Kanë kaluar vite që nga kurorëzimi i saj Miss, por një gjë është e sigurt: Diellza, Miss do të ngelet gjithmonë, sepse bukuria buron nga shpirti i saj! Sot, do të flasim me të jo vetëm si vajzë ekrani, por edhe si një vajzë që u vjen në ndihmë femrave të keqtrajtuara, nëpërmjet organizimit të një maratone që bëri shumë bujë në Kosovë… Dhe, më besoni, ajo ka shumë për të thënë!
Blerina Çizmja: – Diellza, si mund të jetë njeriu i famshëm, i bukur dhe njëkohësisht, kaq i thjeshtë sa ti?
Diellza Kolgeci: – Jam rrit në një familje ku edukata ka qenë primare dhe mendoj se njeriu me edukatë dhe kulturë nuk është mendjemadh, por modest. Unë e dua thënien: “modestia është madhështi”.
– Ti je marrë me fotografi, modeling, muzikë, kinematografi, ke qenë Miss… Së fundmi, po përfshihesh shumë në çështjet sociale. Çfarë tregon më shumë për Diellzën, kjo përfshirje?
– Me çështje sociale apo bamirësi merrem që nga fëmijëria, edhe në këtë aspekt e ndikuar nga familja ime, duke filluar nga gjyshja, që ka qenë një grua shumë humane dhe njerëzit e kujtojnë ende. Që nga viti 2001 jam marrë me organizime e kam prekur kauza të ndryshme, si për familjet e dëshmorëve të luftës, invalidët e luftës, fëmijë të sëmurë, familje të varfëra e të tjera, por janë rrjetet sociale që po i japin kësaj të fundit më shumë vëmendje sesa në të kaluarën dhe lajmet po udhëtojnë edhe përtej kufirit…
– Si e bën përzgjedhjen e kategorisë që ka nevojë për ndihmë?
– Në fakt, për fëmijë me autizëm vjet në prill, mikesha ime Afërdita (Paqarada) organizoi minimaratonën sepse unë isha jashtë vendit. Sivjet, më 24 prill e organizuam së bashku minimaratonën, ku të gjitha të hollat u dedikuan për gratë e keqtrajtuara. E bëmë këtë zgjedhje pasi ato janë të harruara dhe kanë nevojë për ndihmën tonë materiale, morale dhe për siguri. Ishte një organizim që bëri jehonë të madhe si në media, ashtu edhe në shoqëri e në institucione. Më vjen mirë që zëri ynë u dëgjua dhe duhet të jemi të lumtur që Zoti na ka dhuru shëndetin, fuqinë për të bërë për ata që nuk e kanë fuqinë dhe kanë frikë të flasin për vete. E kemi obligim njerëzor të bëjmë më shumë…
– Një femër e bukur dhe e realizuar, që duket se suksesi e ndjek pas, mendon pikërisht për ato gra që janë e kundërta e saj… Duket pak e çuditshme sepse zakonisht, duhet ta provosh diçka për të qenë më i ndjeshëm ndaj saj…
– Shumë faleminderit për fjalët e bukura… Nuk mendoj që është e çuditshme, por ndoshta ne si popull jemi pak egoistë, sidomos kohët e fundit. Unë jam rrit në një familje e shoqëri ku gruaja është respektu dhe trajtohet si mbretëreshë dhe ende nuk mund ta kuptoj që në këtë shekull kemi shumë gra të cilat nuk kanë të drejtat elementare. Pikërisht sepse jam rrit në një frymë ku të gjitha gratë i kemi pas të shkolluara dhe të përkrahura nga familja, unë nuk mund ta pranoj dhunën. Zakonisht, ato që janë mësuar me dhunë heshtin! Unë në familje nuk kam invalidë të luftës, as varfëri e as fëmijë të sëmurë nga leuçemia, por i kam ndihmu këto shtresa. Nuk është e thënë ta ndihmosh dikë vetëm pasi të kesh provuar dhimbjen e tij. Nëse je njeri, një kohë duhet ta ndash për ata që kanë nevojë sepse përveçse ndihmon dikë, lumturon edhe veten. Është ndjenjë e veçantë ajo që provon kur bën dikë të buzëqeshë. Unë besoj në Zot dhe çdo herë, veprat e mira më janë kthyer për mirë.
– Po ndonjë rast personal që të ka prekur ty, një femër e dashur për ty, që është dhunuar…
– Po, ka raste kur më drejtohen për keqtrajtim dhe më besojnë ndonjë problem. Unë nuk përtoj të dëgjoj hallet e shoqërisë dhe i këshilloj, por shpesh u them se dhuna psiqike është edhe më e rrezikshme dhe duhet vepruar për ta ndalur. Tani, kur isha për vizitë në “Qendrën për mirëqenien e gruas” dëgjova raste që më prekën shumë…
– Çfarë mendon se sjellin më së shumti për shoqërinë këto iniciativa?
– Sensibilizim, ngritje të vetëdijes dhe informacion për një çështje të caktuar.
– Çfarë shume arritët të mblidhnit?
– Shuma e mbledhur ishte 2569 euro nga shitja e numrave për pjesëmarrje në maratonë. Gjithashtu, ministria do të ndajë një shumë për ta dërguar në qendër.
– Si siguroheni që këto para shkojnë pikërisht te femrat e dhnuara e nuk mbeten rrugës, siç ndodh rëndom në iniciativat e shoqërisë civile?
– Do të ishte shumë më mirë të ishit të pranishëm aty si shumë gazetarë dhe media të cilat e kanë përcjellë organizimin që nga fillimi e deri në fund. Të gjitha paratë janë futur në kuti të mbyllur hermetikisht të siguruar nga kompania Handerson, e specializuar për bartjen dhe sigurinë e parave. Ata i kanë dërguar direkt në bankë, e cila i ka derdhur në llogarinë e qendrës. Të nesërmen, së bashku me ministrin dhe kryetarin e Pejës (pasi qendra ndodhet në Pejë) i kemi vizituar dhe na kanë konfirmuar me shkrim që të gjitha mjetet kanë arritur në qendrën për gra të keqtrajtuara. Ato ishin shumë mirënjohëse që e kemi ngritur këtë çështje, pasi edhe nëpër televizione filluan të trajtohen tema për gra të keqtrajtuara. Është e rëndësishme që projekte të tilla të organizohen në mënyrë më atraktive që të tërhiqet masa. Nëpërmjet maratonës, ne arritëm qëllimin tonë, që të ngrinim zërin kundër gjërave negative, duke promovuar jetën e shëndetshme.
– Mendon se është imazhi juaj, i yti dhe i Afërditës që e bën më interesante iniciativën?
– Po, ne kemi shumë miq që kanë ndikim në jetën publike dhe unë them se autoritetin, fuqinë e famën është mirë ta shfrytëzosh për gjëra pozitive, që nëpërmjet tyre të ndihmosh të tjerët.
– Edhe diçka që më bëri përshtypje ishte pjesëmarrja e klubit “Bonu burrë”. Mendon se më në fund ne shqiptarët kemi nisur ta kuptojmë se të “bëhesh burrë” do të thotë ta mbrosh dhe jo ta keqtrajtosh femrën?
– Unë mendoj se burrat e vërtetë, ata që ndihen burra, janë shumë të butë me gratë apo gjininë femërore. Ata që vetëm duken si burra e janë burreca, që kanë shumë komplekse dhe mungesë vetëbesimi, i keqtrajtojnë gratë sepse me burra nuk guxojnë e diku duhet ta tregojnë fuqinë e tyre për të shëruar komplekset. Kështu, targeti tyre më i lehtë, është gruaja që kanë në shtëpi!
Me Diellzën…
– Diellzë… Emër më përfaqësues sesa ky, nuk besoj se do të të kishin gjetur prindërit! A mendon edhe ti kështu?
– (Qesh) Po, sepse e dua diellin dhe shumëçka në jetë, si problemet, si vështirësitë e sfidat mundohem t’i kaloj me diell. Falë Zotit, ashtu i kaloj!
– Së fundi, ti ke bërë një reklamë për Este Lauder… Ke patur të tjera oferta, nga kompani edhe më të rëndësishme që kanë kërkuar imazhin tënd?
– Po, kam bërë një reklamë për Estee Lauder, përfaqësuese e së cilës në Kosovë është kompania EBC. Kam marrë ofertë nga kompania Lancaster, por ende s’kemi lidhur marrëveshje.
– Vazhdon buja që la pas interpretimi yt në “Bjeshkët e Namuna” dhe sidomos skena toples në të?
– Skena toples është përfolur më së shumti pasi ajo pjesë e vetme është në Youtube, por nëse shikohet filmi komplet, jam e sigurt që do të pëlqehen më shumë pjesët e tjera. Filmi ka qenë për mua një dashuri më të cilën jam marrë herë pas here në fillimet e mia. Kam punu me të madhin Faruk Begolli, me regjisorin Ekrem Kryeziu… Kam pas fatin të punoj me njerëzit më me vlerë të artit e filmit…
– Dhe e ke lënë me kaq aktrimin?
– Nuk është se nuk do të luaja në ndonjë film, por nuk është profesion primar dhe është e vështirë të pranosh çkado mbas eksperiencave që kam pas.
– Pas “Dancing vvith the stars” dhe “E diell”, sikur e ke lënë ca në harresë Shqipërinë. E pra, ne të duam dhe të presim!
– Shumë faleminderit, e dashur! Edhe unë e dua shumë Shqipërinë dhe kam shumë miq. Besoj se në një të ardhme do të kthehem me ndonjë projekt. (Buzëqesh)
– Përveç bukurisë dhe kurorës së Missit, çfarë të lidh ty me Afërditën?
– Miqësia e sinqertë, mirëkuptimi, puna, bisedat…
– Po me të dashurin e zemrës, çfarë të lidh më shumë?
– Unë mund të shkoj mirë vetëm me njerëz që kanë mendje të hapur, janë punëtorë, kanë edukatë, kulturë dhe dinë të jetojnë. (Qesh)
– Dhe… kush është ai, apo është ende herët për ta mësuar?
– Ai është arkitekt, jeton dhe vepron në Prizren. Nuk është fytyrë publike dhe nuk e tërheq aspak kjo jetë.
– Çfarë i kërkon më së shumti jetës, në këtë moment?
– Shëndetin, si çdo herë!
Më mirë Diellza, apo më mirë Hënëza?
– Diellza, pasi më pëlqen më shumë drita dhe gjërat që shihen më mirë. (Buzëqesh)
– Më mirë Miss, apo më mirë prezantuese Missi?
– Kur kam qenë adoleshente, më mirë ishte Miss, ndërsa sot, më mirë prezantuese e Missit.
– Më mirë nënë, apo më mirë bijë?
– Hëm, besoj se të dyja, sepse janë të pandashme.
– Më mirë të të ndihmojnë, apo më mirë të ndihmosh?
– Më mirë të ndihmoj sepse kjo do të thotë të kesh më shumë energji e fuqi, por edhe mbështetja është ndihmë, andaj që të dyja lidhen njëra me tjetrën.
– Më mirë të të dashurojnë, apo më mirë të dashurosh?
– Më mirë të të dashurojnë sepse unë jam njeri që di ta kthej dashurinë, kurse për të tjerët, nuk mund ta garantoj. (Qesh)