Dark Mode Light Mode

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Follow Us
Follow Us

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Krijimet tuaja...
Keti Bashhysa: Në një vend ku të gjithë hiqen si shenjtorë, preferoj të jem mëkatarja
Shoqja më la pa shkollë

Keti Bashhysa: Në një vend ku të gjithë hiqen si shenjtorë, preferoj të jem mëkatarja

Dikur, Keti tërhiqte vëmendjen e teleshikuesit me mënyrën se si drejtonte emisionet në TVSH. E lirshme, e ngrohtë në komunikim, por edhe provokuese me pyetjet e saj “me spec”. Ata që e ndiqnin Ketin në emisionet e mëngjesit në TVSH, e ndiqnin sepse ishte e veçantë, kishte diçka që të tjerat nuk e kishin. Kështu vazhdon të jetë edhe sot ajo, jo më në ekran, por në një vend më të magjishëm, në skenë. Prej disa vitesh, vajza rebele (kështu e etiketojnë), performon me sukses në skenën e teatrit “Aleksandër Moisiu” në Durrës. Violonçelistja, që ashtu si gazetarja e televizionit nuk resht së provokuari, nuk mbetet vetëm te violonçeli. Ajo aktron, këndon e reciton me shumë sukses. Në shfaqjen e saj të ditëve të fundit, “Mëkatarja”, Ketin e shihje sa të ëmbël në violonçel, aq të poshtër në rolin e Jagos. Sa e brishtë në vargjet e poetit francez Bodeler, aq potente në këngën e Eta Xhejmsit! Dhe shfaqja ishte një sukses i vërtetë! Rrallë ndodh që në një sallë teatri të mos pipëtijë askush për rreth dy orë! Në fund, njerëzit u befasuan që shfaqja mbaroi. Duartrokitje pa fund, lule dhe lot. Kështu u mbyll sipari i “Mëkatares”.

Alban Përmeti: – Pse e titullove “Mëkatarja”, spektaklin tënd të fundit?
Keti Bashhysa: – (Buzëqesh) Sepse nuk mund ta titulloja “Shën Keti”… Shtoji kësaj edhe faktin që unë luajta personazhin e Jagos dhe Jagoja dihet se çfarë simbolizon. Pastaj, mendova t’u kujtoja pak njerëzve fenomenin “mëkat”… Ndoshta reflektojnë.
– Je mëkatare?
– Në një vend ku të gjithë hiqen si shenjtorë, unë preferoj të jem mëkatarja. Kush thotë se nuk është mëkatar, gënjen! Të gjithë jemi mëkatarë, por të drejtën për të na gjykuar e ka vetëm i madhi Zot.
– Nuk është hera e parë që aktron. E ke nisur me monologë, më pas me pjesë me dy personazhe. Ke aktruar me aktorë të tjerë, por është hera e parë që aktron me aktorin e mirënjohur Hysen Bashhysa, babain tënd. Pse tani bashkë me babain?
– Ndoshta sepse tani e ndieva veten në atë nivel që të aktroj me babain tim. Nuk është e lehtë të aktrosh në skenë me një aktor si Hysen Bashhysa. Ai e bën për vete publikun thjesht sa del në skenë. Pra, duke mos qenë profesioniste, duhet të piqesha pak si aktore.
– Si ishte të aktroje me babain?
– Një det me emocion. Një eksperiencë e jashtëzakonshme. Unë kam një natyrë që nuk para çuditem lehtë, por atë natë pas shfaqjes vërtet isha e çuditur. Mua më ndodhi kjo? Unë aktrova dhe u duartrokita kaq shumë?
– Violonçeli apo aktrimi? Cili të josh më shumë?
– Violonceli është pjesë e imja. Aktrimi më josh. Por, është nga ato joshje që do punë shumë dhe unë, kur vjen fjala për gjërat që dua, punoj shumë që të arrij një “Bravo” të ndier nga publiku.
– Repertori muzikor ishte i tillë që pëlqehej nga i gjithë publiku, përfshi dhe atë që dëgjonte ndoshta për herë të parë muzikë instrumentale. E rastësishme?
– Në punët që bëj unë, asgjë nuk është e rastësishme, por e menduar mirë. Publiku im nuk janë vetëm muzikantët ose njohësit e muzikës. Madje, mund të them që muzikantët janë të paktë në publik. Nuk vijnë, ndoshta më shohin si rivale të fortë. Pra, përzgjedhja e repertorit muzikor në violonçel, bëhet i atillë, që t’i përshtatet një publiku të gjerë.
– Ti edhe këndon, madje këngë të vështira si kjo e fundit nga Eta Xhejms. Ushtrohesh në kanto?
– Unë këndoj vetëm në spektaklet e mia. Natyrisht, ushtrohem me profesionistë. Kësaj here, me mua punoi një këngëtare brilante, Olta Juba. Brilante si këngëtare me një zë të artë, brilante edhe si njeri. Jam me fat.
– Ishte i vështirë të realizohej një spektakël i tillë? Cilat ishin momentet më të vështira?
– Ah! Është ai momenti pas kuintave që unë duhet të ndryshoj veshjen dhe grimin brënda 5-6 sekondave! Por, falë kostumografes Enkelejda Medolli dhe vajzës së “make up-it” Gentiana, ia dalim. Ato qëndrojnë pas kuintave për të më ndihmuar mua. Janë kaq të adhurueshme!
– Dukesh që shkon mirë me bashkëpunëtorët…
– Në përgjithësi, po. Nuk kam pse të shkoj keq. Fundja, nuk bashkëpunojmë për diçka të keqe, përkundrazi, japim emocion, emocionin e bukur për të cilin njerëzit kanë nevojë. Më ka ndodhur që ndonjë bashkëpunëtor nuk është treguar korrekt, por në këtë rast, është ai fatkeqi.
– Sa kohë ju duhet të përgatiteni për një spektakël që e shfaqët vetëm një natë?
– Qenë 5-6 muaj punë. Përgatitje në violonçel, aktrim, këngë, pra, shumë punë intensive. Punë e imja dhe e stafit. Vërtet u lodhëm, por morëm kënaqësinë e madhe, duartrokitjet dhe urimet e publikut. Kjo është kaq e bukur.
– Dhe, pse e shfaqët vetëm një natë?
– E shfaqëm një natë, sepse një natë vështirë të harrohet. Kujtohet shpesh… (Buzëqesh)
– Cilën do ta cilësoje si pjesën më të bukur të spektaklit?
– Aktrimin me babin. Trion e fagotëve udhëhequr nga super fagotisti Pirro Sota. Shoqërimi aq i ngrohtë në piano i Orges Memës. Poezinë, këngën, pa dyshim lojën në violonçel… Ja, i përmenda të gjitha, sepse bukuria ishte tek i gjithë spektakli.
– Pse u përlote në fund?
– Shkaku ishte publiku. Teksa i shihja që nuk pushonin së duartrokituri dhe në sytë e tyre shihja admirim, u emocionova aq shumë sa nuk mund të përmbahesha më. Ishte një moment që unë nuk jam e aftë ta përshkruaj me fjalë.
– “Një çmenduri”, “Kryeneçe”, “E dehur”, “Mëkatarja”… Janë këta titujt e spektakleve të tua. Çfarë domethënieje kanë?
– Jam unë. Pjesë të karakterit tim ose të gjendjes sime. Por, jam unë.
– Si do të të shohim në spektaklin e radhës?
– Varet si do jem. Çfarë dëshirash do kem, çfare pengjesh… Por, një gjë është e sigurt: Sido që të jem, dashuria nuk do të më mungojë. Çdo gjë që e bëj, e bëj me shpirt dhe dashuri.

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Add a comment Add a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Post

Krijimet tuaja...

Next Post

Shoqja më la pa shkollë

Advertisement