Mbase nuk do të na duhet më t’i lajmë rrobat tona, për shembull, kur jemi në një anije. Larja e rrobave vazhdon të jetë një nga punët më të mërzitshme të shtëpisë, sepse pas larjes vjen… hekurosja. Imagjinoni pra që rrobat të mos kenë nevojë për sapun dhe për ujë që të lahen. Duket si një ëndërr fantastiko-shkencore, por që një ekip shkencëtarësh nga Melburni vendosi ta bënte realitet. Studiues të Institutit Mbretëror të Teknologjisë së Melburnit, në universitetin e Melburnit, kanë krijuar një pëlhurë që pastrohet vetëm kur ekspozohet në diell. Më saktë, përdoret drita e diellit për të degraduar mbeturinat organike që përbëjnë ndotjen.
Kjo pëlhurë ka nanostruktura prej bakri dhe argjendi, që janë futur brenda pëlhurës prej pambuku me të cilat bënë eksperimente shkencëtarët. Kur drita e diellit prek këta përbërës metalikë, çlirohen elektrone me shumë energji, të cilat janë të afta të zbërthejnë molekulat organike. Eksperimentet treguan se njollat që kishin rrobat, u zhdukën brenda afro 6 minutave. Imagjinoni tani që jeni bërë pis dhe nuk mund të ndërroni veshje; mjafton të qëndroni 6 minuta në diell dhe rrobat tuaja do të bëheshin përsëri të pastra! Megjithatë, studiuesit përmendën se, për momentin, nga pëlhura në fjalë nuk mund të hiqeshin njollat nga salca e domates dhe nga vera e kuqe. Kështu, pra, duhet të vazhdojnë studimet në laborator, por nuk është e pamundur që një ditë të kemi në dorë pëlhurën që nuk ka nevojë për larje.
Advertisement