Studiues japonezë kanë zbuluar një lloj bakteresh që “hanë” materialet plastike prej poliuretani, të cilat përdorin dy enzima për t’i zbërthyer ato. Poliuretani është një polimer poliesteri i lehtë, pa ngjyrë dhe rezistent, që u krijua në vitet ‘40 dhe përdoret kryesisht në prodhimin e shisheve plastike dhe sendeve të tjera (rroba, ambalazh, objekte, etj) dhe është shumë i vështirë të biodegradohet. Zbulimi mund të ndihmojë në pastrimin e mjedisit nga ky material plastik “i vështirë”. Afro 56 milionë tonë të tij (një e pesta e materialeve plastike) prodhohen në vit dhe grumbullimi tij në ekosistemet e gjithë planetit konsiderohet problem serioz. Vetëm një sasi e vogël riciklohet çdo vit. Deri më sot, janë gjendur vetëm pak specie myku që “hanë” poliuretanin, por asnjë baktere. Për herë të parë u zbulua se bakteria Ideonella sakaiensis 201-F6 mund të zbërthejë me hidrolizë një film të hollë, i tëri prej poliuretani, brenda gjashtë javëve, në temperaturën 30 gradë celcius.
Studiuesit, me një krye Sosuke Josindën e Departamentit të Biologjisë Aplikative, në Institutin e Teknologjisë së Kiotos, e botuan zbulimin e tyre në revistën “Science”. Tani çështja është si të përdoret në praktikë zbulimi i këtyre baktereve. Studiuesit deklaruan se në fillim duheshin fuqizuar (mbase nëpërmjet manipulimeve gjenetike), bakteret në fjalë, që ta zbërthejnë më lehtë plastikën. Studiues të tjerë u treguan më të rezervuar dhe theksuan se këto materiale plastike në oqeane përmbajnë substanca kimike që mund të jenë helmuese për mjedisin, nëse çlirohen pas zbërthimit të plastikës. Sipas vlerësimit të tyre, produktet plastike mund të jenë më pak toksike nëse qëndrojnë në formën e tyre aktuale të pazbërthyer.
Advertisement