artistin dhe njeriun… i gjeni të gjitha në këtë intervistë–enciklopedi, ku përmblidhet filozofia e një jete të tërë.
Alma Buci: – Sabri, cila ishte e bukura e ditës së sotme?
Sabri Fejzullahu: – E bukura e çdo dite është gjithmonë kënga.
– Ju ndihmon kënga për të qëndruar i ri?
– Kënga është ushqim i shpirtit për çdokënd besoj, por sidomos për artistin. Edhe kur të mos jem më, shpirti do të më këndojë!
– Ka ndonjë gjë pas së cilës jeni i fiksuar në jetë?
– Shëndeti është gjithmonë primar, por mbi të gjitha, familja ime dhe Nera.
– Çfarë do të donit ta kishit ditur kur ishit i ri dhe që e dini mirë tani?
– Gjithmonë e kam dashur këngën dhe e kam ditur që jam artist në shpirt, por tani e kam kuptuar dhe e di që edhe pse nuk jam i madh fizikisht, është publiku shqiptar që më bën të ndihem madhështor.
– Cilat janë anët pozitive të viteve që kalojnë?
– Si çdo i ri, temperamenti është më i gjallë, por me vitet që kalojnë, të vjen qetësia, durimi, intuita etj.
– Kur shiheni në pasqyrë, çfarë shikoni dhe çfarë i thoni zotërisë përballë?
– Natyra e njeriut është e tillë që të bën të reflektosh në vetvete edhe pa dalë para pasqyrës, por kur jam para saj, kujtoj sa me fat jam për jetēn që kam, familjen, shëndetin, dhe përkrahjen e publikut tim të cilit i kam borxh shumë.
– E keni arritur gjithçka që keni dashur ta arrini?
– Që nga rinia e hershme, kam qenë i pavarur financiarisht dhe në të tjera mënyra, sepse kam dashur që të arrij sa më shumë në jetë. Prandaj jam i lumtur ku jam sot.
– Cilat kanë qenë dritëhijet e jetës suaj?
– Kam shumë dritëhije se jeta vetë është dritëhije, por po përmend një… Mbaj mend kur këndova në stadiumin e Prishtinës pas luftës dhe nuk do ta harroj kurrë ndjenjën e madhështisë, por edhe më shumë atë të modestisë para publikut që më emocionoi shumë.
– Çfarë shpresoni të keni bërë deri më sot me punën tuaj?
– Nëse kam arritur sadopak ta lë një shenjë të vogël me këngën time në veçanti, në artin shqiptar në përgjithësi, atëherë do të isha shumë i lumtur.
– Ku ju çojnë kujtimet më të hershme në karrierën tuaj?
– Te njerëzit madhështorë që kam takuar, te vendet e botës që kam vizituar dhe gjithmonë publikun shqiptar të cilit e kam privilegj t’i këndoj e që më bëri atë që jam sot: shërbëtorin e këngës.
– Ndiheni me fat që keni zgjedhur një profesion i cili nuk ka “dalje në pension”, si të tjerët?
– E kam thënë disa herë, që derisa të më mbajë shëndeti, takati, zëri dhe mbi të gjitha, derisa të më dojë publiku, nuk do të “pensionohem”!
– E keni menduar ndonjëherë se si do të kishte qenë nëse gjithë ç’keni bërë do të kishte qenë universale, e përbotshme?
– Jo, sepse gjithçka është relative dhe asgjë absolute, prandaj edhe jo universale.
– Admirues i kujt është Sabri Fejzullahu?
– Admirues i publikut shqiptar, i popullit shqiptar, i familjes sime dhe i Nerës, gruas që më ka përkrahur gjithmonë, pa kushte.
– Deri në ç’pikë keni qenë adhurues i femrave?
– Femrat janë krijesa sublime dhe si të tilla, i adhuroj si çdokush tjetër, por gjithmonë thjesht si diçka faktike, sepse atë që e adhuroj personalisht si femër, është me mua.
– Çfarë çmoni më shumë tek ajo?
– Çmoj bukurinë, por mbi të gjitha, lirinë e mirëkuptimin reciprok që e gjeta tek ajo.
– Keni dashur apo ju kanë dashur më shumë?
– Nuk më takon mua ta them se kush-kë e ka dashur më shumë, por jam munduar që gjithmonë të jap më shumë dashuri.
– Më thoni një sekret…
– Ah, nuk mundem, sepse nuk do të ishte më sekret. (Buzëqesh)
– Për çfarë jeni duke menduar tani?
– Për pyetjet tuaja.
– Keni pishmane në jetë?
– Askush, besoj, nuk është perfekt dhe si i tillë kam pishmane, por shpresoj që janë të falshme, sepse nuk dua të lëndoj askënd.
– Jeni treguar gjithmonë i guximshëm?
– Për ato që i besoj në jetë dhe i çmoj e dua, po!
– Cili ka qenë një rast që ju ka bërë të dobët?
– Ka disa, por mbi të gjitha, lufta në Kosovë. Ishte e vështirë të shikoje tragjedinë duke mos pasur fuqi të bësh diçka.
– Kush e ka fuqinë të depërtojë në skutat më të thella të shpirtit tuaj?
– Kënga, fëmijët e mi, nipat e mbesat e mi që i dua pa kushte dhe Nera.
– Përcillni idenë sikur jeni gjithnjë në formë, gjithnjë i lumtur. Është përshtypje e gabuar?
– Jeta është një lloj aktrimi, ku duhet të bësh kompromis, edhe të bëhesh i lumtur kur nuk je. Të gjitha vijnë valë-valë, me batica e zbatica.
– Çfarë ishte lumturi për ju 30 vjet më parë dhe çfarë është lumturi tani?
– Kënga dhe familja. Kështu ka qenë dhe kështu do të jetë gjithmonë.
– Keni patur ndonjëherë dikë zili në jetën tuaj?
– Zili të shëndoshë dhe adhuruese në kuptimin më pozitiv, asnjëherë mëri apo keqdashje.
– Cilat janë këshillat që u jepni fëmijëve?
– Jam munduar t’u jap gjithmonë liri maksimale të shprehjes e mendimit Armendit, Bulzës, Ermalit e Adelinës. I kam këshilluar dhe vazhdoj t’i këshilloj që gjithmonë të ecin përpara në jetë drejt prosperitetit, duke mos e kthyer kokën nga e kaluara.
– Cila është përralla që kërkojnë t’ua tregosh nipërit dhe mbesat?
– Ka shumë, por mbi të gjitha kërkojnë dashurinë time të cilën ua jap pa kufi sepse i dua shumë.
– Nëse do të shkruanit një libër, si do të ishte ai?
– Do ta shkruaja pa hile, me sinqeritet, pa folklor, pa dogma, pa kopalla, pa rrotlla, me dashuri dhe do ta potencoja atë dashuri ndaj lexuesit.
– Ku do të jeni menjëherë pas kësaj interviste?
– Do të dal me Nerën ta shijojmë një kafe të rrethuar me ata që i duam e na dojnë.