Të gjithë njerëzit, në një masë apo në një tjetër, zotërojnë në ADN-në e tyre gjene që kanë lidhje me sëmundjen e autizmit! Një studim i fundit shkencor ndërkombëtar doli në përfundimin se, përderisa të gjithë kemi në njëfarë mase gjene që na bëjnë të jemi të rrezikuar nga autizmi, është e pamundur të caktosh një linjë të qartë ndarëse se ku fillon spektri i problemeve autike.
Studiuesit, ndër ta edhe disa nga universiteti i Harvardit dhe ai MIT, me në krye doktorin Mark Dali dhe doktoreshën Eliz Robinson, që i bënë publike përfundimet e tyre në revistën “Nature genetics”, studiuan gjenet e më shumë se 38 mijë njerëzve. Studiuesit thanë se gjenet që kanë lidhje me autizmin dhe të cilat janë ose jo të trashëguara, nuk ndikojnë vetëm në sjelljen dhe rritjen e atyre që janë diagnostikuar me autizëm, por pak a shumë te të gjithë njerëzit. Nga çrregullimet e zhvillimit nervor të spektrit të autizmit vuajnë afro 1% e fëmijëve, duke shfaqur simptoma, si: vështirësi të ndërveprimit shoqëror dhe komunikimit, probleme në të folur, sjellje të përsëritura, etj. Por, këto simptoma, në një shkallë më të ulët apo më të lartë, shfaqen edhe te shumë njerëz. Studimi i ri tregon se ekziston një bazë e përgjithshme gjenetike që mund ta shpjegojë këtë.
Është e ditur tashmë se rreziku gjenetik i autizmit nuk u përket vetëm disa gjeneve me reagim të fuqishëm, por mijëra variacioneve dhe mutacioneve të gjeneve të shpërndara nëpër gjenomë, secili me një efekt të vogël. Përgjegjëse për autizmin rrallë janë disa gjene të veçanta dhe kjo, zakonisht, u përket disa mutacioneve të reja.
“Studimi na tregon në mënyrë të qartë se rreziku gjenetik për autizëm ekziston te të gjithë ne dhe ndikon në sjelljen dhe në komunikimin tonë shoqëror“, deklaroi Dali. Me një fjalë, fakti se sa i shoqërueshëm, miqësor, i gojës apo emocional është dikush (përveç edukimit dhe eksperiencave të tij të jetës), mund të ndikohet edhe nga gjenet që janë të predispozuara për autizëm.
Sipas doktoreshës Robinson, “është arbitrare të caktohet një vijë e qartë mes atyre që kanë çrregullime autike dhe atyre që nuk kanë. Nuk ekziston një pikë e qartë që të bësh një ndarje kategorike. Është si të përpiqesh të caktosh një lartësi, mbi të cilën një njeri konsiderohet i gjatë, apo jo”. Studiuesit kanë për qëllim të bëjnë një analizë gjenetike të njëjtë për rrezikun e skizofrenisë te popullsia e gjerë.
Advertisement