– Përshëndetje! Kam parë një ëndërr të frikshme mbrëmë, sikur te një shtëpi (jo e imja) ishte një mi i vogël që më dilte përpara dhe unë një herë iu shmanga. Pastaj ai m’u hodh në qafë e më kafshoi dhe më dhimbte, plus që më dilte gjak. Unë sikur ika me vrap te mami dhe i thashë që më kafshoi miu. Ajo më tha: “S’ka gjë, se kalon, ja, tani do të të çojmë të mjekohesh” dhe pastaj u zgjova. Mund të më thoni se çfarë do të thotë?
– Shtëpia që keni parë përfaqëson personalitetin tuaj në këtë rast. Miu që ju ka kafshuar parashikon ankth, frikë për situata jo shumë të qarta dhe jo shumë të rëndësishme. Duhet të keni kujdes se duke qenë në një moment dobësie mund të bini pre e armiqve dhe të lëndoheni padashur. Mami ju është shfaqur në ëndërr, sepse ju kujdeseni shumë pak për veten tuaj, e lini veten të bini në pesimizëm dhe në ankth për gjëra të parëndësishme. Jo çdo vështirësi apo pengesë që hasni në jetë duhet interpretuar si tragjedi. Çdokush kalon probleme apo vështirësi, por këto shërbejnë për t’u bërë më të fortë e më të pjekur. Edhe ju duhet t’i kaloni më lehtë ca gjëra, mos u viktimizoni. Në fund, siç ju ka thënë edhe mami, ëndrra tregon se çdo gjë e ka një zgjidhje, siç është mjekimi.
Advertisement