– Kam parë një ëndërr që më është përsëritur disa herë. Vesha rrobat, shkova në kuzhinë ku po gatuante nëna ime dhe i thashë: “S’e beson dot çfarë ëndrre kam parë!”. Në atë moment, mami kërceu përpjetë dhe më tha: “Mos u beso ëndrrave, por dil në ballkon dhe mbylle derën se është ftohtë”. Kur dola në ballkon, pashë një pamje të çuditshme, sikur qielli ishte i ndarë në dy pjesë ku në njërën anë ishte parajsa, në anën tjetër ishte ferri dhe unë dëgjoja vetëm zëra njerëzish që kërkonin ndihmë. Në atë moment u zgjova nga gjumi, vesha rrobat dhe shkova përsëri te mami për t’i treguar çfarë kisha parë. Ajo përsëri më tha “dil në ballkon” dhe u habita sepse kuptova që isha përsëri në gjumë e fillova të bërtisja. Kjo më ka ndodhur disa herë. Ju lutem, më thoni, çfarë kuptimi ka?
– Përsëritja e ëndrrave brenda natës tregon në fakt çështje dhe probleme që i keni lënë të pazgjidhura. Pra, jeni në një situatë për të cilën nuk keni gjetur akoma zgjidhje dhe për më tepër i mbani përbrenda emocionet dhe ndjesitë që keni. Jeni të shqetësuar dhe keni shumë frikë. Nëna që ju këshillon të mos u besoni ëndrrave, ju vjen në formë këshille, për t’ju thënë se ka ardhur koha të bëni një kthesë të madhe në jetën tuaj, duke marrë parasysh se i ftohti paraqet vështirësi dhe sprova të hidhura nga të cilat keni nevojë të dilni. Shkuarja në kuzhinë paraqet nevojën tuaj për ngrohtësi, mbështetje dhe ndryshim rrënjësor të jetës që bëni. Atëherë, përse të mos e bëni realitet këtë gjë? Më parë këshillohuni me nënën tuaj dhe kërkojini ndihmë. Është e sigurt që nuk do t’ju mungojë as ndihma e saj, por as dashuria e pafund që vetëm një nënë di ta dhurojë.
Advertisement