Ajo është bërë pjesë e shout më të fundit në Tv Klan, “Your face sounds familiar” dhe ka shkëlqyer me performancat e saj. Këtë herë, për ne, Anxhela Peristeri vjen me një rrëfim për jetën e saj private. Çfarë mendon për meshkujt, dashurinë e shumë tema të tjera interesante? Të gjitha këto do t’i gjeni në intervistën që kemi përgatitur me të…
Fabjola Kuburi: – Anxhela, je pjesë e shout më të fundit në Tv Klan “Your face sounds familiar”. Çfarë është ky shou për ty?
Anxhela Peristeri: – Një eksperiment shumë i bukur i vetvetes, një eksperiencë e jashtëzakonshme dhe mbi të gjitha, një kënaqësi e veçantë të futesh nën lëkurën e personazheve të njohura botërore.
– Cili është personazhi më i këndshëm dhe që të është përshtatur më shumë deri tani?
– Deri tani, realizimi më i mirë për mua ka qenë Ana Oksa dhe Kristina Agilera. Nuk di se çfarë do të realizoj në vazhdim, por di që unë do të bëj maksimumin tim.
– Faktikisht, në këtë intervistë desha të flasim pak më çlirët e më shkoqur; për shembull, për meshkujt… çfarë janë dhe çfarë duan ata?
– Meshkujt janë kompleksë po aq sa femrat dhe kam përshtypjen që për aq kohë sa shijet dhe dëshirat janë individuale, duhet marrë e studiuar secili më vete. Mundësitë për ta bërë janë kaq të pakta, kështu që do na duhet të përshtatemi ende për shumë kohë më “lëmshin” e mashkullit që vërtitet në kokën e tij.
– Ç’duhet të ketë një mashkull për ty që të veçohet nga turma?
– Kjo është diçka që nuk mund ta shpjegoj. Thjesht, diçka që e bën të veçantë dhe më vonë zbulon që ajo diçkaja është shumë gjëra bashkë.
– Në një lokal, një djalosh i pashëm e i vetmuar të fikson me shikim. Cili do të ishte reagimi yt?
– Djalosh i pashëm dhe i vetmuar? Shumë i vështirë ky kombinim! (Qesh) Nëse do të isha singëll, do ta shikoja edhe unë. Nëse jo, nuk do ta shikoja sepse kur jam e dashuruar, nuk shoh asnjeri përreth.
– Ke dalë ndonjëherë me mendjen e mbledhur për të “gjuajtur”?
– Jo, zakonisht më kanë gjuajtur, nuk kam gjuajtur.
– Mendon se e tërheq vazhdimisht vëmendjen e seksit tjetër?
– Mendoj se e tërheq shpesh. (Qesh) Unë nuk besoj se ju mendoni të kundërtën, apo jo?
– Çfarë mendon se i tërheq meshkujt te ti?
– S’e di, ndoshta thjeshtësia ime. Edhe unë vetë e vlerësoj shumë thjeshtësinë dhe normalisht, thjeshtësia dhe fakti i të qenit shumë popullore bën që të jem e pëlqyer.
– Ka meshkuj antipatikë për ty?
– Po, meshkujt fodullë nuk i kam honepsur ndonjëherë.
– Thonë se një mashkull në jetë çmendet për adrenalinën e rrezikut dhe për lojën, por gjithashtu thonë edhe se femra është loja që shkakton adrenalinën më të rrezikshme…
– Është e lidhur zinxhir kjo gjë; meshkujt çmenden për të bukurën, për të ndaluarën, për lojën, për femrën, për gjithçka që u shkakton adrenalinë, por femra është loja më e rrezikshme që mund të luajnë ndonjëherë dhe ata më mirë se ne femrat e dinë këtë.
– Gabohen meshkujt apo kanë të drejtë femrat?
– Kanë të drejtë femrat. Mashkulli mendon se luan, ndërkohë që femra e di rezultatin e lojës.
– Në një marrëdhënie, beson çastin apo përjetësinë?
– Besoj çastin! Mendoj se përjetësia është një numër i madh çastesh. Atëherë, përse këto çaste të mos bëhen bashkë dhe të jetojmë atë që kemi çdo ditë?
– Ç’gjë tjetër është e rëndësishme për ty në një lidhje?
– Sinqeriteti dhe vetëm sinqeriteti! Nëse gjërat tregohen ashtu siç janë, atëherë gjithçka është në rregull.
– A është e lidhur Anxhela?
– Jo, jua kam thënë se do jeni të parët që do t’jua them, ty, sidomos. (Buzëqesh)
– Cili është personi i parë që takove sot?
– Shoqja ime, Rafaela.
– Çfarë harron më shpesh?
– Çelësat e shtëpisë.
– Sa harxhon në një ditë të zakonshme?
– Nuk i kam numëruar.
– Të ka mbetur ndonjë peng?
– Asgjë, me sa më kujtohet… Nëse dua ndonjë gjë, e realizoj atë.
– Party i fundit ku ke shkuar?
– Ditëlindja ime në Barcelonë.
– Cila ka qenë hera e fundit që ke sharë dikë?
– Nuk e mbaj mend.
– Personi i fundit të cilit i ke dhënë numrin e telefonit?
– Një organizator koncertesh.
– Numri i fundit që ke fshirë nga celulari?
– Zakonisht, nuk i fshij numrat.
– Çmenduria e fundit që ke bërë?
– Jam larë në det, në temperatura shumë të ulëta.
– Mikja apo miku yt më i mirë…
– Kam shumë miq të mirë dhe nuk dua të veçoj asnjë.
– Shenja më e veçantë që ke?
– 3 nishane në formë trekëndëshi në të dyja supet. Goxha të veçanta, ë? Thonë se ne jemi njerëz me fat dhe unë e besoj. (Buzëqesh)
– Çfarë po mendon tani?
– Tani po mendoj për performancën e së hënës në “Your face sounds familiar”…
– Çfarë nuk do ta bëje kurrë?
– Të ofendoja dikë pa të drejtë apo t’i hyja dikujt në hak.
– Bisedën më të ngrohtë e ke bërë me…
– Nëna Ketin. Ajo është dashuri për mua, më dhuron të gjithë ngrohtësinë e universit.
– Çfarë të pëlqen më shumë nga jeta që bën?
– Duartrokitjet që marr gjatë performancës apo në fund të saj.
– Gjumin e konsideron…
– Diçka të shenjtë.
– Cila është pika e dobët e Anxhelës?
– Prindërit, ata janë pika ime më e dobët.
– Cila është gafa e fundit që ke bërë?
– Nuk e mbaj mend. Zakonisht jam e matur, nuk para bëj gafa.
– Gjërat që bën me më shumë kënaqësi?
– Të këndoj dhe të bëj shooping.
– Me çfarë josh Anxhela Peristeri?
– Me mendje dhe me edukatë.
– Gjëja më e pavërtetë që ke dëgjuar për veten?
– Që kam fëmijë. Po, më kanë bërë edhe me fëmijë! (Qesh)