– I nderuar psikolog Demiraj! Ju vlerësoj për shkrimet në gazetën “Intervista”. Unë kam dëshirë që të më shkruani për të qarat e njeriut. Për shembull, sapo lind fëmija, fillon të qajë, a thua se kërkon mbështetje prej nënës së tij. Të qarat në jetë janë të shumta, në vdekje në gëzime e me këto emocione na rrjedhin lotët. Si ndihemi ne, a ndihemi mirë apo keq? E pres me padurim nga ana juaj të trajtoni një shkrim më gjerë me shembuj konkretë. Me respekt, Tahir Zekthi.
Dr. Jashar Demiri, psikolog kliniçist: – I nderuar Tahir, ju falënderoj për letrat që na i çoni herë pas here dhe për vlerësimet tuaja. E qara është një nevojë psikofiziologjike e njeriut, në çdo moshë. Çdo psikolog këshillon 4 gjëra që duhet t’i bëjmë: 1. Qani, 2. Qeshni. 3. Hapuni me një tjetër (me dikë të “hajrit”, siç thotë populli). 4. Heshtni (me manipulatorët e thashethemexhinjtë se ata nuk dinë të bëjnë ndryshe). Pra e qara është një nevojë, një antistres i njeriut që na duhet për gjithë jetën. Ajo të çliron, mirëpo ne këtu në Shqipëri na kanë mësuar se “është turp që të qajmë” se “burrat nuk qajnë” etj.) pra kjo përkthehet: “pëllcit, por mos qaj”. Nga kjo lloj edukate që kemi marrë, ne shtrëngojmë veten dhe nuk i lëmë lotët që të na dalin, pra, nuk e përdorim këtë “mjet” të bukur që na e ka dhënë “arkitekti” për të hapur “valvulat” e shkarkimit të mërzisë, dhimbjes, depresionit, madje edhe të gëzimit. Po, po, edhe të gëzimit! A e dini përse ne qeshim me lot? Sepse tejkalohet masa e ndjenjës dhe lotët na e “zbusin”. Diku, në një libër, kam shkruar edhe për lotët e orgazmës ose ofshama, siç thuhet. Edhe këtu, lotët e zbusin ose e amortizojnë kënaqësinë e madhe gati të papërballueshme që sjell orgazma, ndaj quhen normale, madje edhe britmat ose rënkimet e ofshamës, prandaj ato nuk duhen ndaluar, siç veprohet shpesh nga turpi i femrave, që unë e kam quajtur “turpi i rremë”. Kur kam parë praktikat gjatë specializimit në Londër në vitin 1994, jam çuditur kur e sollën te psikologu një “alamet burri” dhe kur ai dhe e shoqja bënë çmos që ta bënin të qante. Ata u gëzuan si fëmijët kur ai shpërtheu në të qara, pra, u çlirua si të kishte vuajtur nga ndonjë “kapsllëk shpirtëror”. Ndaj edhe në popull thuhet se pas lotëve, sytë shohin më mirë dhe kjo e shumë shprehje të tjera janë brilante në gjuhën shqipe, si ato që, “ose do qajmë, ose do të qeshim” (pra, që gëzimi e brenga alternohen e janë normale) ose: “po nuk qau fëmija, nuk i jep e ëma gji” etj. Ja ku dolëm te të qarat e fëmijës për të cilat ju më pyesni. Ashtu si në botën e kafshëve blegërimat (apo cingërimat, kur lindin këlyshët) ato janë si sinjal i ardhjes në jetë, një sinjal natyror, i cili lajmëron ose thërret për ndihmë. Jo vetëm kaq, por të qarat e fëmijës ndihmojnë për hapjen e mushkërive dhe qarkullimin më të mirë të gjakut, e kanë një qëllim, një funksion… Tjetër gjë janë ato që shpikin njerëzit kur thonë se e qara tregon se jeta do të ketë shumë halle etj., kur në fakt, të qarat e foshnjes së sapolindur tregojnë shëndet të mirë e funksionimin e duhur e normal.
– Pra, e qara na bën mirë, ndaj le ta kuptojmë e ta mirëpërdorim këtë mjet magjik normal, sa herë që na vjen në ndihmë. Studentët e mi të psikologjisë, kur ishin fillestarë, u çuditën kur u thashë se ne do të jemi psikologë të aftë jo vetëm po qe se do të jemi dëgjues të mirë, por nëse do t’i bëjmë klientet të shprehen e të qajnë dhe t’i lëmë më pas që të qajnë. Më pas, në leksione i zbërthyem me detaje dobitë e mëdha që kanë e qara dhe e qeshura, të cilat me të vërtetë e fundosin depresionin. Le të marrim një shembull: Më sollën një vajzë adoleshente së cilës i kishte “vdekur” qeni i saj shumë i dashur dhe ajo qante shumë. E kishin çuar te një psikiatër dhe ai i kishte dhënë dy barna antidepresive, deri në doza gjumëvënëse dhe ajo nuk ishte në gjendje të mësonte. Unë i binda e i këshillova prindërit që vajza nuk ka sëmundje sepse depresioni i saj quhet normal e kalimtar, ajo do vetëm ngrohtësi e veprimtari, por edhe të qajë, sepse duke ia penguar lotët, ne nuk e lëmë atë që të nxjerrë brengën e të çlirohet. Kështu u bë, i bëmë nja 4-5 seanca, i dhashë edhe pak xhinseng (ilaç 100 % bimor) dhe vajza vazhdoi të shkëlqejë jo vetëm nga humori, por edhe si më parë në mësime. Duke qenë se e kishte lumin Lana afër, i thashë që t’i hidhte aty ilaçet antidepresive gjumëvënëse…
“Po nuset, pse qajnë?”, pyesin disa. Në fakt, ata janë lot gëzimi, lot emocionesh, prandaj kanë “lezetin” e vet. Ndaj thotë edhe një këngë “unë nuk qaj, por është zakon”… Mua më shumë përshtypje më ka bërë një shprehje se “jeta fillohet duke qarë… dhe mbyllet duke rënkuar…” Deri diku kjo është një thënie e drejtë, pasi lindja dhe vdekja, që nuk i ka në dorë njeriu, janë si dy kapakët e një libri që njeriu pothuajse e shkruan vetë, por me ndihmen e të tjerëve… Por, për një gjë nuk jam dakord, pse duhet të mbyllet jeta duke qarë e rënkuar nga pleqëria? Po truri ç’bën?! Pse njeriu të mos kënaqet me ato që ka e me ato që i kanë mbetur? Unë, shpesh, i them vetes: “sikur edhe plak mbi 100 vjeçar të bëhesh, sikur edhe me pelena apo i sëmurë të jem, sapo të çel sytë e të shoh Diellin, në mëngjes do të mendoj: ja edhe një ditë e bukur për ta jetuar”… Duket si utopi, por kjo është bindja ime se këtë ka bërë edhe im atë, i cili ka vdekur si duke qeshur, ndjesë pastë! Besoj se folëm mjaft për të qarat? Edhe diçka: siç thuhet, çdo gjë me masë e teprica haram, që do të thotë që të qajmë aq sa duhet e jo sa të na dhembë koka, si dhe të mos ua prishim të tjerëve atmosferën duke u bërë psikovampirë depresivë. Edhe diçka për të qeshur: s’bëhet vreshti me të qara e as urata, por me shata e lopata…
Advertisement