Lexues dhe botues të gazetës! Po ju tregoj historinë e divorcit tim, jo për të fajësuar time motër, por për të shprehur dhimbjen time që s’mundem t’ia them askujt. Më duket sikur zemra do më plasë për gabimet e njëpasnjëshme që bëra për të mbrojtur time motër.
Jam tridhjetë e pesë vjeçe dhe kam lindur në një fshat në Shqipërinë e Mesme. Ne jemi tri vajza e dy djem në familjen e prindërve. Jemi rritur në pikë të hallit, sa me bukë e sa pa bukë sepse punonte vetëm babai im. Mamaja ime ka punuar arën gjithë kohën me shpresën që të paktën perimet që mund të bëhen në tokën tonë, të mos na mungonin. Është robëtuar sa në ara, sa për të mbajtur edhe lopë e dele që të mos na mungonte qumështi e të shiste qengjat për të na blerë rroba. E ç’t’ju them si punët e fshatit?! Një grua punëtore duhet t’i fillojë punët në pesë të mëngjesit e të ulet vetëm kur errësohet e nuk sheh më që të punojë jashtë shtëpisë. Pasi bie nata, ajo fillon me punët e shtëpisë, duke gatuar, larë e ndërruar, qepur e pastruar pesë fëmijë. Pra nëna ime e të tjerat që kanë jetuar në kushtet e saj, janë heroina. Por nëna ime nuk ka patur vetëm problemin e skamjes e të varfërisë, por edhe xhelozinë e babait tim. Xhelozia e tij na la prapa. Në këtë kohë ku çdo fushë e jetës ecën me shpejtësinë e dritës, ai na linte mbyllur se kështu e donte zakoni. Motra e madhe dhe unë, dy fëmijët e parë, iu bëmë krah nënës në punët e shtëpisë. Pasi u rritëm, nuk e lamë të lante rroba më me dorë, se për lavatriçe, nuk bëhej fjalë. E kemi ndihmuar të punojë, mbjellë e korrë tokën që kemi afër shtëpisë, se në tokën tjetër që kemi në fund të fshatit, nuk na linte babai që të shkonim.
– Vajzat nuk dalin nga rrethimi i oborrit, – thoshte ai, por edhe vetë nuk i ndihmonte mamasë. Sigurisht, mamaja e pashkollë dhe e trembur për vdekje nga xhelozia e fanatizmi i tij, na kish mësuar që t’i bindeshim.
– Ndihma më e madhe nga ju është të bëheni vajza të mira. Më ndihmoni sa të mundeni me punët brenda shtëpisë dhe mua më mjafton kaq, – thoshte ajo, kur babai zinte e bërtiste se pse kishim dalë të punonim me nënën. Pas nesh, u rritën edhe të dy vëllezërit dhe ata, edhe pse e kanë nga një dell si të babait, prapë ndiejnë pak dhimbje për nënën. Kur motra e madhe mbushi njëzet e dy vjeçe, u martua me një djalë nga veriu, por që jetonte në Tiranë. Sigurisht, martesa ishte me shkuesi, se kush do të na njihte neve pa dalë asnjëherë?! Ai rastisi djalë i mirë dhe pasi u martua, këmbënguli që motra të vazhdonte shkollën e mesme me korrespondencë. Motra e mbaroi shkollën e mesme edhe pse u bë me dy fëmijë.
Unë u martova dy vite pas motrës, në një fshat në veri. Isha kunatë me vajzën e tezes dhe kisha atë shkuese. Babai im u bë me flatra që na hoqi nga dera. Djemtë s’i kishte problem se “ata djem janë”, thoshte gjithmonë. Motra e vogël na doli më këmbëngulësja ndër ne për të fituar territor te babai.
Unë, pasi u martova, kam jetuar në Itali sepse atje punonte burri im. Isha e lumtur me burrin tim. Ai nuk ishte fanatik si babai. Pastaj, ai e shihte se sa e ndrojtur isha dhe u përpoq të më sillte në terezi e të më bënte të ndihesha e barabartë me gratë e tjera. Kam punuar në Verona, sigurisht, si pastruese në tri shtëpi. Ishin tri zonja të moshuara që i kishin fëmijët larg e unë pastroja e gatuaja për to. I kisha pothuajse komshie. Edhe në kohën që isha shtatzënë kam punuar te tri shtëpitë se nuk doja të lija punën. Shyqyr Zotit kam patur shtatzani të mbarë. Pasi linda, e merrja vajzën me vete dhe zonjat italiane kënaqeshin me vajzën, ndërkohë që unë pastroja. Pesë vitet e para të martesës kam jetuar si në parajsë me një burrë që më adhuronte, tri plaka zonja që më donin sikur të më kishin vajzën e tyre dhe një fëmijë si engjëll, që nuk sëmurej asnjëherë.
Thashë më lart që mbas meje kisha dy vëllezër e një motër. Dy vëllezërit nuk kishin lidhje me shkollën. I madhi erdhi në Itali me pasaportë fallco, por nuk erdhi të jetonte tek unë; shkoi te një shok i tiji. Atje nuk kisha si ta ndihmoja e as ta kontrolloja. Shoku i tij na kish rastisur djalë jo i mirë, megjithëse babai bënte sikur nuk e dinte. Vëllai, pasi “punoi” një vit, ra në burg. U dënua me katër vite heqje të lirisë. Kjo ishte goditja e parë e vërtetë për nënën time. Babai vazhdonte me budallallëkun e maleve “burgu për burra është” dhe bënte sikur nuk ishte asgjë. Vëllai i dytë ishte kopja e babait për nga xhelozia dhe ruante nënën e motrën gjithë kohën. Motra fatmirësisht shkoi në shkollë të mesme dhe me këmbënguljen e madhe të nënës, motrës dhe timen, mësoi dhe konkurroi për në shkollë të lartë. Fitoi një shkollë në Universitetin Bujqësor të Kamzës.
Kur shkoi ajo në shkollë, jam lumturuar sikur po shkoja vetë. Në fakt, po realizonte ëndrrën time e të motrës, por dihet, kur shkollën e mesme e mori vetëm duke e shtyrë ne, si do ta merrte shkollën e lartë?! Ajo mbeti që në vitin e parë. Të kthehej në shtëpi si mbetëse nuk donte as babai, kështu që e futi në shkollë në Fakultetin e Gjuhë-Letërsisë me shpresën se do vinte mend e do mësonte. Po nuk mbetet hak e borxh pa u paguar në këtë botë. Babai im po e paguante borxhin që kishte ndaj meje e motrës së madhe me trurin bosh të motrës.
Meqenëse jetoja në Itali, kam qenë në gjendje të mirë ekonomike, kështu që kam patur mundësi që t’i dërgoj herë pas here para motrës së vogël me shpresën që do mësojë e të justifikojë qëndrimin në Tiranë. Sa herë flisja në telefon me të, i thosha:
– Unë Tiranën e kam parë dy herë që kam qenë të tezja. Edhe atëherë babi më ka dhënë leje vetëm një herë që të shkoja në treg me tezen, kështu që duhet ta dish që je me fat. Mëso e bëhu e zonja që të kesh mundësi të punosh e jetosh atje, të gjesh ndonjë djalë të mirë, të mos presësh shkuesit edhe ti si ne.
– Po, po, po mësoj, – thoshte motra.
Unë vazhdoja t’i dërgoja para me Uestern Union që të vishte rroba si shoqet e të mos mbetej pa para në xhep. Kur flisja në telefon me të, e pyesja: – A ke njohur ndonjë djalë, mos po del me ndonjë? Se mos e marrë vesh babi e të piu e zeza!
– Ku të njoh njeri unë, – më thoshte, – unë nga konvikti iki në fakultet e nga fakulteti në konvikt, ku do më shohë njeri mua?
– Epo, mos u anko, – i thosha, – mua s’më ka parë njeri edhe në fshat se nuk dilja as deri te porta e prapë mirë jam.
Ajo qeshte dhe e kalonim si shaka. Kur dolën këta celularët e mirë, i thashë babit që t’ia blija unë një të mirë e të flisja me të në Viber ose VVats Up pa shpenzuar shumë para.
– Dakord, – tha babai, – por jo me hap Facebook në celular! I dëgjon lajmet se ç’po bëjnë me telefonat?
Këtë herë, ai kishte patur të drejtë. Sapo i bleva telefonin motrës, ne filluam të kontaktonim më shumë me mesazhe në Viber, pra, me shkrim e jo me fjalë, që nuk i sheh e nuk i dëgjon tjetërkush. Ndërsa e pyesja vazhdimisht motrën, më tha se kish njohur një djalë që i pëlqente.
– Të lutem bëj kujdes, mos të të shohë njeri që takohesh me të, – i kisha shkruar disa herë. E kishim vendosur që nuk do t’i tregonim askujt për këtë lidhje të sajën derisa të vendosnin të fejoheshin, por ja që në një nga këto takime, motrën time e kishte zënë mat babai. Ashtu e kishte kapur për leckash e në makinë e shtëpi. Pas një dajaku të mirë, i kishte kontrolluar edhe telefonin. Pasi kish lexuar mesazhet, më mori në telefon dhe më kërkoi të kthehesha në shtëpi në Shqipëri qoftë edhe vetëm për dy apo tri ditë.
– Ta paguaj unë biletën, vetëm hajde, – më tha. Mendova mos ishte sëmurë ai apo mamaja dhe kur i thashë tim shoqi, ai më tha: “Ik me paratë tona, ç’do t’u marrësh paratë e biletës atyre?”.
Lashë vajzën në Itali me të atin dhe erdha te prindërit. Po ç’të vija?! Në Durrës erdhi e më mori babai. Nuk më foli gjithë rrugës. Kur arrita në shtëpi, sapo u takova me nënën time, më erdhën shpullat si me breshëri nga babai. Nuk isha rrahur qysh fëmijë. Derisa e mora vesh se ç’po ndodhte, as nuk arrita të ruhesha e mu ça buza nga të qëlluarat. Dajaku ishte po aq i shëndetshëm sa ai që kish marrë motra para meje. Nuk i vura faj babait. Isha unë ajo që ia kisha punuar pas shpine. Më në fund, vëllai dhe mamaja mundën ta ndalonin dhe unë me gjithë turpin e botës mbi supe, ndenja dy ditë mbyllur në dhomë që të mos më shihte babai dhe u nisa për në Itali me mallkimin me zë të lartë të babait në vesh: “Mos u kthefsh më gjallë, ti s’je më vajza ime”. Nuk i thashë asgjë burrit, për buzën i thashë që rrëshqita në banjë dhe e kalova. Pas dy muajsh, babai pas ndërhyrjes së vëllait, u bind dhe e çoi sërish motrën në shkollë, por ndërkohë e kontrollonte çdo sekondë në telefon. Fillova të flisja edhe unë me motrën në telefon, më shumë për t’u siguruar se mos bënte ndonjë gafë tjetër. Ajo, këtë radhë u njoh me një djalë tjetër dhe fliste me të me telefonin e shoqes për të mos lënë gjurmë. E mora disa herë në telefon për t’i kujtuar atë hitorinë e parë. Edhe i shkrova mesazhe pa fund që të mos dilte, të mos vazhdonte se do ta pësonim. Ndërsa zihesha me motrën në telefon, më dëgjoi burri disa herë dhe më tha:
– Të lutem, mos u përziej. Thuaji nënës e babait tënd se ajo do t’ju bëjë gjëmën. Dhe ta dish se do ngatërrohesh edhe me mua nëse e përkrah atë në këto lojëra.
– Po përpiqem ta mësoj, nuk po e mbështes, – i thashë. – Ti nuk më dëgjon që zihem me të, i them të heqë dorë?
– Si të duash, por nëse s’të dëgjon, ti duhet t’u thuash prindërve, përndryshe ajo do të vazhdojë kështu. E nëse ti e di se ç’po bën ajo cepave të pallatit dhe nuk bën asgjë për ta ndaluar, ta dish se edhe ti bëhesh bashkëfajtore.
– Ke të drejtë, – i thashë, – po nëse e merr vesh babai, s’do ta lërë të mbarojë shkollën.
– Akoma s’e ke kuptuar që jot motër s’e ka mendjen te shkolla, por të bredhë lart e poshtë?! E ngatërron me veten, grua dhe mos e bëj këtë gabim.
E mora motrën time të vogël në telefon dhe i thashë që po më fuste në ngatërresë me burrin për ato që po bënte. Ajo, pa pikën e turpit, mu përgjigj:
– Epo, se je idiote ti, e flet në sy të atij ç’të të them unë?
– Po ku të flas moj, – i thashë, – unë jetoj në një shtëpi me të. Pastaj, unë nuk kam asgjë për t’i fshehur sepse një marrëdhënie nuk mbahet me gënjeshtra.
– Po, po, vazhdo ti me moralin tënd. – më tha.
Iu luta gjatë në telefon, i shkrova mesazh, i thashë edhe motrës tjetër e nënës që ta bindnin të mbyllte Facebook-un, të ndërpriste lidhjet në telefon me atë djalin e të mos dilte më, por sigurisht që ajo bëri të kundërtën. Babai im e mori vesh, ndaj e mori në shtëpi dhe ajo nuk e vazhdoi vitin e fundit të shkollës. Dhe, veç kësaj, pasi kishte kontrolluar telefonin, e kishte lexuar sërish komunikimin mes meje e motrës, kishte marrë burrin tim.
– Dhëndërr, të mora që të të them vetëm fjalë zeher, – i tha atë mbrëmje.
– Çfarë ka ndodhur? – pyeti me një frymë burri.
– Ka ndodhur që gruaja jote dhe vajza ime, nuk është në rregull, – i tha ai nga ana tjetër e telefonit. – M’u duk sikur lëvizi shtëpia, për një moment mendova mos ishte tërmet, por kuptova që e kisha nga tronditja. – Dhe unë nuk të vë faj nëse e ndan vajzën time, sepse ajo i ka ditur të gjitha dhe s’më ka thënë. Dhe të mendosh që është nëna e vajzës tënde. Ajo, ashtu do të të mësojë edhe vajzën. Nejse, lexo mesazhet e saj dhe pastaj më thuaj vendimin tënd.
E kuptova që tashmë gjithë inati i babait tim ishte zhvendosur nga motra tek unë. Im shoq mori telefonin tim dhe e kontrolloi si kurrë më parë. Lexoi gjithçka që kisha shkruar me motrën dhe në fund, më fluturoi telefonin. Shyqyr që ngrita krahun e nuk më ra në kokë. U ngrit rrëmbimthi e më kapi për supesh duke më shkundur. Nuk më qëlloi, ishte gjë që s’e kishte bërë kurrë më parë, por më lëshoi, mblodhi duart grusht dhe me fytyrën ngjitur me mua, tha:
– Kam një dëshirë të tmerrshme të të rrah, por nuk mund të ndyj duart me ty. Të kam paralajmëruar. – Heshti pak e filloi sërish: – Po nëse ti je dakord që motra jote të livadhisë ashtu, domethënë që edhe ti ke livadhisur nën hundën time.
– Jooooo, s’është e vërtetë, as që e kam menduar të livadhis. Të kam dashur si dritën e syve dhe s’e kam çuar ndonjëherë në mend që të të tradhtoj. Të lutem, më beso!
– Si më kërkon të të besoj? – më tha – Ti tradhton prindërit e tu që të kanë bërë kokën, ndërsa unë u dashka të kem besim te ti? Jo, grua, nuk mund të ndodhë.
Sherri e shamata vazhdoi edhe disa ditë me burrin derisa një ditë më tha që donte të ndahej nga unë.
– Vajzën mendoj se është më mirë ta mbaj unë, ti do ta mësosh ashtu siç mësove motrën tënde.
Tashmë, kam gjashtë muaj që jam ndarë, gjyqi fatmirësisht vajzën ma la mua në ngarkim sepse është akoma e vogël. Kam marrë një shtëpi të vogël me qira në të njëjtën lagje ku isha, vazhdoj të punoj te tri zonjat italiane, por ha bukë e gjak. Në fakt, duhet të falënderoj ish-bashkëshortin tim që më mësoi të jetoj e punoj në Itali. Gjithçka kam sot e kam falë tij. Divorci ishte për fajin e motrës sime dhe jo të tijin.
Me familjen e prindërve, s’flas. Ish-burri vjen e merr vajzën në datën e caktuar nga gjykata dhe unë po jetoj mjerimin që mbolla vetë, duke mbrojtur motrën.
A.