Një artiste nuk është e nevojshme të shikojë
Yllka është një piktore e qytetit të Prizrenit, një vajzë e re studente që e do shumë jetën dhe që i pëlqen të jetë aktive në çdo moment. Ajo dëshiron që në të ardhmen të bëhet psikologe sepse mendon se këshillat dhe fjalët e bukura janë të mirëseardhura te njerëzit. Herë pas here ndërsa bisedojmë, u përgjigjet me humor pyetjeve tona dhe thotë se arti nuk bëhet për famë, por sepse ai qëndron mbi të gjitha… Pas gjithë këtyre që ju thashë, a do ta besonit dot se kjo vajzë është e verbër që nga lindja? Me siguri që jo, ndaj po ju prezantojmë me të në këtë javë që ka në qendër të saj festën e gruas… Më mirë se një vajzë si ajo, kush do t’u tregonte femrave që vuajnë sot për arsye të ndryshme se, optimizmi dhe dashuria për jetën qëndron mbi gjithçka?
Blerina Çizmja: – Yllka, së bashku po bisedojmë online, duke i shkruar njëra-tjetrës. Si arrin ta bësh këtë, ndërkohë që ti nuk shikon?
Yllka Berisha: – (Buzëqesh) Mendoj se nëse njeriu dëshiron vërtet të jetë i suksesshëm, duhet t’i provojë të gjitha metodat për të mposhtur çdo të metë apo sëmundje që ka. Sot, falë avancimit të teknologjisë, edhe ne të verbërit mund të kyçemi në rrjetet sociale. Per shembull, unë komunikoj me Iphone, i cili ka opsione akustike dhe nëpërmjet dëgjimit, ne komunikojmë.
– Në këtë mënyrë po më shkruan?
– Po, Iphone çdo komandë e tregon me zë e po ashtu, edhe gërmat, duke i shkruar, i dëgjoj. Telefonat e mençur (smartphon) na e japin këtë mundësi… Pastaj, mua verbëria nuk më pengon të bëj gjithçka që bën çdo njeri tjetër, vishem vetë, më pëlqen të lexoj, madje edhe gatuaj…
– Na trego diçka për veten, Yllka…
– Unë quhem Yllka Berisha dhe jam nga qyteti i Prizrenit. Tani jam 31 vjeçe dhe kam lindur e verbër, por jam munduar ta mposht verbërinë nëpërmjet sukseseve të mia. Aktualisht, jam studente e Psikologjisë…
– Pse zgjodhe pikërisht këtë degë studimi?
– Sepse e dua shumë psikologjinë dhe sepse mendoj se këshillat dhe fjalët e bukura janë të mirëseardhura te njerëzit.
– Si është një ditë e jotja?
– Pasi zgjohem në mëngjes, bëhem gati për në fakultet. Pas ligjëratave dal me shoqërinë për të pirë kafe dhe më vonë kthehem në shtëpi, ku marr të lexoj ose pikturoj… Ka raste që shkoj edhe në Shoqatën e të Verbërve, nëse kemi aktivitete atje… Jam shumë aktive dhe asnjë ditë nuk qëndroj në shtëpi. Nuk mund të qëndroj në një vend. (Qesh)
– Kush të shoqëron zakonisht gjatë aktiviteteve të tua, qoftë atyre ditore, qoftë të veçanta?
– Po, unë kam shumë shoqëri… Megjithatë, për të gjitha sukseset e arritura deri më tani meritë të madhe ka mamaja ime, e cila është dora ime e djathtë. Përveç mamit, kam edhe motrën dhe vëllain, që më ndihmojnë gjithmonë.
– Me cilin prej këtyre të dyve je më e lidhur?
– Unë jam e lidhur me të dy, sepse secili ka vendin e vet. Ngaqë nuk e kemi babin, mami na e ka ushqyer që të jemi gjithmonë të lidhur me njëri-tjetrin.
– Si e keni humbur babain, Yllka?
– Unë rrjedh nga familje intelektuale. Babai im, Halil Berisha, që ka qenë mjek ortoped, vdiq në vitin 1989, i helmuar nga barbarët serbë. Ai ka qenë kurora e artë e familjes sonë dhe tani, edhe pse nuk shikoj, unë dua të ndjek hapat e tij të suksesshëm.
– Yllka, ti e ke 100% të humbur shikimin?
– Unë shoh vetëm 2 për qind.
– Çfarë do të thotë kjo? Që mund të shikosh konturet e sendeve, për shembull? Çfarë mund të dallosh me 2% shikim?
– Shumë pak e shoh dritën dhe ngjyrat, ama nga shumë shumë afër. Me këtë sasi të të parit që kam, unë mundohem që çdo motiv apo emocion ta hedh në pikturë.
– Domethënë, për ty, bota nuk është krejt e panjohur, apo jo?
– Po, normalisht, të parit nuk është e tëra e panjohur, por me atë sasi shikimi që kam, unë mundohem ta mposht çdo ballafaqim. Unë ndoshta nuk shoh me sy, por shoh me shpirt, andaj nëse më quajnë artiste, nuk do të thotë që patjetër të shoh. (Qesh)
– Megjithatë, ne të tjerëve na duket vërtet e çuditshme se si mund të arrihet konkretisht kjo. Si arrin të krijosh linjat, kombinimin e ngjyrave e gjithçka tjetër për të cilën ka nevojë një pikturë?
– Po, arti mbi të gjitha! Unë i afroj ngjyrat për t’i shikuar sadopak, por unë e dua artin shumë, ndaj them se kjo mjafton për të hedhur emocionet e mia në pikturë…
– Çfarë është piktura për ty, thjesht një mënyrë për të shprehur veten apo synon të bësh emër në këtë fushë?
– Hëm, ti si e mendon? A është arti vetëm për të bërë emër apo është krijimtari e lindur? Arti ndihet… Arti është i bukur dhe jo çdokush e posedon aftësinë për t’u marrë me të, prandaj arti në vetvete dhe piktura në veçanti, nuk janë vetëm për famë.
– Muajin e fundit, ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, bëri një vizitë në shtëpinë tënde, ku të premtoi se së shpejti do të mundësojë një ekspozitë tënden në Tiranë…
– …duke më bërë shumë të lumtur. Në shtëpinë time, ambasadori Qemail Minxhozi pati rastin t’i shihte për së afërmi pikturat e mia. Dua ta falënderoj përzemërsisht që më organizoi një eveniment të madh, ku pata rastin edhe të këndoj. Atë ditë kanë qenë të pranishëm rreth 200 vetë…
– Yllka, a ke ndonjë peng në jetën tënde?
– Përveç verbërisë, peng tjetër nuk kam!