– E ndjek gjithmonë rubriken tuaj dhe dua t’ju përgëzoj për përgjigjet e qarta që jepni. Unë jam një grua 32 vjeçe dhe kam një vajzë 8 vjeçe. Dua të ngelem shtatzënë dhe kam lexuar që para dhe gjatë shtatzanisë duhet të përdoresh acid folik. Unë sot e bleva pa recetën e mjekut, mirëpo tabletat që kam blerë janë nga 5 mg, ndërsa në internet lexova që masa e përdorimit duhet të jetë 4 mcg. A mund të më jepni një dozë të saktë që mund të pihet në ditë? Theksoj se nuk kam patur asnjëherë probleme, as në shtatzaninë e parë. Thjesht, doja ta përdorja ngaqë kam lexuar aq shumë për të.
Dr. Kozeta Mustafaraj, obstetriste-gjinekologe: – E nderuar 32 vjeçare, ajo çka është më e rëndësishme është të bësh një jetë të shëndetshme. Nëse përdor brokoli, fasule, mish, qumësht, fruta të thata, perime e zarzavate dhe produkte shtazore, atëherë edhe nevojat ditore i përmbush në këtë mënyrë. Gjithsesi, pavarësisht dozës, mund të vazhdosh ta marrësh atë që ke blerë, pasi nuk ka shumë ndryshime, por konsulta me mjekun familjar ose një gjinekolog drejtpërsëdrejti, do të ishte rruga më e mirë për të qenë e bindur plotësisht nëse keni nevojë për këtë përbërës apo jo!
Advertisement