Dark Mode Light Mode

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Follow Us
Follow Us

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use

Kush i mbron vajzat e përdhunuara?

Nga Hysen Kica

Nuk ka shumë ditë që u lirua nga burgu Nazime Visha dhe u dëgjuan disa nga mendimet e njerëzve të saj të afërt apo njerëzve të përdhunuesit të saj. Si ka mundësi që këta njerëz flasin dhe bëjne llogari pa menduar askush për jetën e saj dhe shkaqet që e çuan ate ne vrasjen e përdhunuesit? Motra mendon më shumë për problemet e saj sesa për jetën e Nazimes. Është e vërtetë se ajo ka shumë probleme sociale, por kjo nuk i jep asaj të drejtë që t’ia lërë gjithë peshën e problemeve motrës së saj të vogël. Probleme kanë të gjithë sepse krimi ka ndodhur brenda rrethit miqësor, por e veja dhe fëmijët e saj duhet ta kuptojnë drejt se të gjitha fajet janë të përdhunuesit dhe jo të Nazime Vishës. Asnjë logjikë njerëzore nuk pranon se një vajzë 14 vjeçe josh një burrë mbi 40 vjeç sepse, edhe po të kishte nevojë për marrëdhënie, ajo do ta gjente një bashkëmoshatar në shkollë apo në fshatin e saj.
Psikologjia e zhvillimit të fëmijëve justifikon mundësinë e shndërrimit të tyre në kriminelë kur ata dhunohen. Në veçanti, vajzat e përdhunuara pësojnë një goditje të rëndë psikologjike dhe bëjnë një betim të tmerrshëm se do hakmerren ku përdhunuesi i tyre është objektivi kryesor. Opinioni shoqëror, sidomos në zonat rurale, jo vetëm që i frenon të mos padisin, por i ngarkon edhe me një barrë të rëndë sociale e morale. Shumë vajza të përdhunuara nuk e përballojnë ndeshjen me realitetin, nuk guxojnë t’u tregojnë prindërve, mundohen të shmangen dhe ta harrojnë, por përdhunuesit nuk ndalen në rrugën e tyre të krimit. Ata mendojnë se janë superiorë mbi viktimat e tyre, i kërcënojnë me të gjitha mënyrat dhe i vendosin para situatave të pakapërcyeshme nga viktimat. Në situata të tilla të pashpresa ka edhe plot vajza që i japin fund jetës së tyre me një mënyrë tragjike, ka vajza që shpresojnë se një ditë kjo gjendje do të arrijë fundin pa u marrë vesh nga të tjerët, por ka edhe vajza që nuk gjejnë më rrugëdalje dhe kthehen në vrasëse. Jetën e duan të gjithë dhe bëjnë çdo gjë për ta mbrojtur.
Realiteti shqiptar është i mbushur me plot raste të tilla kriminale ku vajzat e përdhunuara i shfrytëzojnë edhe në rrugën e prostitucionit, ku shqiptarët shndërrohen në racën më të ulët njerëzore duke i detyruar viktimat e tyre të përdhunuara të prostituojnë në rrugët e gjithë botës. Ne nuk kemi të drejtë t’i harrojmë vajzat shqiptare që përdhunohen, që mashtrohen me martesa false për t’u nxjerrë në rrugët e prostitucionit, që torturohen barbarisht dhe ka plot raste që ekzekutohen kur nuk u binden urdhërave të mashtruesve të tyre. Ne nuk kemi aspak të drejtë të mendojmë keq kur gjendet në rrugët e botës kufoma e një vajze shqiptare. Nuk kemi të drejtë të themi se ajo ishte e degjeneruar dhe se atë dënim meritonte. Jo vetëm se ajo kufomë ishte vajza apo motra jonë shqiptare, por se dikush e ka përdhunuar dhe e ka zvarritur pa mëshirë nëpër rrugën e shkatërrimit. Ne nuk kemi të drejtë të mohojmë vuajtjet e vajzave të përdhunuara, lotët që ato derdhin dhe ëndrrat e tyre që vriten. Edhe ato vajza kanë qenë fëmijë dhe kanë patur dëshirë të jetojnë, por një kriminel i pamëshirëshëm i përdhunoi dhe i këputi ëndrrat e tyre.
Fatkeqësisht, edhe unë e kam patur rastin të takoj një vajzë të tillë në rrugët e Torinos. Them “fatkeqësisht” se nuk do kisha dashur kurrë të dëgjoja tragjedi të tilla. Kur unë i thashë se kam prerë biletën dhe se do kthehesha në atdhe, ajo u mbyt në lot. Ajo nuk mund të kthehej më në atdhe për dy arsye shumë të forta. Në radhë të parë prindërit e kishin mohuar si fëmijën e tyre dhe, së dyti, përdhunuesi i saj e torturonte dhe e kërcënonte se do ta zhdukte nëse tentonte të tregonte të vërtetën apo të dilte nga rrethi ku e kishte futur. Një përdhunues pra i kishte marrë gjithçka nga jeta e saj, e kishte ndarë nga të gjithë njerëzit e saj të dashur, ia kishte mohuar të drejtën për të dashuruar e për të ndërtuar një jetë familjare dhe i kishte mohuar të drejtën për t’u kthyer në atëdheun e saj. E pra, ajo nuk ishte më njeri. Ajo nuk kishte më as familje, as atdhe dhe as emër. Ajo ishte shndërruar në një skllave që shitej e blihej në tregun e prostitucionit si kafshë. Ajo edhe mund të vidhej apo të vritej si një qen, se askush nuk e kërkonte dhe nuk e kujtonte më. Ajo kishte fatin e Zyra Hidës, kufoma e së cilës mbeti në rrugët e Amsterdamit.
Kush duhet ta masë thellësinë e kësaj tragjedie?!
Për mendimin tim, gjithë opinioni duhet t’i ndihmojë viktimat e përdhunimit, por detyra kryesore bie mbi prindërit dhe njerëzit e tyre të afërt, sepse ata e kanë fëmijën e tyre dhe kanë detyrimin prindëror. Nuk dua të them asgjë për organet e drejtësisë sepse jam i bindur se edhe ata duan të pinë një pikë nga gjaku i tyre, por duhet të mendojmë pak edhe ne. Si ka mundësi që njerëzit e përdhunuesit pa pikën e turpit dhe respektit për drejtësinë bëjnë kërcënime që transmetohen në media?! Ku vallë e gjejnë ata moralin social për të kërkuar dënimin e një vajze të përdhunuar që në moshën 14 vjeçare?! Lërini fëmijët të rriten të qetë e mos i përdhunoni ata. Edhe ata kanë ardhur në këtë botë për të jetuar të lumtur. Nuk ka asnjë logjikë njerëzore që i justifikon përdhunuesit e fëmijëve, por edhe mediat duhet të kenë më shumë përgjegjësi morale para dëgjuesve të tyre. Ne presim jo vetëm një shpjegim të drejtë, por edhe mbështetje për këto viktima.

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Add a comment Add a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Post

Vajzat kerkojne djem...

Next Post

Eli G, shperthen me "1 Sen"

Advertisement